Analiza

Forsyth: “Nuk ekzistojnë vendet miq. Bota e 007-ave s’ka rregulla”

Forsyth“Deri në një farë limiti, spiunimi mes miqve dhe aleatëve është diçka që ka ndodhur gjithmonë, por e vërteta është që Shtetet e Bashkuara nuk i kanë besuar asnjëherë shumë Gjermanisë, që nga kohërat e Luftës së Ftohtë, dhe në botën e spiunazhit është e vështirë të ndryshosh sjellje”. Një botë që Frederick Forsyth e njeh mirë, në fillim për arsye se e ka frekuentuar si gazetar i BBC-së duke ndjekur intriga dhe konflikte në çdo front, më pas duke e rrëfyer në romanet e tij të shumtë, frut i kontakteve të ngushtë me shërbimet e fshehtë, që nga “Dita e çakallit” dhe “Hakmarrësi”, deri tek “Qentë e luftës”, të gjithë të shndërruar në best seller-a. Së fundi ka botuar “Lista e zezë”, që ka vetëm disa muaj që është shfaqur në libraritë amerikane. Për këtë arsye, shkrimtari britanik 76-vjeçar intervistohet shpesh nga mediat e vendit të tij si një ekspert i fushës, dhe jo vetëm sa i përket letërsisë. Dëbimi i kreut të CIA-s nga Berlini nuk e ka habitur: “Por nuk e përjashtoj se e ka befasuar presidentin Obama, kur ky e ka marrë vesh”, thotë duke qeshur.

A është normale që një vend përpiqet të infiltrojë në shërbimin e fshehtë të një vendi aleat?

Në një farë mase ka ndodhur gjithmonë. Në botën e spiunazhit nuk ka miq, me përjashtim të SHBA dhe Britanisë së Madhe që punojnë shumë së bashku dhe prej shumë kohësh, të cilëve mund t’u shtohen por në një nivel më të ulët, shërbimet e fshehtë të vendeve të tjerë anglishtfolës, si Australia, Kanadaja dhe Zelanda e Re, të ashtuquajturit “Pesë Sytë” që bashkëpunojnë mes tyre. Miqësia që ekziston mes SHBA dhe shteteve të tjerë perëndimore, të cilët që pas luftës kanë qenë aleatë tradicionalë të Uashingtonit në brendësi të NATO-s është një gjë tjetër: nuk ka patur shkëmbim dhe ndarje informacionesh të fshehtë mes tyre. Dhe ka patur shtete ku Amerika i spiunonte, siç e kanë bërë të qartë edhe zbulimet e Snoëdenit në çështjen Datagate.

Po a nuk është Gjermania një aleat i palëkundur i SHBA?

Formalisht po. Në praktikë dihet që Uashingtoni nuk i ka besuar gjithmonë Berlinit. Jo vetëm sepse gjermanët mund të kishin objektiva të ndryshëm nga amerikanët, por edhe sepse ekzistonte frika që mes tyre të kishte më shumë mundësi infiltrimesh, spiunësh të dyfishtë, njerëzish që punonin për palën tjetër, apo për BRSS dhe aleatët e tij komunistë.

Megjithatë, ky duket një rast i ndryshëm dhe më i rëndë.

Megjithatë, origjina mund të jetë e njëjta: besim i pamjaftueshëm në atë që Berlini dëshiron të bëjë, ndoshta pikërisht në marrëdhëniet me Rusinë. Në vitet e fundit kemi parë që SHBA dhe Gjermania kanë marë shpesh pozicione të kundërt, që nga lufta në Irak, deri tek çështja e Ukrainës. Prapa gjithë kësaj ka një punë të shërbimit të fshehtë, për faktin që Uashingtoni do të donte të mësonte diçka më shumë nga sa thotë zëdhënësi i Merkelit.

Vetë kancelarja ka zbuluar se telefoni i saj përgjohej nga NSA.

Nuk do të habitesha nëse SHBA do të vendosnin çimkat tek e gjithë qeveria gjermane. Thuhet se zakonet e vjetër nuk shuhen kurrë, dhe ata të krijuar në vitet e Luftës së Ftohtë janë edhe më rezistentë. CIA nuk i beson plotësisht Gjermanisë dhe herë pas here e hedh një sy prapa kuintave.

A nuk është dëmi i një spiuni të dëbuar dhe i një marrëdhënieje në krizë, më i rëndë se sa informacionet e mbledhur?

Ndoshta po. Në fakt nuk besoj se do të dëgjojmë protesta të forta nga ana e amerikanëve për dëbimin e kreut të CIA-s në Berlin. Nuk përjashtoj që Obama, kur e ka mësuar, ka mbetur i befasuar dhe do të jetë zemëruar: nuk është se presidenti di gjithçka që bëjnë agjentët e tij. Dikush e ka tepruar me zellin dhe tani të dy shtetet po thonë se duan të punojnë për të ndrequr një marrëdhënie të cilën të dy e vlerësojnë shumë. Obama do i telefonojë Merkelit, do ua vërë fajin 007-ave të tij, do të premtojë që nuk do të ndodhë më, edhe pse pas çështjes së telefonit të përgjuar, kancelarja do të bëjë thjeshtë sikur e beson.

Pra ka qenë i drejtë dëbimi i njeriut të CIA-s nga Gjermania, një reagim i paprecedentë?

Ishte i pashmangshëm. Por të mos harrojmë se në çështjet e spiunazhit opinioni publik mëson vetëm kur ka misione të dështuar, gabime, incidente: shohim vetëm majën e ajsbergut. Kur një mision është i suksesshëm, dhe në fakt kështu ndodh në shumicën e rasteve, askush nuk merr vesh asgjë.

Si përfundim, duket një episod për roman. A do përfundojë në një prej librave tuaj?

Diçka e ngjashme ka përfunduar tashmë, me thënë të drejtën. Por nuk është se fantazia i paraprin realitetit: mjafton të njohësh nga afër se si funksionon bota e spiunazhit, për të ditur se gjëra të tilla ndodhin gjithmonë. Edhe pse zakonisht nuk përfundojnë në gazeta./la repubblica/

Pershtatur ne shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button