AnalizaHistori

Europa e bashkuar, nga “dhimbjet” e lindjes, deri në fundin e Luftës së Ftohtë

eur 1

Në këtë skenar kundërvënie dramatike mes blloqesh, figura karizmatike e Winston Churchillit shfaqet si një prej personaliteteve kryesorë, që kërkuan të stimulojnë një formë uniteti evropian. Në gusht të vitit 1946, kryeministri britanik kish mbajtur fjalimin e famshëm në Universitetin e Fultonit, në Misuri, në të cilin thoshte se “… kish rënë një perde e hekurt”, dhe blloku perëndimor nuk mund të injoronte këtë situatë. Pak javë më vonë, në 19 shtator, Churchill mbajti një tjetër fjalim të rëndësishëm në Universitetin e Zyrihut. Shtetet e Bashkuara të Evropës – kështu deklaroi burri i shtetit anglez – ishin një domosdoshmëri historike

Evropa që dilte nga Lufta e Dytë Botërore duhej të përballej me shumë probleme, i pari nga të cilët qe një rindërtim i thellë material dhe moral. Gabimet e pasluftës së Parë nuk duhej të përsëriteshin, ndasitë mes shteteve duhej të reduktoheshin në maksimum. Për të gjithë shtetet perëndimorë ishte e qartë se Gjermania e mundur duhej të përfshihej sa më shpejt në skenën ndërkombëtare. Natyrisht, probleme të rinj përvijoheshin në skenarin evropian dhe botëror, jo më i pakti “lufta e ftohtë,” e cila ishte duke e ndarë botën në dy blloqe që i kundërviheshin njëri-tjetrit, të udhëhequr nga SHBA dhe Bashkimi Sovjetik. Domosdoshmëria e një forme uniteti evropian qe tashmë shumë iminente, por ndërkohë strategjitë, madje mund të themi “pozicionet filozofikë” mbi atë çfarë duhej të ishin Shtetet e Bashkuara të Evropës, qenë të ndryshme. Eshtë folur tashmë për kontrastin mes federalistëve dhe konfederalistëve, ose thënë më mirë mes konstitucionalistëve dhe unionistëve (të parët promotorë të një kushtetute të re evropiane, të dytët më të prirur për një union liberal mes shteteve): nuk ka asnjë dyshim që nuk ishte e mundur (dhe nuk është as sot) të bëje pa entitetin shtetëror, konceptin e shtetit-komb. Në fundin e viteve dyzetë, pas një përplasjeje shumë të fortë mes kombeve dhe nacionalizmave, perspektiva e një reduktimi të pushtetit shtetëror ishte një hipotezë futuriste. Thelbësore për të kapërcyer impasin e krijuar nga ajo përplasje mes unionistëve dhe konstitucionalistëve, ka qenë puna e personazheve si Monnet, De Gasperi, Schuman dhe Adenauer. Forcat në kundërvënie ishin një e djathtë e prirur nga ide nacionaliste – kampion i padiskutueshëm i të cilës konsiderohet presidenti francez Charles de Gaulle – dhe lëvizja komuniste ndërkombëtare. Sa u përket këtyre të dytëve, edhe në dritën e zbulimeve të kohëve të fundit mbi marrëdhëniet e tyre të ngushta me Bashkimin Sovjetik, nuk mund të mos mendohej për një bashkim të fortë evropian, që ndoshta shihej si tym në sytë e kundërshtarit të madh moskovit. Solidariteti i partive të ndryshme komuniste me kishën ruse nuk mund të mos nënkuptonte një politikë obstruksionizmi kundrejt një bashkimi evropian aleat me SHBA. Lufta e Ftohtë kushtëzoi në mënyrë të pashmangshme projektin evropian.

