
Ezio Mauro
Paqëndrueshmëria e botës, e mbjellë gjatë katërvjeçarit të fundit, fundi i rendit global dhe dobësimi i së drejtës ndërkombëtare si kriter universal për parandalimin, zgjidhjen dhe ndëshkimin e konflikteve, gjejnë konfirmimin dhe përmbledhjen e tyre në sulmin e rrufeshëm të forcave speciale amerikane në Karakas. Të mbrojtur nga avionë Stealth që fluturonin në lartësi të ulët dhe nga helikopterë Chinook, komandot depërtuan në dhomën e gjumit ku presidenti Nicolás Maduro po flinte dhe e kapën atë bashkë me bashkëshorten, duke i dorëzuar të dy në anijen “Iwo Jima”, e nisur drejt Nju Jorkut, ku i pret një aktakuzë për narkoterrorizëm.
Fotografia e Madurós me pranga dhe me sy të mbuluar i jep fund një aventure pushteti që zgjati 13 vjet, të shënuara nga një varfërim tronditës i vendit. I mbështetur nga Kuba dhe Rusia, por i goditur nga një spirale hiperinflacionesh dhe zhvlerësimesh monetare, vendi u zhyt në një krizë sociale pa rrugëdalje, ku represioni ndaj kundërshtimit mbeti e vetmja përgjigje e regjimit.
Deri te mohimi i hapur i fitores elektorale në vitin 2024 të kandidatit të opozitës, González Urrutia, të cilit iu ndalua të bëhej president, pavarësisht se kishte fituar dy të tretat e votave. Dhe deri te konsakrimi ndërkombëtar i betejës për liri dhe ligjshmëri të Maria Corina Machados, udhëheqëses së opozitës venezueliane, me dhënien e Çmimit Nobel për Paqen 2025.
Një situatë shpërthyese, jashtë çdo kontrolli, që Shtëpia e Bardhë e ka zgjedhur si “momentin Trump” për një operacion ushtarak të tipit antiterrorist: infiltrime, informatorë, monitorim i vazhdueshëm i objektivit dhe më pas bastisja e komandove në shtëpinë ku ndodhej Maduro, i cili prej javësh ndërronte vazhdimisht strehim. Por këtë herë bëhet fjalë për një Kryetar Shteti, pra për shkeljen e sovranitetit të një vendi dhe të së drejtës ndërkombëtare, siç e ka denoncuar Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
Kina, Rusia, Brazili dhe Meksika kanë dënuar vendimin amerikan për të thyer bllokadën detare të çisternave të naftës, që ishte në fuqi që prej shtatorit përballë Venezuelës, dhe për arrestimin/rrëmbimin e presidentit. Izraeli e ka përshëndetur Trumpin. Europa, me Ursula von der Leyenin, ka zgjedhur të qëndrojë “në krah të popullit venezuelian” (formulim që në këtë kontekst mbetet i paqartë se çfarë nënkupton konkretisht), “duke mbështetur një tranzicion paqësor dhe demokratik”.
Fakti është se nën sipërfaqen e shkatërruar të Venezuelës ndodhet rezerva më e madhe e naftës në botë. Dhe kjo është një gjë që nuk i shpëton askujt.
Sot, 660 mijë fuçi nafte venezueliane në ditë furnizojnë 35% Shtetet e Bashkuara, 41% Kinën, 9% Indinë dhe Spanjën. Është e vërtetë që Karakasi, edhe pse nuk është prodhues i kokainës, është një nga qendrat kryesore të tranzitit të trafikut të drogës, që sipas akuzës së Trumpit, vret 300 mijë amerikanë në vit, dhe dyshohet se Maduro mund t’i kontrollonte këto operacione. Por kryqëzata amerikane kundër narkotrafikantëve nuk duket një prioritet absolut për Shtëpinë e Bardhë, sidomos kur mendon që Trumpi sapo ka falur ish-presidentin e Hondurasit, Hernandez, i cili ishte dënuar nga një gjykatës amerikan me 34 vjet burg për trafik droge.
Shpjegimi i një prej dislokimeve më të mëdha detare të marinës amerikane, 15 mijë trupa të vendosura në Karaibe, shkon përtej luftës kundër narkotrafikut dhe arrin aty ku e drejta ndalet. Trumpi e ka ndjekur të gjithë operacionin drejtpërdrejt nga Mar-a-Lago, duke e shpallur para botës si “një sulm spektakolar, të paparë që nga Lufta e Dytë Botërore”, dhe duke zbuluar njëkohësisht se “SHBA do të përfshihen më në fund në industrinë e naftës venezueliane”.
Problemi i naftës është në krye të listës: “Infrastruktura e jashtëzakonshme amerikane e naftës na është vjedhur sikur të ishim fëmijë.”
E drejta vjen më pas. Maduro, shpjegon Rubio, nuk ishte president legjitim, prandaj SHBA mund të ndërhynin. Dhe objektivi shkon shumë përtej Karakasit, siç tregojnë paralajmërimet e Trumpit ndaj Kolumbisë (“presidenti duhet të ruhet”) dhe Kubës, si edhe fjalia e fundit trumpiane që vulos gjithçka: “Dominimi amerikan në hemisferën perëndimore nuk do të vihet më kurrë në dyshim.”
Ky është varianti trumpian i Doktrinës Monroe, e lindur në vitin 1823 për të mbrojtur SHBA nga kolonizimet e reja europiane dhe më pas e korrigjuar nga Roosevelt në emër të supremacisë amerikane mbi gjithë hemisferën: “Sjelljet e gabuara dhe kronike në kontinentin amerikan kërkojnë ndërhyrjen e një policie ndërkombëtare nga ana e një kombi të civilizuar.”
Sot, ajo hemisferë shndërrohet në një zonë gjeopolitike sigurie për SHBA, madje në një pajisje strategjike për Shtëpinë e Bardhë, e cila ka dorë të lirë. Në këtë kohë të pezullt, brenda kontinentit sovraniteti është i kufizuar. Karakasi e dëshmon këtë: nuk është vetëm diktatori i fundit i kontinentit që bie, por edhe ndryshimi i parë i regjimit në epokën trumpiane. / La Repubblica – Bota.al





