Analiza

Europë, lufta e frutit të ndaluar

poloni frutaNdërkohë që Europa dhe Rusia “godasin” njëra-tjetrën me sanksione, efektive apo vetëm kërcënime me zë të lartë, në Poloni paralajmërohen që tani pasojat e para negative të kundërmasave që ka marrë Moska. Për shembull, në fillim të gushtit ka hyrë në fuqi ndalimi i importimit në Rusi të frutave dhe perimeve me prejardhje nga Polonia. Arsyeja zyrtare është që produktet nuk u përgjigjen standarteve sanitarë rusë, por klima e tensionit mes dy vendeve lë të kuptohet që arsyet janë krejt politike. Dhe me shumë pasoja ekonomike. Qeveria polake, përmes Ministrit të saj të Bujqësisë, Marek Savicki ka paralajmëruar madje mundësinë që t’i kërkojë BE-së kompensim ekonomik për fshatarët e vet. Shifra, sipas disa burimeve, mund të vërtitet tek 500 milionë Eurot.
Në vitin 2013, Polonia ka eksportuar në Rusi 804 mijë tonelata fruta dhe perime, për një vlerë afro 366 milionë Euro. Por zëdhënësi i Komisionit Europian, Frederic Vincent ka bërë të ditur se mekanizmi i kompensimit nuk do të jetë automatik. Polonia ankohet se për momentin është i vetmi vend europian që vuan prej krizës me Moskën, duke nënvizuar megjithatë që, nëse kundërmasat e Moskës ndaj sanksioneve europianë do të përfshijnë edhe sektorin energjetik, vendi nuk do të gjendet i papërgatitur. “Rusia ka nevojë të shesë energjinë e vet, më shumë nga sa keminevojë ne ta blejmë”, ka deklaruar ministri i Jashtëm, Radoslav Sikorski, “por nëse do të mbylë rubinetat, do të drejtohemi tek furnizues të tjerë, si Norvegjia apo Afrika Veriore”. Megjithatë, nyja mbetet klima e pasigurisë së thellë që mbretëron në Poloni, që nga momenti i aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë, një ngjarje që në Varshavë është parë si shenjë e një ekspansionizmi të ri rus.

Leave a Reply

Back to top button