eur 2

Në këtë skenar kundërvënie dramatike mes blloqesh, figura karizmatike e Winston Churchillit shfaqet si një prej personaliteteve kryesorë, që kërkuan të stimulojnë një formë uniteti evropian. Në gusht të vitit 1946, kryeministri britanik kish mbajtur fjalimin e famshëm në Universitetin e Fultonit, në Misuri, në të cilin thoshte se “… kish rënë një perde e hekurt”, dhe blloku perëndimor nuk mund të injoronte këtë situatë. Pak javë më vonë, në 19 shtator, Churchill mbajti një tjetër fjalim të rëndësishëm në Universitetin e Zyrihut. Shtetet e Bashkuara të Evropës – kështu deklaroi burri i shtetit anglez – ishin një domosdoshmëri historike. Etapa e parë e këtij revolucioni nistitucional duhj të ishte krijimi i një Këshilli të Evropës. Churchill aludonte për një Union mes shteteve që dëshironin të aderonin, nën udhëheqjen e Francës dhe Gjermanisë. Ky union – i parë si një garanci paqeje e prosperiteti në skenarin e ri ndërkombëtar – duhej megjithatë të konsideronte përjashtimin e Britanisë së Madhe.

Farën e kish hedhur tashmë një prej luanëve të mëdhenj të fitores së luftës së fundit. E pamundur të injorohej. Tre vjet më pas, në 17 mars 1948 nisën të vilen frutet e parë: “makina evropiane” ish vënë në lëvizje me firmosjen e Traktatit të Brukselit. Britania e Madhe, Franca, Belgjika, Luksemburgu dhe Vendet e Ulëta ranë dakord për një bashkëpunim politiko-ekonomiko-ushtarak. Mes prioriteteve kryesorë ishte padyshim ai i organizimit të rindërtimit të një raporti të ngushtë mes shteteve perëndimorë, nën kuadrin ekonomik të krijuar nga Plani Marshall. Në fakt në prill, vetë Sekretari i Shtetit i SHBA, Xhorxh Marshall u bë promotor teorik i organizatës së parë evropiane të pasluftës, që në 1961 mori emrin OCSE.

Në mars u organizua një tjetër kongres i rëndësishëm në Hagë, presidenca e të cilit iu besua Churchillit. Haga – ku u mblodhën figurat politike, industriale, udhëheqës sindikatash dhe intelektualë evropianë – ishte një rast i mirë për të vënë zyrtarisht përballë pozicionet e unionistëve dhe konstitucionalistëve. “Pjellë” e këtij Kongresi ishte Këshilli i Evropës, i cili lindi në 5 maj 1949. Një muaj më herët një tjetër organizatë, ushtarake dhe strategjike kish lindur: ishte NATO, në të cilën kishin aderuar thuajse të gjithë vendet e Evropës perëndimore bashkë me SHBA dhe Kanadanë. Këshilli i Evropës pranoi në gjirin e vet edhe shtete neutralë (Austria, Zvicra e Suedia) dhe vendosi si një prej objektivave parësorë një bashkëpunim më të ngushtë, për “të ruajtur dhe nxitur iealet dhe parimet që janë trashëgimi e përbashkët, si dhe për të favorizuar progresin e tyre ekonomik dhe social”, angazhimin për një Konventë evropiane të të drejtave të njeriut, si dhe realizimin e një qendre evropiane të kulturës. Në 10 maj, Ansamblea e Këshillit të Evropës mbajti mbledhjen e parë në Strasburg.
Në këtë evolucion dukshëm të shpejtë, nuk mund të mos merren parasysh dy erëra “kushtëzuese”, siç ishin grushti i shtetit në Cekoslovaki, vepër e komunistëve të mbështetur nga Moska dhe bllokada e Berlinit nga ana e BRSS. Kolosi sovjetik kallte frikë. Emergjencat ishin një bazë e mirë zhvillimi për idetë konstitucionaliste dhe federaliste evropiane. Kundërvënia ndaj bllokut sovjetik kërkonte sigurisht një bashkëpunim të fortë mes shteteve, por në të njëjtën kohë nuk mund të dobësohej shteti si entitet. Kështu që, nisi t’i hapet rrugë një politike minimaliste, e ndërtuar me hapa të vegjël e konkretë, më shumë se sa fortësisht utopiste. Hapi i parë, thelbësor u hodh në Francë. Në fakt i dedikohet pikërisht veprës së Zhan Monesë projekti për një komunitet të përbashkët të qymyrit dhe çelikut. Pasi u konstatua opinioni i favorshëm i aleatit amerikan për një riafrim total të Gjermanisë Perëndimore, hipoteza e një riarmatimi gjerman dhe një pajtimi tërësor mes Gjermanisë dhe Francës nuk mund të mos kalonte nga një marrëveshje në fushën e burimeve energjetike (nyja antike e Ruhr dhe Saar). Propozimi i Monesë gjeti një aleat tek Ministri i Jashtëm francez, Robert Schuman i cili në maj 1950, në një konferencë shtypi shpalli idenë për të vendosur prodhimin franko-gjerman të qymyrit dhe çelikut nën një autoritet të përbashkët. Bëhej fjalë për një projekt teknik që mori emrin Deklarata Schuman dhe me të cilin, në fjalët e realizuesit të tij, “çdo lloj lufte mes Francës dhe Gjermanisë bëhet jo vetëm e paimagjinueshme, por materialisht e pamundur”. Pasoja e menjëhershme e këtij projekti është “filozofike”: që nga ky moment e tutje, kur një çështje e caktuar ndan disa shtete evropianë, zgjidhja e saj duhet të vijë jo nga marrëveshje dypalëshe, por nga krijimi i institucioneve të përbashkët me mjete të interesit të përgjithshëm. Nuk kish më marrëveshje ndërqeveritare, por “komunitare”.

