Analiza

FENOMENI FRANCEZ / Emigrantë dhe komunistë votojnë Marine Le Penin

Emigrantët e brezit të dytë dhe të tretë dhe disa ish-komunistë francezë do të votojnë për Marine Le Penin. Në shikim të parë, tingëllon si një kontradiktë e madhe historike, megjithatë, çdo gjë i përshtatet në mënyrë të përsosur, asaj që po ndodh rreth fenomenit gjithnjë e më të debatuar të “populizmit”. Fronti Kombëtar, tani është partia e parë e Francës (këtë të dhënë e konsolidojnë përditë sondazhet). Kjo gjë ka ndodhur për shkak se tejkalimi i dialektikës e majtë / e djathtë ka lëshuar rrënjë në strukturën elektorale të popullit francez, duke bërë që, grupe sociale që kanë qenë tradicionalisht të lidhura me universin socialist, nisën të zgjedhin Le Penin, si zëdhënëse të shqetësimeve të tyre.

Ashtu si ndodh kudo, populizmi arrin të imponohet. Eshtë bërë tashmë, tepër e thjeshtë që të gjesh në internet histori francezësh me prindër nga Algjeria, Tunizia dhe ish-kolonitë e tjera franceze, kryesisht emigrantë të besimit mysliman, anëtarë apo simpatizantëve të Frontit Kombëtar. Që gjatë zgjedhjeve rajonale të vitit 2015, doli se 22% e qytetarëve francezë me origjinë arabe zgjodhën Frontin. Sondazhet e fundit të gazetës “La Croix” shkojnë aq larg, sa të parashikojnë një 26%-ësh të votave, në zgjedhjet e ardhshme të muajit prill. Të tjera, më optimiste, thonë se ekipi i udhëhequr nga Le Peni do të mbështetet nga 37% e arabëve të brezit të dytë (22% e të cilëve janë praktikues myslimanë), nga 24% e qytetarëve me origjinë nga Afrika Qendrore dhe Afrika Veriore dhe 20% e homoseksualëve. Një e dhënë kjo që nuk mund të mos të të lërë të habitur, kur merr parasysh se në vitin 2002, kur ishte Jean Marie Le Peni që mbërrinte në balotazh, mbështetësit e Frontit Kombëtar nga vendet arabe dhe afrikane ishin vetëm rreth 8%.

Franca e thellë, pra, “banlieue”-të, periferitë e largëta prej qendrave të mëdha, ku financa e lartë ka ndërtuar selinë e saj, pavarësisht nga gjeografia dhe tradita zgjedhore, janë duke u përgatitur për të mbështetur fort Marine Le Penin.

Spoti zyrtar i fushates se Marine Le Pen

Banorët e këtyre zonave, në fakt, vuajnë nga problemi i sigurisë, në mënyrë shumë më të ngutshme se sa ata të lagjeve të pasura. Vetë arkitektura e qyteteve franceze, është e projektuar dhe ndërtuar përmes parimit të asimilimit, por ka shtyrë mijëra qytetarë nga kolonitë dhe familjet e tyre drejt periferive, aty ku problemet sociale dhe degradimi urban që janë akumuluar në vitet e fundit, dhe që janë bërë të njohura përmes ngjarjeve të kronikës, perceptohen më mirë. Lexohen kështu, histori myslimanësh të cilët nuk shkojnë në xhami, nëse nuhasin ajrin e ndikimeve ideologjike përmes parave të Katarit. bëhen kështu të shpjegueshme, edhe në funksion të një oportuniteti politik, deklaratat e Le Penit, për nevojën që, francezët me shtetësi të dyfishtë (izraelite dhe franceze), të zgjedhin një vendbanim.

Emigrantët e brezit të dytë dhe të tretë, por edhe ish-komunistët. Dalja e librit të Christophe Guilluy “La France périphérique. Comment on a sacrifié les classes populaires”, po e forcon këtë parashikim. Autori, një ish-bashkëpunëtor i “Libération” dhe “Le Monde”, gjeograf marksist, anëtar aktiv i “SOS Racisme” dhe mbështetës politik i trockistit Arlette Laguiller, duke “udhëtuar” mes arsyeve të kaosit social bë Francën e sotme, përpiqet që të shpjegojë arsyet për një konsensus sovranist.

Guilluy flet për elitë konformistësh që jetojnë në lagjet e pasura, ajo e Bobos, që kanë humbur kontaktin me realitetin e francezëve, të cilët nuk mund të paguajnë faturat. Normalët, të ahtuquajturit “të shpronësuarit e demokracisë”, viktimat e kursimit dhe të mbyllur në periferitë e skajshme, atje ku romët janë një tjetër problem.

Jean-Claude Michea, në kohë të tjera, kishte sqaruar këto aspekte duke denoncuar përzierjen mes të majtës qeveritare dhe kapitalizmit, një marrëveshje që kishte për qëllim të krijonte një qark të shkurtër në elektoratin socialist. Nga intelektualët majtë, në fund të fundit, vijnë arsyet teorike pse në veri të gjashtëkëndëshit, territori historik komuniste, zonë punëtorësh, Fronti Kombëtar është në 50% të votave. Ata që Guilly i ka quajtur “të dënuarit e progresit”, të gjithë të përjashtuar nga procesi i globalizimit, ata do të shfaqen kompaktë në kutitë e votimit. Vijnë prej anëve nga më të ndryshmet, por me arsye të përbashkëta, për të votuar me bindje Marine Le Penin. FRANCESCO BOEZI/IlGiornale – www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button