Analiza

Europa armike e vetvetes

Një Europë e gjymtuar dhe memece, e paaftë për një pozicion të qartë, duke pritur në mënyrë hipokrite se cfarë do të bëjë SHBA. Nëse, që nga e enjtja, Europa nuk do të dijë të demonstrojë se di të veprojë në mënyrë të jashtëzakonshme, atëherë do të jetë e kotë të kapemi me eurofobët, me antieuropianët

Pierluigi Battista

Screen Shot 2015-04-22 at 11.54.23 AM

Ja pra ku u vendos për të enjten takimi i jashtëzakonshëm i Bashkimit Europian, pas katastrofës së Mesdheut. Por me të vërtetë i jashtëzakonshëm. Në punë menjëherë. I koordinuar pa xhelozira, pakënaqësira, përjashtime, manovrime të vonuara. I përqëndruar në kostot ekonomike të domosdoshme që sjellin që operacionet kundër valëve të imigrantëve. Realist në përcaktimin e objektivave urgjente. Dhe serioz, mbi të gjitha serioz, në përvijimin e një strategjie në gjendje për t’i bërë ballë kësaj zhvendosjeje masive të popujve të dëshpëruar, që arratisen prej luftërave mizore e të pamëshirshme, ku në tragjedi është e përfshirë e gjithë popullsia civile. Në thënien e një fjale, qoftë edhe vetëm një fjale, pas disa vitesh afazie, indiference, frike, mbi atë që po ndodh në Siri dhe në Irak. Një Europë e gjymtuar dhe memece, e paaftë për një pozicion të qartë, duke pritur në mënyrë hipokrite se cfarë do të bëjë SHBA. Nëse, që nga e enjtja, Europa nuk do të dijë të demonstrojë se di të veprojë në mënyrë të jashtëzakonshme, atëherë do të jetë e kotë të kapemi me eurofobët, me antieuropianët: sepse në fund, armiku i parë i Europës që ne duam do të jetë pikërisht ai, një Bashkim Europian që nuk di më cfarë të bëjë atëherë kur qindra-mijëra njerëz vdesin në det, në përpjekjen për t’u afruar, për të shpëtuar, në brigjet e tij. 

Përgjegjësit në Bashkimin Europian ndoshta as nuk e imagjinojnë se sa shkatërrimtar është për kontinentin tonë ai spektakël i frikshëm njerëzish, grash dhe fëmijësh që përfundojnë në fund të detit. As nuk e imagjinojnë se sa shqetësuese është paaftësia e shfaqur për cështjen e Libisë, vetëm pak vite pas provës së verbërisë që u shfaq me rrëzimin e dhunshëm nga froni të Gadafit. Nuk e kanë idenë se sa i largët tingëllon ky bishtnim mbi sigla dhe emra që nuk i përgjigjet thelbit të pyetjes: Cfarë ka bërë Europa deri tani për të penguar tragjeditë në dete, por qoftë edhe për të kuptuar përsenë e këtij eksodi kaq të madh? Bëjmë gjithmonë sikur nuk shohim.

Shpresojmë gjithmonë se për një koincidencë fatlume të fatit, gjërat do të vihen mrekullisht vetë në vend. Besojmë gjithmonë se dikush tjetër (sigurisht SHBA, ndonëse mallkojmë Barak Obamën dhe përpara tij këdo që ishte në krye të Shtëpisë së Bardhë) do të vihet në vendin tonë. Bota.al

Bëhet gjithnjë e më dramatike mungesa e një politike të jashtme të përbashkët. E një sistemi mbrojtjeje të përbashkët, e mbështetjes së tij të nevojshme, që megjithatë ka kosto: mbrojtja nuk është falas, falas është vetëm demagogjia e atyre që thonë se cdo euro e shpenzuar për mbrojtjen ushtarake është dhuratë për ndonjë lob të errët, duke ia hequr kushedi se kujt projekti civil. Europa nuk di cfarë të bëjë kundër skafistëve të paskrupullt, të skllavëruesve që janë shndërruar në zotër të deteve të saj. Lëre pastaj të arrijë të programojë një linjë të përbashkët, dhe sjellje koherente, edhe shumë angazhuese, për të ndihmuar kurdët që luftojnë kundër fanatikëve islamikë, kundër Assadit, që nga njëra anë është aleat, por nga ana tjetër është një kasap që ka lënë të vdesë urie popullsinë e tij, ka vrarë dhjetëra-mijëra civilë.

Që me rastin e Greqisë e kemi parë paqartësinë e pabesueshme të linjës europiane, atë pluskimin e saj pakëz nevrotik mes rreptësisë dhe paqësimit. Dhe e vërteta është që mina e Greqisë po shpërthen, duke gërryer besimin e europianëve në monedhën dhe institucionet e tyre.

Por bishtnimi i tragjedisë së Mesdheut, zhytja në grindje nacionale dhe rivalitete territoriale – pa koordinuar që të enjten masat që duhen vënë menjëherë në zbatim, do të thotë rrezikim i kolapsit moral të një Europe të paaftë për të hapur gojën përballë emergjencave, duke pritur tragjedinë e radhës, si dhe do të ishte fundi i cdo lloj kredibiliteti të Europës. Dhe këtë herë faji nuk do të ishte i armiqve të zakonshëm. /CDS – Perkthimi: Bota.al

Leave a Reply

Back to top button