Tashmë ish mbjellë fidani i parë i Komunitetit Evropian. Një tjetër aspekt thelbësor ishin modalitetet e hyrjes në këtë projekt: Komuniteti nuk lindi nga një akord unanim i të gjithë shteteve perëndimorë, por do të pranonte gradualisht të gjithë ata që ndërkohë do të donin të integroheshin. Një qasje pragmatiste ajo e Schuman, i cili kish kapërcyer polemikat e vazhdueshme mes unionistëve dhe konstitucionalistëve. Në të njëjtën kohë, në 24 tetor kryeministri francez Rene Pleven mori një nismë në fushën e mbrojtjes: lindi Komuniteti Evropian i Mbrojtjes. Projekti që parashikonte riarmatimin e Gjermanisë dhe angazhimin aktiv të saj qe i destinuar të dështonte, pavarësisht mbështetjes prej Ansamblesë së KE.

Në 30 gusht 1954, ishte paradoksalisht pikërisht Ansamblea Kombëtare franceze, që duke reflektuar skepticizmin e forcave politike franceze, bojkotoi ratifikimin. Në dështimin e KEM nuk mund të mos konsiderosh rëndësinë e një situate të re politike ndërkombëtare dhe kombëtare franceze. Në 1953, u duk se vdekja e Stalinit do të shkaktonte një përmirësim të marrëdhënieve mes Lindjes dhe Perëndimit. Kësaj iu shtua pastabiliteti politik i republikës IV franceze, kushtëzuar nga sjellja e kryeministrit Mendes France, krejt pasiv në debatin evropian si dhe shumë pak luftarak sa piërket kundërshtimit të golistëve dhe komunistëve ndaj projektit mbrojtës superkombëtar. Në 18 prill 1951, në Paris u firmos traktati themelues i KEQC.

Institucioni do të udhëhiqej nga një autoritet mbikombëtar, nga një Këshill Ministrash i përbërë nga përfaqësues të qeverive të shteteve anëtarë dhe nga një ansamble parlamenare. Raporti mes Autoritetit të Lartë dhe këshillit të Ministrave erdhi pas një komprimisi të shkëlqyer mes dy vizioneve federalist dhe konfederalist. Nga ky komunitet do të lindte Evropa e të Gjashtëve (Bel- gjika, Franca, Italia, Lluksemburgu, Vendet e Ulët, Gjermania Perëndimore).

