Analiza

Evropa nuk duhet ta harrojë Mesdheun

Emma Bonino

mesdheu

Përshkallëzimi i konflikteve dhe tensionet në Libi, Siri, Egjipt, Irak dhe Palestinë na shqetësojnë në shumë pikëpamje. Siguria, çrregullimet në furnizimin me naftë, imigracioni janë vetëm një pjesë e frikës tonë.

Roli i Bashkimit Evropian në rajonin mesdhetar mbetet gjithmonë shumë i pavendosur: ai është i paaftë të na japë një minimum garancie në sfidat e shumta.

Duke udhëtuar nga një cep në tjetrin të Lindjes së Mesme dhe në Afrikës Veriore gjatë muajve të fundit – nga Maroku në Turqi, si dhe në Arabinë Saudite – unë e kam vëzhguar situatën me lupë.

Një botë e re, shumë komplekse dhe krejtësisht thelbësore për Evropën, qëndron disa qindra kilometra larg nesh. Megjithë situatën dramatike në të cilën është zhytur Ukraina, unë e vlerësoj thelbësore që BE të përqëndrohet me urgjencë në kufirin jugor të Mesdheut, dhe të shpalosë një strategji krejtësisht të re.

Pa dyshim, mund të diskutojmë për një kohë të gjatë për dështimin e politikës evropiane të fqinjësisë përballë këtij rajoni, por nuk mundemi të kemi më luksin e pritjes. Paraprakisht, krahas çdo përpjekje tjetër, është e nevojshme që ne të ndërgjegjësohemi për rëndësinë e zhvillimeve që po ndodhin në rajon, megjithëse ky mutacion shfaqet në forma të ndryshme, sipas vendeve.

Qysh me fillimin e zgjimit arab në vitin 2011, po asistojmë në një luftë të vërtetë influence në gjirin e komunitetit sunit. Katari dhe Turqia, aleatët kryesorë të Vëllazërisë Myslimane, pra të Hamasit, të Ennahda-s, të presidentit Morsi të rrëzuar nga pushteti, janë përballur me partizanët tradicionalë salafistë: Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Sfida është supremacia ekonomike dhe gjeostrategjike në rajon, duke përfshirë këtu dhe Libinë.

Aktorët e rinj rajonalë (Katari, Turqia, Arabie Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe) kanë fituar një fuqi ekonomike dhe mediatike të paprecedentë, ndërkohë që Perëndimi (sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës) ruan vetëm një superioritet ushtarak, që shpesh është përdorur në mënyrë të ngathët.

Këto janë vende të cilat në përgjithësi veprojnë jashtë të drejtës ndërkombëtare humanitare. Në Egjipt, janë salafistët me aleatët e tyre të fuqishëm, të cilët kanë fituar për momentin. Në vendet e tjera të rajonit, si Tunizia, kemi një situatë tranzicioni të brishtë, në Algjeri një status quo të pasigurt.

Duhet që Evropa të fillojë një politikë krejtësisht të re – e cila nuk mund të zbatohet kudo, nga Gjeorgjia në Algjeri – boshti i së cilës nuk mund të jetë imigracioni. Zbarkimet klandestine, imigracioni i paligjshëm janë vetëm maja e ajsbergut: miliona njerëz po përpiqen t’i largohen luftës, urisë, dhe diktaturave.

Ato janë të destinuar të mos kthehen në vendet e tyre, edhe nëqoftëse ndërtohet një mur në mes të detit Mesdhe.

Prioritetet e vendosura nga Bashkimi Evropian në vitin  2011, të përmbledhura në “3M” – MoneyMarket AccessMobility (“para, akses në tregjet, lëvizshmëri”) -, për partnerët janë dekurajuar me të drejtë. Ato nuk kanë parë as para, as dhe akses në tregjet. Përsa i përket lëvizshmërisë, nëse misioni Mare nostrum, i lancuar nga Italia, nuk do të zgjerohet, Mesdheu ende do të jetë një det i mbushur me të vdekur.

Ne duhet të forcojmë mbështetjen tonë për vendet që dëshirojnë të dalin nga situtata ku gjenden, si Maroku, Tunizia, Jordania dhe Libani, dhe të rinisë sa më shpejt procesin e anëtarësimit të Turqisë.

Me qëllim që objektivi ynë të vihet në lëvizje për t’u realizuar duhet kurajo, shpejtësi dhe durim. BE-ja ka nevojë për një instrument të ri, domethënë për një komisioner për Mesdheun në kohë të plotë, i pajisur me një strukturë të përshtatshme, në gjëndje të futet në labirintin e buxhetit evropian dhe të hartojë politika të reja dypalëshe.

Qeveritë të cilat janë të mendimit për një komisioner për imigracionin, bëjnë një rrugë të gabuar duke privilegjuar një përqasje sigurie, e cila nuk ka asnjë dobi.

Edhe pse ne nuk jemi në këtë çast një aktor vendimtar në rajon në afat mesëm, ne mund të kemi një ndikim në shumë vënde. Në Egjipt, në Iran apo gjetkë, është Evropa dhe jo Arabia Saudite, e cila është perceptuar si model reference.

Një program “Erasmus për Mesdheun”, forcimi i qëndrave tona lokale kulturore mund të jetë një përpjekje e parë për të konsoliduar lidhjet dhe për të krijuar besim. Eshtë vetë Evropa e cila provon se paqja dhe prosperiteti qëndrojnë në integrimin progresiv të tregjeve dhe në marrëdhëniet e pasura kulturore dhe njerëzore.

Përfundimisht, në situatën aktuale, e vetmja zgjidhje e mundshme për Evropën konsiston në braktisjen e sistemit të sferave të influencës, dhe ruajtjen e parimit të ndarjes së përgjegjësive. /Liberation/

Përgatiti: S. METANI

BOTA.AL

Leave a Reply

Back to top button