Analiza

EUROPE / Në mesin e krizës, tentakulat e mafias shtrihen në gjithë kontinentin

Jim Yardley

Bizneset e vegjël ishin të përhapur në të gjithë kryeqytetin italian: Një restorant ishte vetëm disa pallate larg nga Senati i Italisë. Një kafene ishte ngjitur me lagjen e diplomatëve, ndërkohë që një dyqan akulloresh ishte pranë Pantheonit. Ishte dhe një hotel madje, jo shumë larg nga statujaeurope mafia në majë të kodrës e Giuseppe Garibaldit, heroit të bashkimit të Italisë.

Në Romë, një qytet ku qeveria dhe turizmi janë motorrët e ekonomisë lokale, këta biznese ngjanin si tipikë vendas, deri kur një operacion policor i ekspozoi si fasada për pastrimin e parave të organizatave mafioze me qendër në Italinë e jugut. Vetëm në janar dhe shkurt, zyrtarët italianë konfiskuan 51 milionë Euro në prona të mafias si dhe asete të tjerë në Romë, duke ofruar kështu një vështrim të shpejtë të interesave të ligjshëm të biznesit që klanet jugorë kontrollojnë në kryeqytet.

Operacioni në Romë ekspozoi vetëm një qoshe të vogël të asaj që zyrtarët e përshkruajnë si ekonomia e mafias, dhe që është zgjeruar me shpejtësi në të gjithë Europën. Në këto kohë kursimesh dhe masash shtrënguese, me Italinë të zhytur në borxhe dhe në përpjekje për t’u rimëkëmbur, grupet e krimit të organizuar flejnë mbi male me para. Ata kanë shfrytëzuar krizën ekonomike për të përshpejtuar infiltrimin e tyre në biznese të ligjshëm jashtë bastioneve të tyre në Italinë e jugut, dhe tani kontrollojnë interesa tregtarë në Romë dhe Milano, ashtu sikurse dhe në Spanjë, Skoci, Gjermani, Francë, Holandë dhe më tej.

“Për njëzetë vitet e fundit, ata kanë patur shumë likuiditete”, thotë Michele Prestipino, prokurori antimafia i cili mbikëqyri operacionet e fundit të konfiskimeve. “Sot, ky është problem. Ata akanë shumë para. Nuk munden t’i investojnë të gjitha. Eshtë e kundërta e asaj që u ndodh sipërmarrësve të rregullt”.

Nëse Europa dikur i mendonte familjet e krimit të organizuar si një problem kryesisht italian – dhe nëse shumë italianë mendonin që problemi ishte kryesisht i kufizuar në jug – shtrirja e aseteve të mafias nëpër Europë po detyron të bëhet një rivlerësim i këtyre bindjeve. Në shkurt, Parlamenti Europian miratoi një direktivë ku ua bënte më të lehtë autoriteteve kombëtarë që të konfiskojnë asete të krimit, në përgjigje të provave që grupet e krimit të organizuar kishin “gëlltitur” prona dhe kompani në të gjithë Europën.

Ekspertë të antimafias thonë se Europa duhet të miratojë ligje të rinj, si ata që ekzistojnë tashmë në Itali, si dhe të zgjerojnë përpjekjet e zbatimit të ligjit. Disa thonë që, i njëjti fokus që aplikohet për terrorizmin duhet të aplikohet edhe në përballjen me krimin e organizuar. Përvec grupeve mafiozë italianë, edhe organizata të tjera kriminale, nga Rusia, Kina dhe Shqipëria po infiltrojnë në biznese të ligjshëm në Europë, paralajmërojnë ata.

“Demokracitë e nënvlerësojnë luftën ndaj mafias”, thotë Giuseppe Lumia, senator dhe anëtar i Komisionit Antimafia në Itali. “Mafia është bërë globale. Ata bëjnë biznes, pastrojnë para, mes shteteve. Por, agjencitë antimafia janë nacionale dhe lokale”.

