Analiza

Filozofia e cuditshme e luftës paqësore

Raportet e rinj mes konflikteve dhe demokracisë

Giovanni Belardelli*war

Një prej transformimeve antropologjikë më të jashtëzakonshëm që ka ndodhur në shoqëritë demokratike, është padyshim ai që ka të bëjë me mënyrën si konsiderohet lufta. E gjykuar prej një kohe të gjatë një element i origjinës – e si pasojë i paeleminueshëm – së natyrës njerëzore, lufta shihet sot si një praktikë e vjetëruar për botën perëndimore.

Nga pikëpamja e fakteve, teza e fundit apo rënies së luftës mund të rroket vetëm pjesërisht.

Eshtë e vërtetë që pas viti 1945, kapaciteti shkatërrimtar i armëve bërthamore ka ndryshuar llogarinë e kosto-përfitimit të një konflikti të armatosur, duke kontribuar kështu në garantimin e një paqeje të gjatë për Europën.

Eshtë e vërtetë edhe që revolucioni i lidhur me rënien e Murit të Berlinit dhe tranzicioni në sistemin post-bipolar kanë ndodhur në mënyrë paqësore.

Megjithatë, ajo që është vjetëruar nuk është lufta në vetvete, por të ashquajturat luftëra të mëdha, konfliktet mes fuqive të mëdha. Eshtë llogaritur që nga viti 1989 deri në 2011 ka patur 137 konflikte të armatosur, nga të cilët vetëm nëntë të klasifikueshëm si konflikte mes shteteve. Që nga rënia e Murit e këtej, jo se ka ndodhur më pak luftë, por ka patur më pak lidhje të saj me shtetin: tashmë mbizotërojnë konfliktet brenda shteteve, ku grupe të vecantë – të përcaktuar në bazë të identitetit etnik, fetar apo klanor – që luftojnë kundër shtetit, pjesë e të cilit janë. Një variant i këtij lloj konflikti është lufta “asimetrike” që po ndodh mes fuqive perëndimore, dhe atij organizimi të vecantë joshtetëror që është terrorizmi global.

Pra, nëse lufta në botën bashkëkohore nuk është zhdukur aspak, por vetëm ka ndryshuar formë, është gjithashtu shumë e vërtetë që ajo është zhdukur nga ai grup që pranohet kulturalisht, të paktën në shetet demokratikë.

Që të ishte e mundur të impenjohej në një konflikt të armatosur, ka qenë gjithmonë e domosdoshme që një shoqëri të pranonte disa ideale dhe vlera, të tilla që të justifikonin vdekjen e ushtarëve të saj. Por, pikërisht kjo shfaqet gjithmonë e më problematike, të paktën në Perëndim: nga njëra anë tronditja e dy luftërave botërore, nga ana tjetër zhvillimi i një kulture individualiste të bazuar mbi mirëqenien kanë bërë që të mos ekzistojnë më arsye “të mira” për të rrezikuar jetën në luftë.

Ose më mirë, që të impenjohesh në një konflikt, duhet që ky të justifikohet në dritën e parimeve të tipit altruist. Sot nuk shkohet në luftë për të fituar, mposhtur, pushtuar, por për të mbrojtur, paqësuar, rindërtuar.

Kushti tjetër gjithnjë e më i domosdoshëm që një shtet demokratik të impenjohet ushtarakisht lidhet me mundësinë e një lufte pa viktima, ku mundesh që të kufizosh numrin e armiqve të vrarë dhe të shmangësh vrasjen e ndonjë ushtari tënd, si dhe të civilëve nga ana tjetër. Pikërisht për të realizuar luftën me “zero të vdekur” nga ushtarët e tu, kryhen operacione ushtarakë tërësisht nga qielli, si në Serbi apo në Libi. Apo që të vendosen rregulla, të cilët vendosin sigurinë e ushtarit mbi eficencën ushtarake. Apo të përpiqesh të transferosh tek aleatët lokalë rreziqet e luftimeve në terren.

Në realitet, arkivolët e ushtarëve që sillen në atdhe nga njëra anë, pamjet televizive që tregojnë civilë të vrarë gabimisht nga ana tjetër, demonstrojnë se lufta pa viktima është vetëm një iluzion. Por shumë pak gjëra e dëshmojnë më mirë se ky iluzion se sa i thellë është transformimi që karakterizon qasjen e shoqërive demokratike ndaj luftës, dhe pasojat e këtij transformimi: është e vërtetë që lufta është bërë për ne një tabu, por është po kaq e vërtetë që ajo vazhdon të jetë pjesë e skenarëve të mundshëm të botës bashkëkohore.

Corriere della Sera

Leave a Reply

Back to top button