Ekonomi

FINANCE / A do jetë Austria surpriza e shëmtuar e 2014-ës?

finance austriaAustria rrezikon të jetë surpriza më e shëmtuar e gjysmës së dytë të 2014-ës. Bankat austriake në fakt nuk gëzojnë “shëndet” të mirë. Alarmin më të zhurmshëm e ka dhënë Fondi Monetar Ndërkombëtar më shumë se një vit më parë. Por nuk u bë asgjë. Dhe pas shpëtimit nga ana e shtetit të bankës Hypo Alpe Adria pak javë më parë, provat e testit të Bankës Qendrore Europiane (BQE) mund të nxjerrin në dukje situata të reja kritike.

Që situata nuk është e qetë, kjo u kuptua kur Ministri i Financave, Michael Spindelegger shpjegoi për mediat se “nuk kishte alternativë ndaj shpëtimit publik” të Hypos. 4.8 miliardë euro të vëna në dispozicion për të shmangur default-in plus 3.6 miliardë të tjera, të gatshme deri në fund të vitit.

Por nuk është vetëm Hypo që shqetëson qeverinë austriake. Edhe Erste Bank dhe Raiffeisen International Bank, dy kolosë të tjerë të kredidhënies së këtij vendi, janë në qendër të diskutimeve të analistëve. Në fakt ekziston rreziku që, në fund të verifikimeve të bilanceve nga ana e BQE, do të jenë të nevojshme operacione të rinj në treg për t’i mbështetur. Dhe duke qenë se Hypo nuk arriti të gjejë vetë kapital të ri për të pastruar bilancet e vet, rreziku është që deri në fund të vitit, shtetit do i duhet të ndërhyjë sërish në mbështetje të bankave.

Janë tre zonat e errëta të sistemit bankar austriak. E para ka të bëjë me NPL-të (Non performing loans – kreditë e dyshimta). Vëllimi i tyre është modest, në mars 2014 ishin vetëm 3% e të gjithë sektorit, që sipas vlerësimeve të fundit të FMN-së vlen 1258 miliardë Euro. Por ajo që shkakton shqetësim është tendenca. Që nga viti 2008 deri në 2012 këto kanë qenë të qëndrueshme në nivelin 2 përqind, por prej 2013-ës kanë ardhur duke u rritur në mënyrë konstante. Në fund të vitit, sipas parashikimeve të Ernst Young, niveli i tyre pritet të arrijë në 4.9 përqind, duke rregjistruar kështu një rekord që nuk është parë asnjëherë, që nga futja e Euros e deri më sot. Në fund të 2016-ës mendohet të arrijë kulmin: 8.2 përqind.

Problemi i dytë janë kolateralet. Sipas FMN, bankat austriake kanë rifilluar të përdorin – me një lehtësi të madhe – produkte financiarë me risk të lartë. “Tregu i kredive në Austri ka një prirje të ndjeshme drejt riskut, që duhet të zbutet nëse duam të shmangim rritjen e cënueshmërisë së sistemit”, ka shkruajtur FMN në Programin e saj të Vlerësimit të Sektorit Financiar, raporti periodik i sistemit financiar.

Shkaku i tretë i mundshëm i një tronditjeje është varësia që kanë bankat austriake nga Europa lindore. Hypo, Erste dhe Raiffeisen i kanë zhvilluar bizneset e tyre drejt lindjes dhe kriza në Ukrainë po zvogëlon me shpejtësi prurjen e kapitaleve. Ekspozimi drejt këtyre zonave po bie, në të njëjtën kohë që po përshkallëzohen tensionet gjeopolitikë mes Ukrainës dhe Rusisë, por një ridimensionim i një madhësie të tillë kërkon vite të ndodhë, dhe jo disa javë. “Impakti mbi bankat austriake mund të jetë të paktën 10 miliardë Euro”, ka llogaritur banka anglo-aziatike Hsbc.

Ditën e nxjerrjes së raportit të verifikimit të bilanceve të bankave të eurozonës nga BQE, numri një i Mekanizmit Mbikëqyrës, Daniele Nouy nuk përdori një gjuhë të butë kur foli për bankat austriake. “Ka shumë dobësi dhe raporti do i nxjerrë në dritë, me qëllim përmirësimin e stabilitetit si të sistemit bankar, ashtu edhe të të gjithë eurozonës”. Me fjalë të tjera, është preludi i një periudhe stresi për Vienën.

Leave a Reply

Back to top button