Psikologji

Femrat preferojnë meshkujt që lexojnë. Këta janë librat që u bëjnë femrave më tepër përshtypje

Pëlqimet dhe shijet e njerëzve kundrejt gjinisë së kundërt kanë qenë, janë dhe do të mbeten një mister për shkencën. Është thënë e stërthënë se femrat pëlqejnë meshkujt rebelë dhe deri diku kjo “legjendë urbane” është pranuar si e vërtetë, por kohët e fundit ky pohim është tronditur prej fakteve që kanë dalë në dritë. Disa faqe online që sigurojnë takime romantike midis njerëzve, kanë publikuar disa statistika që tregojnë se realisht femrat janë më të interesuara për meshkujt që lexojnë. Të dhënat tregonin se meshkujt që rendisnin leximin e librave si një nga hobby-t e tyre në listën e preferencave, merrnin 19% më tepër mesazhe nga femrat, krahasuar me meshkujt e tjerë. Kjo gjë nuk ndodhte me femrat që bënin të njëjtën gjë. Ato merrnin rreth 3% më tepër mesazhe, nëse rendisnin leximin e librave në listën e preferencave. Mendohej se kjo ndodhte për faktin se meshkujt ndihen disi në siklet, kur flasin me një femër të kulturuar dhe që lexon. Nga ana tjetër, një përqindje kaq e ulët e femrave krahasuar me meshkujt, lidhet edhe me faktin se femrat marrin vazhdimisht mesazhe nga gjinia e kundërt, ndaj dhe rritja e këtyre mesazheve nuk kishte si të ishte shumë drastike, kur përherë ka qenë e lartë.

Një tjetër dilemë që u shtrua prej psikologëve duke analizuar të dhënat prej faqeve online, ishte dhe se cilët libra pëlqenin më shumë femrat të shihnin në duart e meshkujve duke i lexuar ato. Ishin disa, por në krye të listës renditet “Burra që urrejnë gratë” nga Stieg Larsson, “Froni i shpatave”, seria e romaneve “Harry Potter”, Bibla, si dhe çdo libër tjetër që kishte lidhje me ngjarjet e zhvilluara gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Pavarësisht këtyre të dhënave dhe përfundimeve, ajo që është e rëndësishme të theksojmë, është se leximi i librave i bën të gjithë të duken tërheqës. Krahas faktit që leximi të fal dituri, oratori dhe kënaqësi, një person që lexon mbetet përherë i bukur dhe i ri. Imagjinoni pak një njeri të qëndrojë duke ngrënë fara në anë të rrugës dhe një tjetër duke shfletuar një libër në një stol në lulishten ngjitur me të. Cili nga të dy duket më tërheqës? Tani mund ta bëni edhe vetë dallimin…

Leave a Reply

Back to top button