Ekonomi

“Forca e Siberisë”, Putini nis sfidën ekonomike ndaj Perëndimit

Putin China

Në mesin e luftës së gazit me Ukrainën dhe përshkallëzimit të sanksioneve me Perëndimorët, Vladimir Putini nisi ndërtimin e gazësjellësit, nëpërmjet të cilit Rusia do të eksportojë në sasira të mëdha gaz Kinës si dhe ribalancojë shkëmbimet e saj tregtare drejt Azisë. “Ne po nisim projektin e ndërtimit më të madh në botë. Nuk do të ketë projekt më të rëndësishëm se ky projekt në një të ardhme të afërt”, ka theksuar presidenti, i cituar nga agjencitë ruse  gjatë ceremonisë në Lakoutie, në Siberinë lindore. “Por ajo që ka rëndësi nuk janë shifrat, por bëhet fjalë për një projekt shumë të rëndësishëm, si për Federatën e Rusisë, ashtu dhe për Republikën Popullore të Kinës”, u shpreh ai.
Gazësjellësi i quajtur “Forca e Siberisë”, me një gjatësi të përgjithshme të parashikuar prej 4.000 kilometra për një kapacitet prej 61 mijard metra kub, do të lejojë lidhjen e vendburimeve të Siberisë lindore me rrjetin ekzistues të gazit, duke e shtrirë atë drejt Lindjes së Largët, deri në Khabarovsk dhe Vladivostok. Ndërtimi i tij dhe i infrastrukturave lidhëse është vlerësuar 55 miliard dollarë.
Ai do t’i lejojë Moskës të respektojë marrëveshjen e nënshkruar në muajin maj me Pekinin pas dhjetë viteve negociata të vështira, në bazë të së cilës Rusia do të furnizojë për herë të parë me gaz Kinën, nëpërmejt gazësjellësit.
Kjo megakontratë është vlerësuar në 400 miliard dollarë për 30 vjet dhe parashikon lëvrimin e 38 miliard metër kub në vit, duke filluar nga viti 2018.
Ndërtimi i pjesës kineze do të fillojë në 6-mujorin e parë të vitit 2015, ka saktësuar gjatë ceremonisë zëvendës-kryeministri Zhang Gaoli.
Eksportet e gazit rus bëhen aktualisht drejt vendeve të ish-Bashkimit Sovjetik dhe sidomos me Bashkimin Evropian, por Gazprom shpreson të zhvillojë praninë e tij në Azi, në sajë të këtij gazësjellësi dhe në sajë gjithashtu të ndërtimit të një uzine për lëngëzimin e gazit në Vladivostok.
Padroni i Gazpromit, Alexeï Miller, i deklaroi agjencive ruse se shpreson të nënshkruajë në nëntor një kontratë gazi me Pekinin për një gazsjellës tjetër, që do të kalojë më në perëndim. Forca e Siberisë “pa dyshim do të jetë një ndihmë e madhe kur do të arrijë kapacitetin e tij të plotë në fillim të viteve 2020”, për të ribalancuar eksportet ruse, shprehet Valeri Nesterov, analist i Sberbank CIB. “Kjo do të lejojë të stabilizohet situata financiare e  Gazprom-it, e kërcënuar nga konkurenca e rritur dhe perspektiva e uljes së çmimeve si rezultat i saj”, shton ai.
Evropianët kërkojnë që zvogëlojnë vartësinë e tyre nga gazi rus, pasi “lufta e re e gazit” midis Kievit dhe Moskës rrezikon të cënojë furnizimin e tyre me gaz gjatë dimrit.
Marrëveshja me Kinën korrespondon me një vullnet të Moskës për të ribalancuar tregtinë e saj të jashtme drejt vendeve aziatike. Kjo nevojë e diktuar nga situata ekonomike më dinamike në Azi se sa në Evropë këto vitet e fundit, është forcuar nga kriza e pashembullt, qysh prej luftës së ftohtë midis Moskës dhe Perëndimit.
Një megakontratë tjetër e përfunduar në vitin 2013 ka filluar tashmë të ketë efektet e saj. Në mes të muajit gusht, Wall Street Journal, duke u bazuar në të dhënat e analistëve llogariste se 30% të eksporteve të naftës së Rusisë bëhej me Kinën, qysh në fillimin e vitit kundrejt 20 % në vitin  2012.
Autoritetet ruse shpresojnë në “Forcën e Siberisë”, që kërkon investime gjigante për të mbështetur ekonominë ruse në prag të recesionit, për shkak të krizës ukrainase dhe sanksioneve ekonomike perëndimore gjithnjë e më të ashpra.
Gazsjellësi ka ngjallur ambicjet e gjigantit publik të naftës Rosneft, me ambicjet e forta  për gazin, i cili ka kërcënuar se do t’i drejtohet drejtësisë nëse Gazprom nuk i jep akses në tubacione. Megjithë refuzimet e grupit të gazit, Vladimir Putini ka të ngjarë të vendosë në favor të  Rosneftit, që drejtohet nga një nga të afërtit e tij Igor Setchine, dhe i dobësuar nga sanksionet amerikane, të shprehet në favor të një hapjeje të konkurencës së gazësjellësit. /Liberation/

Leave a Reply

Back to top button