Vitet pesëdhjetë ishin një periudhë plot avantazhe për progresin e idesë europeiste, shumë më tepër se sa dekada pasardhëse. Pas suksesit të komunitetit, Evropa drejtohej tashmë për nga krijimi i institucioneve të tjerë të ekuilibruar, sa u përket dy parimeve të ndryshëm europeistë.

“Memorandumi Spaak” (që mori emrin e politikanit belg Paul Henri Spaak) në 1955 u bë baza e projektit të ri të Evropës, si dhe paralajmëroi krijimin e dy komuniteteve: i pari, tregu i përbashkët që përfshinte heqjen e pengesave dhe tarifave doganore, adoptimin e politikave të përbashkëta tregtare si dhe “lëvizjen e lirë të punëtorëve, mallrave dhe kapitalit”; i dyti kish të bënte me zhvillimin e energjisë bërthamore për qëllime paqësore. Ky propozim u bë bazë e diskutimeve në dyvjeçarin që pasoi.

Në pranverën e vitit 1956, Këshilli i Ministrave aprovoi raportin e Komisionit Spaak dhe nisën kështu në Bruksel negociatat për krijimin e CEE dhe EURATOM. Në këtë fragment historik duhet të konsiderohen disa ngjarje që pa asnjë dyshim kontribuan në ndryshimin e klimës së gjendjes së krijuar pas dështimit të KEM për shak të Francës: mbi të gjitha evolucioni i partisë socialdemokrate gjermane, udhëhequr nga sekretari Ollenhauer, drejt pozicioneve europeistë, faktor që do t’i zgjidhte duart politikës së kryeministrit Adenauer; në vijim, humbja e golistëve (kundërshtarë të Evropës) në zgjedhjet e janarit 1956, që sollën lindjen e një qeverie franceze më favorizuese për diskursin europeist. Kriza e Kanalit të Suezit në Egjipt dhe ndërhyrja e armatosur sovjetike në Hungari në të njëjtin vit, ishin më pas nxitëset vendimtare për “hedhjen me kokë” në projektin europeist. Suezi i kish vënë përballë një realiteti të ashpër francezët dhe anglezët: ekuilibrat e dy blloqeve të kundërvënë mes superfqive impononin një pax ruso- amerikan.

Kriza energjetike që pasoi ngjarjet e Suezit, si dhe presionet sovjetike e amerikane për të detyruar parashutistët anglo-francezë që të hiqnin dorë nga projekti i ndërhyrjes kundër Egjiptit kishin shtrënguar shtetet evropianë që të mendonin si të mundur, të paktën në terma afatgjatë, mundësinë e një sistemi të përbashkët të mbrojtjes. I cili, duke menduar ngarjet e Budapestit bëhej i domsodoshëm: imperializmi sovjetik qe një rrezik konstant. Në 25 mars 1957, në Romë, qeveritë e Gjashtëshes firmosën dy traktate të rinj evropianë, që i dhanë jetë CEE dhe Euratomit. 7 vjet më vonë, në prill 1965 një “traktat bashkimi” do të sanksiononte unifikimin e CEE, CECA dhe EURATOM.

Në mars të vitit 1958, do të mblidhej për herë të parë Ansambleja Parlamentare e përbërë nga 142 delegatë që vinin nga parlamentet respektivë kombëtarë dhe që kryesohej nga Robert Schuman. Konsolidimi i Komunitetit Evropian do të ndodhte në 30 vitet që do të pasonin, gjithnjë me hapa të vegjël. Mbi të gjitha do të rregjistrohej zgjerimi në të gjithë shtetet e Evropës perëndimore.