Eshtë tejet e vështirë të përcaktosh se sa para fiton mafia italiane në një vit të vetëm nga veprimtaria e paligjshme, teksa vlerësimet variojnë, nga 10 miliardë deri në 22 miliardë Euro. Një prej shoqatave më të mëdha të biznesit në Itali, Confesercenti, ka llogaritur që krimi i organizuar ka një xhiro vjetore prej afro 130 miliardë Euro, ose afërsisht sa 7% e GDP-së të Italisë. Ata vlerësojnë gjithashtu që mafia ka afro 65 miliardë Euro në rezerva cash.

“Ata kanë sasi të pabesueshme parash”, thotë David Ellero, specialist për krimin e organizuar italian tek Europol, agjencia europiane e zbatimit të ligjit. “Në disa hetime, prurja e parave ishte aq e madhe, sa që në vend të numëroheshin, ato peshoheshin”.

Familja më e pasur e krimit të organizuar besohet që të jetë ‘Ndragheta, një grup mafioz nga Kalabria që tashmë kontrollon pjesën më të madhe të tregtisë së kokainës në Europë. Ekspertët thonë që ‘Ndragheta është aktive në Spanjë, Gjermani, Francë, Zvicër dhe Britani.

Organizatat e tjera kryesore janë klanet e Kamorrës, me qendër përreth qytetit të Napolit dhe që janë vecanërisht të fuqishëm në jug të Spanjës. Si edhe Cosa Nostra, familjet e famshme siciliane të përjetësuara tek “Kumbari”, të cilat janë gjithashtu aktive në gjithë Europën.

Në rajone të tjerë, grupet mafiozë italianë shpesh herë operojnë si shtete hije, duke infiltruar në politikën lokale, ndërkohë që kontrollojnë territorin përmes kanosjeve dhe dhunës. Analistët thonë se ky dominim në nivel lokal shpjegon përse grupet mafiozë janë të përfshira në sektorë si ndërtimi, minierat, menaxhimi i mbetjeve dhe transporti, aty ku influenca politike i lejon t’u japin kontratat qeveritare kompanive të tyre të preferuara.

Në Italinë e veriut dhe vendet europianë, grupet e krimit të organizuar veprojnë shumë më në fshehtësi, thonë ekspertët, sidomos për arsye se u mungon i njëjti nivel influence politike dhe territoriale. Por një raport që iu paraqit këtë muaj zyrtarëve të Bashkimit Europian konkludonte se tentakulat e mafias ishin shtrirë në pothuajse cdo sektor: hotele, klube nate, prona të paluajtshme, bixhoz, ndërtime, shitjet e benzinës me pakicë, shitjet e rrobave me shumicë, përpunim ushqimor, kujdes shëndetësor, energji e rinovueshme etj.

“Ata kanë preferenca specifike për sektorë të caktuar”, thotë Michele Riccardi, një studiues tek Transcrime, instituti kërkimot në Milano që hartoi raportin e paraqitur Bashkimit Europian. “Janë sektorët që duken më të depërtueshëm dhe ku rregulloret janë më tolerante”.

Italia ka ligjet më të fortë antimafia, që është një arsye përse familjet e krimit të organizuar janë zhvendosur në vende të tjerë europianë. Vecanërisht Gjermania është shndërruar në terren pjellor.

Emigrantë italianë, shumë prej të cilëve nga Kalabria, qendra e ‘Ndraghetas, nisën të shkojnë në Gjermani në vitet pesëdhjetë. Kur u shemb Muri i Berlinit në vitin 1989, thonë ekspertët, një prej bosëve të mafias është dëgjuar në një përgjim t’i ketë thënë një vartësit të tij që të shkojë menjëherë në Berlinin Lindor dhe të “blejë gjithcka”.

Javën që kaloi, e përjavshmja gjermane, Der Spiegel shkruajti për një gjyq në Këln, ku prokurorët akuzojnë një grup mafiozësh të lidhur me Cosa Nostra-n se kanë mashtruar shtetin me miliona euro, duke dhënë fatura false nga kompani ndërtimi. Zyrtarët gjermanë thonë se prania e krimit të organizuar tashmë paraqet një rrezik për sektorin e ndërtimit në vend.

