Analiza

Europiano-lindorët po përkulen para fuqisë së Putinit

Jackson Diehl

Obama dhe ndihmësit e tij i injoruan këta paralajmërime, duke u thënë me zemërim autorëve të letrës së hapur se po vuanin nga “Rusofobia”. Pesë vjet më vonë, Obama e përsërit diagnozën për Putinin, sikur të jetë urtësia e tij. Por mund të jetë shumë vonë: “Rusofobët” e një NATO-je të zgjeruar janë zëvendësuar, në shumë kryeqytete, me ata që duan të jenë paqësorë me Putinin

aaaput

Për të kuptuar se si po përparon Vladimir Putini në fushatën e tij për përmbysjen e rendit europian të pas Luftës së Ftohtë, ia vlen të shohësh përtej Ukrainës, ku Kremlini “i ka duart e zëna” duke u përpjekur të shkaktojë dhe konsolidojë krijimin e një shteti-kukull. Në fund të fundit, Ukraina, siç i pëlqen ta thotë shpesh presidentit Obama, nuk është një vend i NATO-s – e cila e ka shtrirë sigurinë dhe qeverisjen demokratike perëndimore në një dyzinë shtetesh që dikur dominoheshin prej diktaturës sovjetike.
Marrim Hungarinë, një vend anëtar i NATO-s, kryeministri i të cilit ka deklaruar kohët e fundit se Rusia e Putinit është një model që duhet imituar. Ose anëtaren e NATO-s, Sllovakinë, kryeministri majtist i të cilës e krahasoi mundësinë e dërgimit të trupave të NATO-s në vendin e tij, me pushtimin sovjetik të vitit 1968. Ose një tjetër vend anëtar të NATO-s, Republikën Ceke, ku ministri i mbrojtjes bëri një krahasim të ngjashëm dhe qeveria e të cilit u bashkua me Sllovakinë dhe Hungarinë, për t’iu kundërvënë sanksioneve të Bashkimit Europian ndaj Rusisë.
Ose Serbinë, një vend anëtar i “partneritetit për paqe” të NATO-s, që e ka ftuar Putinin të vizitojë Beogradin këtë muaj, për një paradë ushtarake për të përkujtuar 70-vjetorin e “çlirimit” të qytetit nga Ushtria e Kuqe.
Më tej është Polonia, e cila deri kohët e fundit udhëhiqte përpjekjen brenda NTO-s dhe Bashkimit Europian për të mbështetur qeverinë properëndimore të Ukrainës dhe ndëshkuar agresionin e Putinit. Këtë muaj, kryeministrja e re e saj, Eva Kopacz urdhëroi ministrin e saj të jashtëm që të rishikojë me urgjencë politikën e tij. Siç raporton Wall Street Journal, ajo i tha parlamentit që ishte e shqetësuar nga një “izolim i Polonisë” brenda Europës, gjë që do të vinte prej vendosjes së “objektivave jorealistë” në Ukrainë.
Obama ka përgëzuar vetveten për faktin që ka udhëhequr një “reagim të bashkuar” të Perëndimit që, sipas tij, ka izoluar Putinin. Në realitet, një pjesë e madhe e aleancës së NATO-s ka filluar në heshtje të anojë nga Moska. Këto qeveri e bëjnë këtë pjesërisht për arsye ekonomike: Të varura nga Rusia për energjinë, si dhe tregjet e eksporteve, ato i druhen pasojave të përshkallëzimit të sanksioneve.
Por disa nuk duan të rrisin bastin, sa i përket sigurisë dhe ideologjisë. Ata mendojnë që nuk ia vlen të testohet nëse kërcënimi i Putinit për të pushtuar ish vendet e bllokut sovjetik ka qenë në të vërtetë një lojë – apo nëse një NATO e udhëhequr nga Obama do të vijë vërtetë në mbrojtje të tyre. Përndryshe, përse duhej deklaruar në mënyrë parandaluese, siç bëri kryeministri çek, Bohuslav Sobotka, se vendi i tij nuk i donte trupat që NATO kish vendosur në Poloni dhe Shtetet balltike, si masë frenuese për Rusinë?
Sobotka u pasua nga Roberto Fico i Sllovakisë, një ish komunist, i cili e vazhdoi refuzimin që i bëri trupave të NATO-s, duke injoruar apelin e presidentit Obama për të rritur shpenzimet ushtarake dhe duke i quajtur sanksionet ndaj Rusisë si “vetëvrasës” dhe “të pakuptimtë”. Nga ana tjetër, këto shfaqje të Ficos dukeshin hiçmosgjë, krahasuar me një fjalim të mbajtur në korrik nga Viktor Orbani i Hungarisë, i cili e përshkroi Rusinë si një ekzemplar se si “ne kemi braktisur metodat dhe parimet liberale të organizimit të shoqërisë… sepse vlerat liberale në SHBA sot mishërojnë korrupsionin, seksin dhe dhunën”.
Nëse ky është një reagim “i bashkuar”, ai duket më shumë i orkestruar nga Putini se sa nga Obama. “Disa politikanë europiano-qendrorë po përpiqen që ose të qëndrojnë poshtë ekranit të radarit – pra të mos flasin e të mos e bëjnë vendin e tyre shënjestër të zemërimit të Putinit – ose të bëjnë për vete Putinin dhe si pasojë të jenë më mirë se aleatët e tjerë kur ujërat të trazohene dhe më shumë”, thotë Damon Wilson, zëvendës president ekzekutiv i The Atlantic Council. “Problemi për shumë politikanë është si të mbijetojnë kur të rikthehen rusët, më të “këqinj” se kurrë… dhe amerikanët të jenë larg, të disponueshëm vetëm për telefonata emergjence”.
Këto lëkundje në Europën Lindore vijnë vetëm një dekadë pas zgjerimit të madh të NATO-s në vitin 2004 dhe disa vite pasi Polonia dhe Republika Ceke mbështetën me entuziasëm pushtimin e Irakut nga SHBA. Cfarë ndodhi? Siç thotë Robert Coalson i Radio Free Europe, një përgjigje mund të gjendet në “letrën e hapur” që udhëheqësit politikë dhe intelektualët e këtyre vendeve i dërguan Obamës në korrik 2009, kur gjatë vitit të parë në detyrë, ai nisi projektin e tij të “rifillimit” me regjimin e Putinit.
“Shumë zyrtarë amerikanë tani kanë konkluduar se rajoni ynë është ndrequr një herë e përgjithmonë”, paralajmëronte letra”. “Eshtë një këndvështrim i pamatur”.
Obama, vazhdonte ajo, po bënte gabim që po kalonte në plan të dytë marrëdhëniet me Europën qendrore dhe lindore. Elitat që po ngrihen në vendet post-sovjetike “nuk ndajnë idealizmin e brezit që udhëhoqi tranzicionin demokratik”. Po kështu Rusia nuk është aspak një partner i përshtatshë, por “është rikthyer si një fuqi revizioniste që ndjek një agjendë të shekullit 19 me taktika dhe metoda të shekullit 21”.
Obama dhe ndihmësit e tij i injoruan këta paralajmërime, duke u thënë me zemërim autorëve të letrës së hapur se po vuanin nga “Rusofobia”. Pesë vjet më vonë, Obama e përsërit diagnozën për Putinin, sikur të jetë urtësia e tij. Por mund të jetë shumë vonë: “Rusofobët” e një NATO-je të zgjeruar janë zëvendësuar, në shumë kryeqytete, me ata që duan të jenë paqësorë me Putinin. /WASHINGTON POST/
PERSHTATUR NE SHQIP NGA www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button