Fillimisht, Komuniteti i sapolindur duhej të përballej me mosbesimin e Britanisë së Madhe, gjithmonë kulturalisht hezituese për të patur raporte shumë të ngushtë me kontinentin. Ndërsa Shtetet e Bashkuara u demonstruan që në fillim mbështetëse të forta të forcimit të Evropës në funksion antisovjetik. Vitet pesëdhjetë u mbyllën me iniciativën e disa shteteve evropianë për krijimin e një zone të shkëmbimit të lirë rajonal, organizim që më vonë do të merrte emrin EFTA.

Vitet gjashtëdhjetë premtonin të ishin vite ngjitjeje në ndërtimin e kështjellës evropiane. Në 1958, Charles de Gaulle qe kthyer në pushtet në Francë; ndonëse tashmë qe i prirur për një evolucion në drejtimin evropian, gjenerali karizmatik ndoqi gjithmonë një kurs të matur të afrimit me Evropën. Mosbesimi i de Gaulle, njeri i lidhur për shkak të formimit kulturor dhe breznor, me ekuilibrat e vjetër gjeostrategjikë të një bote tashmë në perëndim, shkonin kundër rivalit të përhershëm, Britanisë së Madhe. Natyrisht, ndikimi politik i Londrës mbi kontinentin nuk shihej me sy të mirë nga Parisi. Që nga viti 1961, qeveria konservatore angleze e drejtuar nga Harold MekMillan demonstroi një prirje të papritur drejt Komunitetit Evropian. Raportet preferencialë të Londrës me vendet e Komonuelthit e kushtëzonin diskutimin, sepse Londra do të donte të kish nga Evropa një trajtim të ngjashëm (dhe domethënë preferencial).

Ndërkohë, politika goliste i kundërvihej gjithmonë me vendosmëri çdo lloj hipoteze mbikombëtare. Koncepti i qeverisë franceze bazohej në bashkëpunimin e privilegjuar, por francezët ishin shumë mosbesues ndaj krijimit të institucioneve evropianë. Plani Fushe, nxitur nga Franca, i cili nuk është veçse reflektimi i këtij vizioni politik, vë theksin në një bashkëpunim me bazë ndërqeveritare. Plani dhe strategjitë franceze nuk u pritën mirë në Washington, ku presidenti Kenedi u shpreh qartësisht në favor të unitetit evropian pa hezitim, për të krijuar një “partneritet mes të barabartësh” mes Evropës dhe SHBA, një tjetër shtyllë të aleancës së Atlantikut të veriut. De Goli shihte në këto lëvizje amerikane dhe në raportin preferencial mes Washingtonit dhe Londrës, rreziqe autentikë ndaj pavarësisë evropiane, e si pasojë edhe franceze. De Gol do t’i kundërvihej gjithmonë hyrjes së Britanisë me të drejta të plota të KE. Në fillim të viteve gjashtëdhjetë, gjenerali ndoqi një politikë afrimi me Gjermaninë për të ritheksuar rëndësinë e raporteve ndërqeveritarë, por vendosmëria e Bundestagut që konfirmoi besnikërinë ndaj NATO dhe CEE, do të sanksiononte fundin e kësaj politike të bazuar vetëm mbi shtetet. Vitet e fundit të krenarisë së Parisit do të ishin braktisja e komandës së integruar të NATO, në maj 1966 dhe politika e “karrikes bosh” në Këshillin e Ministrave evropianë, pas vendimeve të kompromisit të Luksemburgut të janarit 1966. Ky kompromis thoshte që, përballë përplasjeve ndërkombëtare duhej të kërkohej gjithësesi një konsensus i përbashkët, më pak i dhimbshmi i mundshëm, për shtetet. Në fakt Franca ishte për ndjekjen e interesave kombëtare. De Gol u largua nga pushteti në vitin 1969. Fundi i viteve gjashtëdhjetë pa një ngritje të madhe morale të komunitetit.

Presidenca e re franceze e Zhorzh Pompidusë rezultoi diametralisht e kundërt me atë të De Golit. Propozimi i parë i Parisit qe në fakt mbledhja e menjëhershme e një samiti evropian. Kështu që, në 1 dhe 2 dhjetor u mblodh në Hagë një samit që vendosi disa objektiva thelbësorë: zgjerimin e KEE, përcaktimin e një unioni monetar dhe ekonomik, si dhe rihedhjen e hipotezës së unifikimit politik. Ishte praktikisht strategjia që do të çonte drejt Maastrichtit.

