Analiza

Fidel Kastro ka vdekur?

Mister mbi fatin e lider maximo, shfaqja e fundit e të cilit në publik i përket një viti më parë

castroPrej vitesh, në intervale pak a shumë të rregullt, del lajmi se Fidel Kastro ka vdekur. Sot sërish. Ka folur në Miami e përditshmja amerikane, Diario Las America.
Lajmi është dhënë më pas edhe nga televizioni i të njëjtit grup, America Tv. Gazeta bën të ditur se ka marrë kontakt me zyrën e shtypit të qeverisë në Havanë, ku një burim ka komunikuar që për sot është parashikuar një konferencë shtypi, në të cilën është ftuar shtypi kombëtar dhe i huaj, por për të cilën nuk është saktësuar argumenti. Më pas, konferenca për shtyp është përgënjeshtruar nga qeveria: e ka thënë portali amerikano jugor “Cronica viva”, duke cituar një zëdhënës zyrtar të Qendrës Ndërkombëtare të Shtypit në kryeqytetin kuban.
Hipoteza për vdekjen e ish udhëheqësit kuban është lëshuar sërish në rrjetet socialë. Kujtohet mungesa e gjatë në publik e lider maximo, larg prej kamerave dhe aparateve fotografikë si dhe mikrofonëve edhe në dhjetor, kur pas hapjes së Obamës janë rikthyer në Havanë tre kubanët që ndodheshin prej një kohe të gjatë në burg në SHBA, për spiunazh. Ndoshta një sinjal për përkeqësimin e shëndetit të tij.
Një tjetër gazetë, El Diario de Cuba, ka botuar një shkrim të Santiago de Cuba, ku thuhet se qeveria ka “ndaluar qarkullimin e njerëzve në zonën e varrezës së Santa Ifigenia, ku thuhet se është ndërtuar varri i ardhshëm i Kastros”. Sipas burimeve të paidentifikuar nga gazeta, ai mendohet se ndodhet në krah të varrit të Jose Marti, politikan, shkrimtar dhe revolucionar kuban, i konsideruar hero kombëtar, një lloj Garibaldi kuban.
Në dy ditët e fundit në Kubë janë liruar 35 të burgosur politikë, në kuadër të lehtësimit që erdhi pas marrëveshjes së mesit të dhjetorit me SHBA, për heqjen e embargos dhe nisjen e marrëdhënieve diplomatike. Do të flitet ende për këtë gjë, në pasdite, apo do i jepet botës lajmi i vdekjes së njeriut që në 1959-ën udhëhoqi revolucionin kuban? Apo, si ka ndodhur herë të tjera, do të publikohet një tjetër foto ku Fideli shfaqet i gjallë?
“Aprender a vivir sin Fidel Castro” (të mësojmë të jetojmë pa Fidel Kastron): kështu titullohet reportazhi i publikuar orët e fundit nga “14 medio”, gazeta online e themeluar nga Yoani Sanchez. Blogger-ja e famshme dhe disidente kubane rihedh artikullin dhe rindez zërat që “qarkullojnë ditët e fundit mbi vdekjen e lider maximo”.
“Të mësuarit me të jetuarin pa Fidel Kastron është një gjë me të cilën u është dashur të mësohen shumë kubanë gjatë këtyre viteve të konvaleshencës së lider maximos, por këto ditët e fundit zërat për vdekjen e tij janë rikthyer. Mund të ketë vdekur prej kohësh dhe po presin momentin që të japin lajmin”, ka thënë një fshatar 28 vjecar që flet për Fidelin në kohën e shkuar. “Unë e kam parë një herë që kalonte këtu me Jeep, megjithatë atëherë ishte një burrë plot energji”, ka shtuar. Ndryshe mendon një grua nga Vibora, që përpara shtëpisë së saj ka shkruajtur “Esta casa es de Fidel”: “Unë jam një fideliste deri në vdekje”, ka thënë, duke pohuar se është e bindur që lider maximo nuk ka vdekur “por me siguri po shkruan një libër, kujtimet e tij”, dhe për këtë arsye këta muaj nuk ka dalë në publik.
Ka shumë maturi nga ana e mediave anti Kastro për të shmangur sikletin e një “vdekje false” tjetër të ish presidentit. “Ka vdekur Fideli? Pyetja është e vlefshme, por nuk kemi përgjigje”, komenton Pedro Roig, docent i historisë kubane në SHBA, që në një intervistë për Miami Diario ka theksuar se “kur qarkullojnë zëra që Fideli ka vdekur, burimi është gjithmonë i pabesueshëm: kanë qenë përherë verione të fabrikuar nga vetë regjimi”. Roig pranon megjithatë që i duket e dyshimtë që Fideli nuk ka dalë publikisht të përgëzojë mbërritjen e tre agjentëve të fshehtë të  dënuar në Florida, por kujton se “edhe përpara se t’ia linte pushtetin të vëllait, Raul, Fideli kalonte periudha të gjata deri tetë muaj pa dalë fare në media, dhe i gjithë aparati ishte i mësuar me kët mungesa”./Orlando Sacchelli
/ilgiornale/
e.gj./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button