Ekonomi

EUROPE / Ekipi i ëndrrave franko-gjerman

Kemal Derviş*

Rënia e besimit është një problem i mbarë eurozonës, por marrëdhënia franko-gjermane qëndron në zemër të tij. Dhe siç e ka treguar eksperienca, Gjermania dhe Franca mund të kenë një impakt të madh kur punojnë bashkë. Pikërisht fuqinë e kësaj marrëdhënieje përfaqëson nisma Pisani-Ferry/Enderlein. Me një mbështetje politike të mjaftueshme, është ajo që do të mund të rigjallëronte Europën

merkeli e vallsiKur Fondi Monetar Ndërkombëtar uli parashikimin e tij për rritjen ekonomike globale për 2014-ën dhe 2015, respektivisht nga 3.7% dhe 3.9%, në 3.3% dhe 3.8%, ai përmendte perspektivën gjithnjë e më të zymtë të eurozonës, duke përfshirë rritjen më të ulët ekonomike në Gjermani, si shkakun kryesor. Në fund të fundit, eurozona vazhdon të ketë 13% të prodhimit botëror me çmimet e tregut – pothuajse aq sa Kina.
Problemet ekonomikë të Europës reflektohen në situatën e saj politike, ku një pjesë e mirë e elektoratëve europianë kanë rënë tashmë në batakun e një mungese të shpresës dhe po rrëshkasin drejt ekstremeve ideologjikë. Por një raport që pritet të dalë, me autorë dy ekonomistë shumë të respektuar – Jean Pisani-Ferry, Komisioneri i Përgjithshëm për Planifikimin e Politikave i qeverisë franceze dhe Henrik Enderlein, një udhëheqës i rëndësishëm i një grupi ekonomistësh reformatorë gjermanë – do të propozojë një rrugë për të ecur përpara.
Detyra e Pisani-Ferryt dhe Enderleinit është që të krijojnë një strategji të re reformash për dy ekonomitë më të mëdha të Europës, duke u fokusuar në reformat strukturore në Francë dhe rritjen e investimeve në Gjermani. Shpresa është që raporti, i cili do të publikohet në 1 dhjetor, do të ofrojë një pikë kthese që do të mund të rivërë në lëvizje, më në fund, motorrin e rritjes ekonomike të eurozonës.
Studimi u porosit disa ditë pas takimit të përvitshëm të FMN muajin që kaloi, gjatë një takimi të ministrave francezë të financave dhe ekonomisë, Michel Sapin dhe Emmanuel Macron, dhe homologëve të tyre gjermanë, Volfgang Schauble dhe Sigmar Gabriel. Ndonëse nga takimi nuk dolën me një plan konkret politikash – siç shkruante e përditshmja “Le Monde”, “asgjë nuk u kërkua dhe asgjë nuk u mor” – ai mund të shënojë fillimin e një bashkëpunimi më efektiv franko-gjerman, me udhërrëfyes raportin Pisani-Ferry/Enderlein.
Një bashkëpunim i tillë nuk mund të vinte në një kohë më të mirë. Disa javë pasi filloi projekti, Franca dhe Italia paraqitën buxhete vjetorë të rishikuar në Komisionin Europian, në të cilin kërkonin më shumë hapësirë fiskale manovrimi. Tani, Komisioni ka kohë deri në fund të muajit për të vendosur nëse Franca i ka zbatuar me përpikmëri reformat, për të shmangur penalitetet e shkeljes së betimit të uljes së defiçitit buxhetor në më pak se 3% të GDP-së, deri vitin e ardhshëm.
Një strategji efikase reformash do të kërkonte një ekuilibrim të nevojës për kufizim buxhetor dhe qëndrueshmëri makroekonomike, me politikat që synojnë nxitjen e rritjes ekonomike. Kur vjen fjala tek këto të fundit, propozimiet e Presidentit të Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, i bërë në gusht – lehtësim sasior, reforma strukturore (sidomos në Francë dhe Itali) dhe një farë ekspansioni fiskal nga vende si Gjermania – ofron një kuadër të dobishëm që duhet plotësuar me masa konkrete.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës Qendrore Europiane ka rënë dakord tashmë, në parim, për të përdorur të parën e këtyre politikave. Por vetëm ekspansioni monetar nuk do të ishte i mjaftueshëm për të nxjerrë eurozonën nga stanjacioni.
Po kështu, shumë prej reformave strukturore që po shqyrtohen apo implementohen aktualisht, pavarësisht se në terma kohëgjatë e rrisin rritjen ekonomike, mund të kenë efekte kontradiktorë kohëshkurtër. Kjo është veçanërisht e vërtetë për një fleksibilitet më të lartë të tregut të punës, një aset kyç ky për rritjen ekonomike kohëgjatë, që mund të shkaktojë një rritje kohëshkurtër të papunësisë.
Për këtë arsye, një qëndrim fiskal më ekspansionist është gjithashtu jetik, teksa Gjermania duhet të udhëheqë në rritjen e investimeve publikë për të përfshirë investimet privatë dhe rritur konkurueshmërinë. Raporti i fundit i FMN përshkruan suksesin e kësaj qasjeje në mjedise recesionistë.
Duke parë që Gjermania e madje edhe Franca munden që të marrin hua me norma interesi të ulëta, në nivele rekord madje, çdo plan investimesh i hartuar në mënyrë të arsyeshme do të forcojë bilancin e sektorit publik. Dhe me eurozonën që aktualisht ka një tepricë prej 350 miliardë dollarë në llogaritë rrjedhëse – që rënia e Euros kohët e fundit do e rrisë më shumë – nuk ka rrezik për një krizë të bilancit të pagesave në mbarë eurozonën.
Celësi këtu është besimi. Gjermania duhet të besojë se dakordësia e saj për të liruar disi rripin fiskal të eurozonës nuk do të sjellë një ngadalësim të reformave strukturore, dhe vendet si Franca duhet ta dinë se kursimi i tepruar nuk do ta përkeqësojë impaktin e reformave strukturore të vështira politikisht.
Në këtë kuptim, mbështetja politike nga nivelet e lartë, e shprehur në një mënyrë që të marrë mbështetjen e qytetarëve të Europës, do të jetë shumë e rëndësishme. Gabriel dhe Macron duhet të udhëheqin përpjekjen, të mbështetur nga Sapin dhe Schauble. Edhe kancelarja Merkel dhe kryeministri Valls duhet të ndërhyjnë për t’i dhënë mbështetje projektit.
Rënia e besimit është një problem i mbarë eurozonës, por marrëdhënia franko-gjermane qëndron në zemër të tij. Dhe siç e ka treguar eksperienca, Gjermania dhe Franca mund të kenë një impakt të madh kur punojnë bashkë. Pikërisht fuqinë e kësaj marrëdhënieje përfaqëson nisma Pisani-Ferry/Enderlein. Me një mbështetje politike të mjaftueshme, është ajo që do të mund të rigjallëronte Europën. /Kemal Derviş, ish Ministër i Punëve Ekonomike i Turqisë dhe ish Administrator i UNDP. Aktualisht është Zëvendëspresident i Institutit Brtookings/.

Project Syndicate

Bota.al, prej dates 12/11/2014, eshte partner i Project Syndicate per Shqiperine dhe ka te drejten e botimit ne gjuhen shqipe te ketij komenti.

Leave a Reply

Back to top button