Në vitin 1973, Mbretëria e Bashkuar hyri përfundimisht në Komunitetin Evropian: referendumi i organizuar nga kryeministri laburist Harold Wilson sanksionoi fitoren e PO-së së hyrjes me 67.2 përqind të votave. Tashmë, KEE mund të synonte zgjerimin drejt jugut. Rruga drejt Maastrichtit u shtrua prej Raportit Verner: në vitin 190, ai vuri theksin në rëndësinë e një tregu të përbashkët evropian, që do të kish në themel bashkimin monetar. Futja e një monedhe të përbashkët do të kërkonte krijimin e një organi qendror mbikombëtar, për të marrë vendime si dhe bashkërenduar politikat ekonomike të shteteve të ndryshëm. Plani fiksoi edhe një kalendar që sanksiononte krijimin e bashkimit monetar në vitin 1980. Por kriza ekonomike dhe energjetike e vitit 1973 e vonoi këtë projekt.

Në vitet që pasuan, Franca dhe Gjermania nxitën për krijimin e një sistemi monetar evropian, që do të bazohej në një monedhë referuese të quajtur ECU. Këshilli i Brukselit në dhjetor 1978 do të sanksiononte fitoren e kësaj ideje. Në mars 1979 u krijua kështu sistemi monetar evropian. Në 7 dhe 10 qershor të të njëjtit vit, u zhvilluan të parat zgjedhje me të drejtë vote universale për në parlamentin evropian, që do të mblidhej në korrik në Strasburg. Tashmë, fitorja e federalistëve dukej e sigurtë. Por, në fillimin e viteve tetëdhjetë, do të shfaqeshin pengesa të reja në horizont.

Zhak Delor, president i komisionit europian nga 1985 deri në 1995 dhe Margaret Theçer, “zonja e hekurt” e qeverisë britanike, një euroskeptike e deklaruar, përfaqësuan dy këndvështrime kundërvënës në zhvillimin e ri europian. Ngadalësimi i marshimit drejt evropës përfundoi me krizën e euroraketave, një prej më të rëndave në kohën e Bllokut të Berlinit. Në vitin 1979, sovjetikët kishin pushtuar Afganistanin, duke hyrë kështu në Vietnamin e tyre personal, dhe tashmë i kishin drejtuar raketat e tyre SS-20 për nga kryeqytetet perëndimorë. Në Poloni, gjenerali Jaruzelski vuri në jetë një grusht shteti. Ftohja Lindje-Perëndim solli edhe një herë një solidaritet perëndimor. Qeveritë që erdhën në pushtet në Evropë do të ishin të gjitha, përveç asaj britanike, haptas europeiste (Miteran në Francë, Kol në Gjermani dhe Gonzales në Spanjë).

Në sallën e parlamentit evropian do të rezultonte shumë i rëndësishëm aktiviteti i Alterio Spinelit, federalist italian i orës së parë, i cili do të përpiqej fort për redaktimin e një projekt traktati që do të sillte në jetë Bashkimin Evropian. Në këtë optikë, parlamenti evropian fitoi rëndësi të re. Në shkurt 1986 u firmos Akti Unik, frut i një konference ndërqeveritare në vitet e mëparshëm. Akti Unik është praktikisht një reformim i Traktatit të Romës në 1987: ai synonte shkathësimin e procesit vendimarrës brenda KE. Akti Unik parashikonte heqjen deri në 1992 të kufijve tregtarë e profesionalë brenda vendeve anëtarë të KE. Akti Unik, ndonëse një moment i rëndësishëm historik në procesin e bashkimit të Evropës, nuk u kursye nga kritikat, mbi të gjitha nga ana e federalistëve si vetë Spineli (“u mbars mali e polli një mi”).

