Analiza

Franca pezullon dorëzimin e luftanijes “Mistral”. Reagon Rusia

Le Monde

mistralNë vigjilje të Samitit të NATO-s, Presidenti francez njoftoi të mërkurën se Franca pezulloi lëvrimin Rusisë të anijes së parë helikoptermbajtëse Mistral.
Elizeja e shpjegon vendimin e marrë nga Presidenti Holland me përkeqësimin e “situatës në Ukrainë”, duke theksuar se “aksionet e bëra kohët e fundit nga Rusia në lindje të vendit veprojnë në kundërshtim me themelet e sigurisë në Evropë”. Shefi i diplomacisë franceze, Laurent Fabius, të premten e kaluar denoncoi praninë e trupave ruse në lindje të Ukrainës ndërkohë që BE-ja përgatitet të miratojë sanksione të reja kundra Moskës.
Një burim diplomatik francez është shprehur se kontrata është “pezulluar deri në nëntor”, ose një muaj pas datës së parashikuar të lëvrimit. “Nga kjo datë do të shihet në se do të ketë pasoja financiare”, ka saktësuar ky burim, duke shtuar se pasojat financiare mund të arrijnë në shumën “1 miliard Euro”.
Rusia: “Kjo nuk është një tragjedi”
Rusia nuk ka vonuar të reagojë ndaj këtij njoftimi. “Refuzimi i kësaj kontrate  nuk do të jetë për ne një tragjedi në planin e riarmatimit”, ka deklaruar zëvendësministri rus i mbrojtjes, Iouri Borissov. “Megjithëse kjo sigurisht është e pakëndshme dhe krijon tensione në marrëdhëniet tona me kolegët francezë”, u shpreh ai.
Uashingtoni dhe vendet balltike të cilat e kanë denoncuar fuqimisht kontratën kanë përshëndetur nga ana e tyre këtë vendim të marrë nga Parisi, duke e cilësuar “të mënçur” dhe  “të mirë”.
Presioni
Franca ka qenë në zjarrin e kritikave ndërkombëtare, ndërsa Moska është prekur nga shumë sanksione tregtare për implikimin e saj në konfliktin ukrainas. Të mërkurën SHBA ka denoncuar edhe një herë projektin e shitjes. Dorëzimi i anijes është kritikuar mjaft në Evropë, në Britaninë e Madhe por sidomos nga Lituania.
Ditën e Martë Kryetari i Partisë  popullore evropiane  (PPE, e djathtë ), grupi politik më i rëndësishëm në Parlamentin e Strasburgut gjermani Manfred Veber, ngriti tonin dhe deklaroi: “Në kontekstin e tensionit të pashembullt me Rusinë, ndërkohë që Bashkimi Evropian përpiqet të bëjë ballë dhe të flasë me një zë të vetëm, është krejtësisht e pamendueshme që Franca të vazhdojë lëvrimin tek Rusia të helikoptermbajtësve “Mistral” dhe të trajnojë ushtarët rusë për përdorimin e tyre”.
Deri tani  Parisi mbrohej  prapa faktit që sanksionet e vendosura nga BE-ja kundrejt Rusisë përjashtonin kontrataot ushtarake që janë në fazë ekzekutimi. Kontrata me Rusinë për dy helikoptermbajtëse në një shumë prej  1,2 miljard euro është  nënshkruar në vitin  2011. Lëvrimi i anijes së dytë është parashikuar të bëhet në nëntor të vitit 2015.
Kontrata përfshin transferimin e teknologjisë për një shumë rreth 220 milion euro si dhe trajnimin e ekuipazhit rus. Anija e parë duhet të lëvrohet në tetor, dhe marinarët rusë kanë filluar trajnimin e tyre në bord.
PERGATITI: BOTA.AL

Leave a Reply

Back to top button