Revista citonte një raport të Zyrës Federale të Policisë Kriminale, e cila kritikonte shtetin gjerman për dështim në pikasjen e aseteve të mafias. Raporti arrinte në konkluzionin që grupet italianë të krimit kishin fituar afro 123 milionë Euro në Gjermani gjatë dekadës së fundit, nga të cilat prokurorët kanë konfiskuar 8 milionë.

Raporti i policisë konkludonte se Cosa Nostra ka infiltruar në sektorin e ndërtimit, Camorra merret me mallra të falsifikuar dhe ’Ndrangheta shet vaj ulliri të përzier si dhe ushqime të tjerë. Mafiozët kontrollojnë të paktën 300 piceri në Gjermani, dhe po i përdorin këta biznese për t’u futur në ekonominë e ligjshme.

Ndërkohë që Gjermania dhe shtetet e tjerë të BE dikur kishin një qasje mohuese ndaj këtij problemi, tashmë po rritet ndërgjegjësimi. Në shkurt, autoritetet italianë dhe gjermanë kryen një operacion të përbashkët kundër Cosa Nostras dhe arrestuan dhjetëra të dyshuar në të dy vendet. Ata akuzohen se kanë përfituar miliona euro nga subvencionet e BE-së për fermerët.

Dy vjet më parë, Bashkimi Europian krijoi një komision antimafia, dhe Europoli pranoi në vitin 2011 se kishte një “hendek informacioni” në lidhje me veprimtarinë e mafias. AI kërkoi një raport i cili doli vitin që kaloi, dhe që konkludonte se grupet mafiozë janë vecanërisht kërcënues për sektorët e bizneseve të ligjshëm, sepse ata “munden të përballojnë të operojnë me humbje, duke krijuar një situatë pothuajse monopol në terma afatgjatë, e cila dëmton parimet bazë të tregut të lirë”.

Megjithatë, edhe brenda Italisë, shumë njerëz vazhdojnë ta shohin krimin e organizuar si një problem të jugut. Kur shkrimtari italian, Roberto Saviano, autor i “Gomorrah” përdori një program televiziv në vitin 2010 për të folur kundër infiltrimit të mafias në Italinë e veriut, gazeta milaneze Il Giornale u përgjigj me një peticion në internet kundër tij, me titull: “I dashur Saviano, Veriu nuk është mafioz”.

“Organizatat kriminale janë nga Roma, në veri”, tha Saviano në një intervistë të kohëve të fundit. “në jug, prania e tyre është si një prani ushtarake. Në Romë dhe në veri është prani ekonomike”.

Grupet mafiozë kanë qenë prej një kohe të gjatë një prani e heshtur në Romë, me dyqanxhinjtë që ankoheshin se u duhej të paguanin para për zhvatësi, të quajtura pizzo. Por operacioni i fundit tregoi se si grupet e krimit të organizuar janë duke investuar direkt në biznese brenda qytetit. Mes 23 restoranteve dhe picerive ku policia ndërhyri në janar ishte dhe Da Ciro, një prej zinxhirëve më popullorë të picerive në qytet. “Nuk ka fare të bëjë me paratë që janë të rregjistruara në fund të ditës”, thotë Enrico Fontana, drejtor i Libera, një grup ombrellë i shoqatave antimafia në Itali. “Ka të bëjë me pastrimin e parave”.

Prestipino, prokurori antimafia bie dakord që pastrimi i parave është i rëndësishëm, por shton se bosët e mafias po kërkojnë gjithashtu akses tek udhëheqësit politikë. Ai thotë se asnjë politikan nuk mund të takohet drejtpërdrejtë me një bos mafioz, por që duke investuar në biznese, mafia mund të kultivojë një rrjet sipërmarrësish në Romë, të cilët mund të takohen haptaz me politikanë dhe nëpunës civilë. “Eshtë një sistem që ka gjithë avantazhet”, thotë Prestipino”. “Biznesmeni ka avantazhet ekonomikë. Mafiozit nuk i duhet që të vijë në Romë. Dhe politikani nuk ka përse i bën duart pis”.

The New York Times

Leave a Reply

Back to top button