“Më merr me vete në rrugë, biri im, sepse ende mund të eci. Duke ecur pranë teje, pa pasur nevojën e njëmakine, nuk do të ndihem e moshuar. Më fto në shtëpinë tënde, biri im, edhe vetëm të dielave kur je pushim, në mënyrë që të ndajmë bashkë një vakt dhe të mos ndihem e vetmuar. Më fol me mirësjellje, bir, mos u nevrikos me kokëfortësinë time. Ne të moshuarve, njësoj si fëmijëve, na pëlqen t’i kundërshtojmëtë tjerët. Ti mos më zbraz nerva, por më buzëqesh sikur nuk ka ndodhur gjë. Njësoj kam bërë me ty, kur më nevrikosje gjatë fëmijërisë tënde.
Festo përvjetorët e mi, mos i kritiko marrëzitë e mia. Unë do të mundohem të tregohem e guximshme, edhe në kohëra hidhërimi. Mos më largo nga vetja, as mos më fol me inat. Unë ende mendoj me qartësi, e kam mendjen të kthjellët dhe mbaj mend çdo kujtim të së shkuarës. Eja të më kërkosh në shtëpi, biri im. Nuk do të kërkoj gjë, dua thjesht të ndiej praninë tënde dhe të shoh fytyrën tënde. Mos më lër të vetme dhe të mërzitur. Mjekët gabohen, dhimbja e vërtetë buron nga shpirti, jo nga sëmundjet”. – Nga interneti
Shumë të rinj largohen nga prindërit, duke menduar së pari rehatinë e tyre. Nuk kam asnjë kundërshtim për vendime të tilla. Jashtë vendit tonë, në shtetet e tjera, kjo është një formë normale e të jetuarit. Pasi fëmija mbush 18 vjeç, largohet në shtëpi tjetër. Qëllimi i këtij artikulli është kundërshtimi i distancësfizike dhe emocionale. Të rinjtë e sotëm largohen jo vetëm fizikisht, por harrojnë të flasin, të interesohen, të komunikojnë me prindërit e tyre.
Kam një punë ku përditë mbaj kontakte me njerëz të ndryshëm. Ju siguroj vetëm diçka, nuk ka gjë më tëdhimbshme se të shohësh të moshuarit të qajnë për fëmijët e tyre, për ata që i kanë rritur me sakrifica dhe i lënë në harresë. Të rinjtë e sotëm nuk interesohen për prindërit e tyre. I lënë ata të vetmuar, shpesh herë i çojnë në azile, dhe kujtohen për ta vetëm kur ndonjë i njohur i njofton se prindërit janë sëmurë dhe gjenden në spital. Mos u bëni të tillë. Mendoni se sa shumë janë munduar prindërit për t’ju rritur. A e meritojnë ata një trajtim të tillë…?