Analiza

FOKUS / Amerikanët rizbulojnë izolacionizmin

amerikanet rizbulojneAmerikanët duan të tërhiqen nga bota. Eshtë një tendencë drejt izolacionizmit që konfirmohet gjithnjë e më shumë nga sondazhet, dhe që ndoshta ka filluar tashmë të ndikojë në politikat e Uashingtonit. Sondazhi më i fundit është ai që ka botuar dy ditë më parë “Wall Street Journal”, sipas të cilit 47% e amerikanëve do të donin që SHBA të jenë më pak aktive në skenën globale. Një zbulim i ngjashëm, pas një sondazhi të kryer pak kohë më parë nga Pew Center, tregonte se mbështetja për izolacionizmin ishte 53%. Ajo që bën më shumë përshtypje është krahasimi me të kaluarën. Në shtator 2001, duke iu përgjigjur të njëjtave pyetje pas sulmeve të al Kaedës, vetëm 14% e amerikanëve donin që Uashingtoni të ishte më pak aktiv në botë, kundrejt 47% sot. Një rritje me 33% në pak më shumë se një dekadë. Cfarë ka ndodhur në këtë periudhë, për të ndryshuar kaq shumë perceptimin e njerëzve?

Pikësëpari, luftërat në Irak dhe në Afganistan, shumë pak popullore dhe shumë të kushtueshme, për nga njerëzit, paratë dhe simpatia globale. Pastaj kriza ekonomike e vitit 2008, që u dha amerikanëve një ndjesi pafuqie brenda vendit, duke i shtyrë që t’u kërkojnë politikanëve të gjejnë zgjidhje për problemet e brendshëm, përpara se të përballojnë problemet e të tjerëve.

Rezultati ndoshta vihet re që tek politika e jashtme e Obamës, e cila nuk është më pak intervencioniste për shkak të dobësisë, por për shkak të vetëdijësimit që amerikanët e duan. Pushtimi i Irakut nuk ka prodhuar lulëzimin e demokracisë liberiste në Mesopotami, atëherë përse duhet përsëritur ky gabim në Siri apo Ukrainë? 48% e amerikanëve e konsiderojnë globalizimin të dëmshëm, sidomos ata me arsim të pakët, ose që i përkasin klasës së mesme dhe më poshtë. Cfarë duhet të bëjë një lider, përpara këtyre ndjenjave të kuptueshme? T’i mbështesë dhe të sigurojë avantazhe elektoralë, apo t’u kundërvihet sic bëri Roosvelti, kur futi SHBA në Luftën e Dytë Botërore?

A do të ndihmonte vërtetë izolimi për zgjidhjen e problemeve të brendshëm, apo do t’i përkeqësojë, duke parë edhe rënien ekonomike që po bëhet e dukshme edhe kur e vë përballë ngjitjes së Kinës? Mbi këto pyetje do të bazohen ndoshta zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Domethënë, e ardhmja e hegjemonisë së Uashingtonit që nisi me shekullin amerikan, si dhe siguria dhe prosperiteti i të gjithë atyre që varen prej saj në këtë botë.

Leave a Reply

Back to top button