MagazineMAIN

Fiton kush ikën (tamam si në Poker)

Lartësojmë ata që ngulmojnë, ata që qëndrojnë, ata që nuk dorëzohen. Tregojmë histori të heronjve që arrijnë një fund të lumtur mes një mijë vështirësish, të sipërmarrësve që vazhdojnë edhe me borxhe, dhe ndoshta i dyfishojnë, përpara se të bëhen të suksesshëm. Dhe në të njëjtat histori dënojmë me harresë, ose fajësojmë ata që heqin dorë, ata që tërhiqen. “Problemi”, thotë Annie Duke, “është se shpesh largimi – nga puna, një investim, një marrëdhënie – është zgjidhja e duhur. Veç se të gjitha paragjykimet njohëse dhe kulturore sigurojnë që ne të largohemi vetëm kur nuk kemi alternativa, pra shumë vonë”.

Duke i vëzhgoi dhe përjetoi të gjitha ato paragjykime për vite me radhë në atë ushtrim të madh në shkencën e sjelljes, të quajtur poker. Edhe sot, pavarësisht se është tërhequr nga turnetë në vitin 2010, ajo është një nga pesë femrat më të suksesshme në histori me 4 milionë dollarë fitime dhe një medalje të Serisë Botërore, çmimi për “kampionet e botës në poker sportiv”. “Lojtarët e mirë janë ata që dinë kur të kalojnë një dorë, apo tryezë,” thotë ajo. Dhe pohon se kjo është edhe më e vlefshme në jetë: “Shpesh heroi i vërtetë është ai që largohet”.

SHUME PARAGJYKIME

Familje intelektualësh, me diplomë në anglisht dhe psikologji nga Columbia në Nju Jork, një doktoraturë e lënë – në fakt – pak para se të diskutonte tezën, në këtë pjesë të dytë të jetës së saj amerikanja 58-vjeçare është bërë autore në disiplinën e vendim-marrjes. Dhe libri i saj i fundit, flet për më të vështirën: Lënien e diçkaje. Me prejardhjen e saj si njohëse dhe përvojën si lojtare pokeri, Duke bashkon të gjitha paragjykimet që e bëjnë braktisjen një dështim. Siguria për të humbur atë që keni investuar, në kohë dhe para, përballë fitimeve të pasigurta.

Tendenca për të mbivlerësuar perspektivat e tua. Kundërvënia e jashtëzakonshme ndaj idesë për të mos ditur se si do të përfundojë diçka. “Vlera e këmbënguljes nuk vihet në dyshim, nuk duhet ta lëmë shkollën që në vështirësinë e parë”, shpjegon Duke. “Vetëm se ne harrojmë pjesën e dytë të supozimit: duhet të ngulmojmë nëse ajo pas së cilës mbetemi të lidhur ka vlerë. Sepse koha dhe burimet tona janë të kufizuara dhe kur ia kushtojmë diçkaje, po i largojmë nga mundësitë e tjera”. Dhe sepse kur fillojmë një dorë pokeri, ose një punë, e bëjmë me informacion të kufizuar, por gjatë rrugës marrim informacione të reja: «Atëherë jemi përballë një vendimi të ri: të largohemi ose të vazhdojmë, që nuk janë e kundërta e njëra-tjetrës, por pjesë e të njëjtit vendim”.

PUNË, LAMTUMIRË

Rreth dhjetë vjet më parë, ekonomisti heterodoks Steven Levitt, autori i librit më të shitur Freakonomics, nisi një eksperiment të tijin. Ai krijoi një faqe me një monedhë virtuale, duke u ofruar njerëzve që ishin të pavendosur kur përballeshin me një ndryshim të madh, të hidhnin short: kokë, ata do të ndryshonin, pil, jo. Rreth 20,000 persona morën pjesë dhe disa muaj më vonë Levitt i kontaktoi përsëri, duke zbuluar se ata që ishin larguar, ishin shumë më të lumtur se ata që nuk ishin larguar.

Megjithatë, pavarësisht nga rezultati, të gjithë kishin qenë gati të bënin kapërcimin, përndryshe nuk do ta hidhnin monedhën, thjesht u duhej një shtytje e jashtme. Dhe kjo shtytje – pohon Duke – është gjithashtu forca pas fenomenit të fundit të “dorëheqjeve të mëdha”: “Pandemia krijoi një sasi të madhe braktisjesh të detyruara për shumë njerëz që nuk mund të punonin në shtëpi. Por kur diçka përfundon, kontabiliteti ynë mendor rivendoset dhe ne shohim më qartë se çfarë është me të vërtetë e vlefshme. Pra, pas rihapjes, mbërritën këto dorëheqje masive dhe gjëja interesante është se shumë nga ata që u larguan, ishin njerëz që gjatë izolimeve, kishin qenë të detyruar ta bënin”.

TË PASUR E TË VARFËR

Një aspekt i vështirësisë së largimit mungon në librin e Duke. Ato janë pabarazitë: për ata që kanë më shumë, braktisja është më e thjeshtë, ose më pak e vështirë, edhe në mungesë të alternativave të qarta; për ata që kanë më pak është shumë më komplekse. Për një punëtor më shumë se për një menaxher, për djalin e një familjeje të varfër, që hyn në borxhe për të paguar studimet, më shumë se për atë të prindërve të pasur. Mund të jetë edhe përkufizimi i një shoqërie të drejtë: një shoqëri që i vendos të gjithë në të njëjtat kushte për t’u larguar. Nuk është e jona e tillë. Duke e pranon këtë, por nuk jep detaje. Qasja e saj, si një shkencëtare e sjelljes, ose ndoshta shumë amerikane, shikon nga individi.

Dhe mesazhi është se mund të bëheni më të mirë në heqjen dorë nga një punë ose një marrëdhënie. “Gjëja e parë është të mendojmë për këtë fillimisht: imagjinoni skenarin në të cilin do të donim të gjendeshim pas gjashtë muajsh apo një viti dhe “kriteret e braktisjes”, të cilat nëse do të ndodhnin do të na çonin në largim”. Së dyti: “Kërkoni ndihmë nga jashtë, një mik apo një mentor”. Kush e di, mund të jetë një inteligjencë artificiale: trajnerët e parë mendorë tashmë po shfaqen në mesin e algoritmeve që flasin. “Por ajo që ka rëndësi është pyetja”, përgjigjet Duke, e cila ka një tatuazh në formë infiniti në krah me emrat e katër fëmijëve të saj, “nëse nuk bëjmë atë të duhurën, Inteligjenca Artificiale nuk do të na ndihmojë”. Pra, më shumë se sa ChatGPT për të na kujtuar se largimi është një fuqi e madhe, është më mirë. Baudelaire Në reshtimin e gjerë të të drejtave të njeriut, shkruante ai, dy të rëndësishme janë harruar: e drejta për të kundërshtuar vetveten dhe e drejta për t’u larguar. / bota.al

Back to top button