Psikologji

Falsiteti i sofistikuar i rrjeteve sociale

Ato nuk flasin, por dinë shumë mirë të lëndojnë. Nuk e buçasin me të madhe realitetin që ekziston, por dinë të godasin aty ku duhet, aty ku secili ndihet jo i plotësuar.E kam fjalën për ato, rrjetet sociale, pa të cilat nuk mund të jetojmë dot. Janë bërë thuajse të pashmangshëm në jetën tonë. Tamam si një magnet. Përpiqemi t’i largohemi sadopak, por duket sikur na tërheqin më fuqishëm drejt vetes.

Por çfarë ekziston realisht pas profileve të miqve, apo të personave që nuk i njohim në rrjetet sociale? Ndoshta disa e kanë kuptuar. Edhe unë mendoj të njëjtën gjë. Pas profileve virtuale ekziston një “falsitet” i sofistikuar. E quaj kështu, sepse për aq kohë sa ke në dorë të postosh atë çfarë dëshiron, ke në dorë edhe luksin të manipulosh mendjen e të tjerëve. Kam vite tashmë që përdor disa rrjete të ndryshme sociale dhe nuk kam vënë re persona të shkruajnë mbi problemet e tyre, mbi debatet e përditshme, mbi streset që grumbullohen përherë e më shumë, sikurse ndodh realisht në jetën e secilit prej nesh. Por jo, ndodh krejtësisht e kundërta. Shpërndahen foto dhe shkrime që përfaqësojnë një realitet tepër perfekt, saqë të manipulojnë aq shumë mendjen, sa arrin dhe mendon se vetëm jeta jote është e tillë, me halle, probleme dhe stres të vazhdueshëm. Kupton se ndoshta je ti problemi që gjërat çalojnë kaq shumë në jetën tënde, ndërkohë që çdo gjë shkon perfekt në jetën e të tjerëve.

Betejat e vërteta me veten ndodhin përditë në rrjetet sociale. Sheh miq apo edhe të panjohur të shpërndajnë foto me ushqime të shijshmë në një restorant me emër, ndërkohë që ti nuk e ke pasur këtë mundësi dhe ke ngrënë një supë të thjeshtë atë drekë. Sheh të tjerët të ekspozojnë veshje të bukura e të shtrenjta, ndërkohë që ti nuk e mban mend ditën kur ke dalë për herë të fundit për të blerë një veshje të re. Sheh dhe nga ato që bashkangjitur veshjes së bukur, kanë edhe aksesorë shtesë, si vithe, gjoks, apo buzë të fryra, ndërkohë që ti nuk i ke. Përveç këtyre, ty të mungojnë edhe “Liket” që këta persona marrin. Të mungon vëmendja që ata kanë në shoqëri. Të mungon realiteti perfekt që ata jetojnë. Kaq shumë mungesa njëkohësisht, saqë secilin nga ne do ta fusnin në një dëshpërim të thellë dhe në debate të vazhdueshme në familje.

Nëse i lëmë mënjanë idealizmat, mendoj se çdo prind që e mohon në shoqëri se debaton për këto çështje me fëmijët, e pranon se realisht debate të tilla i ka përditë. Më ka rastisur edhe vetë të dëgjoj në mjedise të ndryshme nëna që diskutojnë ashpër me vajzat. Këto të fundit kërkojnë veshje dhe kushte më të mira, ndërkohë që nënat u kujtojnë se nuk kanë mundësi t’ia blejnë. Nga gjithë këto situata dhe nga ajo çfarë kam mësuar në jetë, unë mendoj se është e kotë të debatosh me prindërit për diçka të tillë. Nuk ka prind që nuk do të donte t’ia plotësonte çdo fëmije dëshirat që ka, por realiteti ky është. Kushtet këto janë dhe secili nga ne përveç se duhet t’i pranojë, duhet edhe t’i shtrijë këmbët aq sa ka jorganin.

Dhe mos e mendoni se miqtë apo ata që shihni virtualisht janë ashtu siç na bëjnë të duken se janë. I kanë edhe ata problemet e tyre. Ndoshta, jeta e tyre është aq e dëshpëruar, saqë të vetmen lumturi kanë të bëjnë të tjerët të ndihen keq. Sepse unë e shoh të palogjikshme të postosh kaq shumë gjëra mbresëlënëse virtualisht, kur së pari duhet t’i shijosh ato pa një smartphone në dorë dhe së dyti, e di se e nesërmja do të jetë sërish një kthim në rutinë: në tavolinën e familjes, me pizhamat e gjumit dhe pa atë “ducky face” të asaj selfie që postove sot. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button