Analiza

KOMENT / John Locke dhe David Hume “garojnë” për BE-në

john locke david humeIAN BURUMA*

Sipas sondazheve të fundit, në zgjedhjet europiane të fundit të këtij muaji do të rriten shumë partitë populiste të të djathtës, të cilat i bashkon kundërshtimi ndaj Bashkimit Europian, si dhe do të afirmohen veçanërisht Fronti Nacional francez, Partia për Lirinë e vendeve të ulët dhe UKIP britanik. Edhe pse e djathta euroskeptike nuk do të sigurojë maksimumin e vendeve në parlamentin e ri, forca e saj kolektive dobëson kauzën e Bashkimit Europian. Si ka mundësi që një projekt i cili lindi të nesërmen e Luftës së Dytë Botërore, sot has në një rezistencë të tillë?

Suksesi i populizmit të të djathtës në Europë nuk përfaqëson vetëm një reagim ndaj BE, por ndërfutet në një valë protetash kundër elitave të të majtës liberale, që konsiderohen përgjegjëse për shumë prej problemeve: imigrimin, pasigurinë e ekonomisë, ekstremizmin islamik dhe supremacinë e supozuar të “eurokracisë” në Bruksel. Ashtu si mbështetësit e Tea Party në Shtetet e Bashkuara, disa europianë mendojnë që vendet e tyre janë dobësuar. Njerëzit ndihen politikisht të pafuqishëm dhe janë të bindur që, vetëm sikur të riktheheshim të zotët e shtëpisë sonë, gjërat do të shkonin për mirë.

Të nesërmen e katastrofës së dy luftërave botërore, nga 1945 e këtej kristiandemokratët dhe socialdemokratët kishin ndarë idealin e një Europe paqësore dhe të bashkuar, që do të zëvendësonte gradualisht nacionalizmin, me solidaritetin mes kombeve.

Një ideal i tillë filloi të dobësohet seriozisht në vitet nëntëdhjetë, kur rënia e perandorisë sovjetike diskreditoi jo vetëm socializmin, por pothuajse çdo formë të idealizmit kolektiv. Atëherë, neo-liberalizmi filloi të mbushë boshllëkun ideologjik. Po gjatë atyre viteve, në qytetet europianë nisën të vendosen një numër gjithnjë e më i madh imigrantësh, që shpesh herë vinin nga vende myslimanë, me pasojë rritjen e tensioneve socialë, ndaj të cilëve partitë kryesore politike nuk ishin në gjendje të reagonin siç duhej.

Në atë klimë të frikshme, mes rënies ekonomike dhe akteve sporadikë të terrorizmit, paralajmërimet e atyre që bënin thirrje për të bërë kujdes nga racizmi dhe ksenofobia nuk bindnin më. Ja përse demagogët populistë që premtonin të mbronin qytetërimin perëndimor nga myslimanët, duke iu kundërvënë Brukselit dhe rimarrë vendet respektivë duke ua hequr nga duart elitave të majta, janë duke gëzuar një sukses të tillë.

Megjithatë ky reagim sigurisht që nuk do i ndihmojë shtetet europianë të lulëzojnë: për të konkurruar me fuqitë në rritje të kontinenteve të tjerë, një politikë e jashtme dhe mbrojtjeje e përbashkët në nivel europian do të jenë gjithnjë e më të rëndësishme. Dhe një monedhë e përbashkët kërkon institucione financiarë të përbashkët. Për të arritur këtë, europianët duhet të rigjejnë sensin e tyre të solidaritetit.

Si mund ta gjejnë? Si mund të binden europianët e veriut që janë relativisht të pasur, për faktin që të ardhurat nga taksat e tyre duhet të përdoren për të ndihmuar europianët e jugut? Mund të bëhet vetëm në praninë e një sensi të përbashkët përkatësie – që në të shumtën e rasteve, fatkeqësisht lëvizjet pan-nacionale kanë treguar se nuk munden ta nxisin.

Themeluesit e institucioneve paneuropianë vinin në pjesën më të madhe nga vende katolikë, si Robert Schumani, Konrad Adenaueri dhe Jean Monnet. Dhe duke qenë se kishin gjetur tashmë një sens përkatësie në Kishën romane, që shpesh herë përkonte me idenë e Europës, katolikët janë më të prirur për paneuropeizmin se sa protestantët. Megjithatë nuk mund të jetë ky modeli i Europës – qytetarët e të cilës përqafojnë çdo besim fetar, ose asnjërin. Një përgjigje për Europën nuk mund të gjendet as tek solidariteti etnik që Vladimir Putini po përpiqet ta nxisë mes rusëve të ish perandorisë sovjetike.

Disa europianë, si ish-kryeministri belg Guy Verhofstadt, planifikojnë një komunitet kulturor të përbashkët: Verhofstadt flet në fakt për dashurinë e tij për verën franceze, operën gjermane dhe letërsinë angleze apo italiane. Ideja, sado ngazëllyese, është e pamjaftueshme.

Mbetet vetëm një zgjidhje, përfaqësimi nga një lloj kontrate sociale: qytetarët europianë nuk duhet të shtyhen që të heqin dorë nga një pjesë e sovranitetit kombëtar për arsye fetare, kulturore apo etnike. U duhet kërkuar atyre që të destinojnë një pjesë të taksave të tyre për vende të tjerë. Duhet të binden për faktin që bëhet fjalë për gjëra që përkojnë me interesin e tyre.

Politikanët e secilit vend duhet t’u shpjegojnë qytetarëve të tyre se disa probleme mund të zgjidhen vetëm përmes institucioneve paneuropiane. A do të binden? Pyetja të kujton debatet e vjetër të epokës së të iluminuarve, kur kontrata sociale e John Lockes, bazuar mbi një interpretim të iluminuar të interesit personal, vihej përballë idesë së David Humes, sipas të cilit paragjykimet kulturorë dhe traditat përfaqësojnë marrëdhënien bazë të një komuniteti.

Unë simpatizoj të parin, por historia ka treguar që i dyti mund të joshë më shumë. Por historia ka treguar gjithashtu që ndonjëherë traditat shpiken nga hici, për interesa të klasave drejtuese. Problemi i bashkimit të Europës qëndron në faktin që është nxitur gjithmonë prej një elite politike dhe burokratike. Njerëzit e zakonshëm rrallëherë konsultoheshin. Ja pra, përse po fitojnë populistët.

* Shkrimtar dhe akademik holandez

 

Leave a Reply

Back to top button