Forcat konservatore të vendeve të ndryshëm akuzonin këtë projekt evropian si një burokratizim të tepërt: në fundin e viteve tetëdhjetë nuk dukeshin të pakët euroskeptikët, të cilët druheshin se Evropa do të shndërrohej në një monstër burokratike larg interesave lokale. Ndërkohë, forcat e ashtuquajtura progresiste, nga ana e rye, shihnin në Evropën që po lindte në teatër operacionesh liberiste.

Ndërkohë, zgjerimi i projektit evropian përfshiu edhe shtete të tjerë. Në 15 shkurt 1991, Cekosllovakia, Polonia dhe Hungaria firmosën një marëveshje bashkëpunimi që përfaqësonte të parin integrim rajonal që nga fundi i regjimeve komunistë në lindje. Në 21 shkurt, Cekosllovakia u bë vendi i 25 anëtar i Këshillit të Evropës. Në 19 qershor, Shqipëria mori pjesë në Konferencën për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Evropian. Nuk ka asnjë dyshim që rëna e regjimeve komunistë në Evropën lindore në 1989 kish sjellë një ndryshim të tellë në skenarin ndërkombëtar. Në 9 nëntor 1989, bashkë me murin famëkeq të Berlinit, ranë edhe të gjithë strategjitë europeiste që konsideronin si terren veprimi vetëm Evropën Perëndimore. Në këtë moment erdhi edhe triumfi i Helmut Kohlit: bashkimi i dy Gjermanive. Një projekt ky që, në atë moment haste më shumë pengesa tek aleaët perëndimorë (e pavdekshme batuta e Xhulio Andreotit: “E dua kaq shumë Gjermaninë, sa dua dy të tilla”), se sa tek Moska e Gorbacovit.

80 milionë gjermanë të bashkuar shkaktonin frikë, Gjermania po shndërrohej në kombin në të fuqishëm të kontinentit, nga pikëpamja demografike e mbi të gjitha ekonomike. Kohli po sforcohej gjithmonë për të siguruar aleaët, mbi të gjitha Francën. Në marshimin drejt Maastrichtit do të kish kohë edhe për një projekt në fushën e mbrojtjes mes Gjermanisë dhe Francës: në tetor 1991, Miterandi dhe Kohli u propozuan aleatëve evropianë një përforcim të UEO, si “pjesë integrale e procesit të bashkimit evropian”, natyrshëm pa kompromentuar raportet brenda aleancës atlantike, që mbetej prioritet.

Një Gjermani e re fitoi kështu në pak kohë të drejtat antike politike, territoriale dhe ushtarake dhe nisi kështu një politikë zgjerimi të KE drejt lindjes. 1991- vit historik, mbi të gjitha për shembjen e Bashkimit Sovjetik – u mbyll me Këshillin Evropian të Maastrichtit në Holandë. Samiti i të gjithë vendeve anëtarë të KE u mbyll me firmosjen e Traktatit të Unionit. Kjo marrëveshje (300 nene, 17 protokolle, 36 deklarata) që duhej ratifikuar nga parlamentete 12 vendeve parashikonte futjen e një monedhe të përbashkët deri në 1999. Përtej këtij hapi historik, Maastrichti paralajmëronte krijimin e një banke të përbashkët të komunitetit evropian si dhe realizimin e një politike të përbashkët të jashtme dhe të mbrojtjes. Marrëveshje të rëndësishme do të arriheshin edhe në fushën fiskale e tregtare. Pas Aktit Unik, mbi të gjitha pas Maastrichtit, strategjia e hapave të vegjël dhe kompromisit qe ezauruar. Madje, me adoptimin e monedhës së përbashkët dhe një strategie të përbashkët të mbrojtjes, Maastrichti ishte tashmë një hap vendimtar në vizionin mbikombëtar. Evropa kaloi kështu nga një komunitet, në një Union.

Shqipëroi:Bota.al

Leave a Reply

Back to top button