Analiza

Francë-Gjermani, koha e dyshimeve dhe paqartësive

Nga Frédéric Lemaître

merkel vallsKa pak të ngjarë që tridhjetë e tre orët që Manuel Valls do të kalojë në Gjermani, më 22 dhe 23 shtator, mjaftojnë të mbyllin keqkuptimet midis dy vendeve. E parë nga Parisi, përpjekja është e madhe për të kundërshtuar në Berlin konservatorët – Angela Merkelin dhe ministrin e saj të financave Wolfgang Schäuble, i papërkulshëm në ortodoksinë buxhetore – dhe social-demokratët, sidomos Sigmar Gabrielin, presidentin e SPD dhe ministër i ekonomisë, të cilët do të pranonin të jepnin prova fleksibiliteti në interpretimin e paktit të stabilitetit dhe të rritjes ekonomike dhe do të ishin në favor për një rritje të konsumit në Gjermani.

Situata është më komplekse

Po, ka një debat ekonomik në Gjermani mbi nevojën ose jo për të nxitur investimet, sidomos në infrastrukturë. Disa ekonomistë, sindikatat, por gjithashtu ndërmarrjet e lidhura me sektorët e interesuar kërkojnë një politikë të tillë. I vetmi problem: nëse SPD dhe CDU janë në favor, ato dëshirojnë që sektori privat të marrë në ngarkim të tij pjesën më të madhe të këtyre shpenzimeve. SPD, e aq më tepër CDU, nuk e vënë në diskutim ekuilibrin buxhetor të parashikuar për vitin 2015 dhe vitet në vijim.

Ka mundësi që, një ditë të dy partitë të ndjejnë keqardhje që kanë vendosur në Kushtetutë ekuilibrin e shpenzimeve publike. Por ky debat nuk bëhet sot as nga CDU, as dhe nga SPD, e cila përpiqet të joshë klasat e mesme për të tërhequr më tepër se një zgjedhës në katër në zgjedhjet e ardhshme në Gjermani.
Ndryshim thelbësor me Francën: të gjitha partitë politike gjykojnë se rënia demografike e vendit detyron Gjermaninë të pakësojë borxhin e saj në vitet që vijnë, sepse barra rrezikon të jetë shumë e rëndë për brezat e ardhshëm.

Ndryshimet e opinioneve midis CDU dhe SPD janë pra më të vogla se sa i mendon ato qeveria franceze. Gjithashtu, përtej fjalimeve zyrtare, të dy partitë kanë të njëjtat dyshime mbi reformat e bëra nga François Hollande dhe Kryeministri, Manuel Valls. SPD kujton se në pjesën më të madhe janë Jacques Chirac dhe Nicolas Sarkozy të cilët e vunë Francën në gjëndjen ku ajo është sot, por social-demokratët janë po aq të shqetësuar sa CDU për situatën ekonomike franceze. Ndofta edhe më shumë.

Një dështim ekonomik i Hollande, i ndjekur nga një dështim i kandidatit socialist në zgjedhjet presidenciale të pranverës së vitit 2017, mund vetëm të dëmtojnë imazhin e SPD, disa muaj para zgjedhjeve gjermane, të parashikuara të mbahen në vjeshtën e vitit 2017. Shenjë e shqetësimit të SPD: të nesërmen e vizitës së Valls në Berlin, Fondacioni Friedrich-Ebert (i krijuar në vitin 1925), shumë i afërt me social-demokratët gjermanë organizon një kolokium për Francën në Berlin. “Franca gjithnjë e më tepër përballet jo vetëm në terrenin politik, por dhe në planin ekonomik me një konkurencë të re të Spanjës dhe Portugalisë. Çfarë pasojash kanë reformat dhe ulja e shpërblimeve në këto dy vende, mbi strukturat ekonomike dhe sociale të Francës? Çfarë pasojash mbi ekuilibrin në gjirin e zonës euro? Dhe çfarë politike ekonomike mundet dhe duhet të bëjë Franca?”, pyesin organizatorët.

Universe gjithnjë e më tepër të distancuara

SPD bën saktësisht të njëjtën analizë si CDU. Spanja dhe Portugalia po reformohen, Franca jo, e kjo e bën më pak konkuruese. Për të gjallëruar këtë debat, fondacioni i ka bërë thirrje Andreas Schockenhoffit, një deputet kristian-demokrat shumë kritik për qeverinë e Hollande. Pra Kryeministri Valls të mos ketë asnjë iluzion. Gabriel nuk është më shumë i bindur se sa kancelarja Merkel që Franca po bën reforma strukturore, që do t’i lejojnë asaj të bëhet përsëri konkuruese. I vetmi ndryshim me kancelaren: SPD pranon se në Gjermani, reformat sociale i kanë i kanë paraprirë ringritjes së llogarive. Por për gjermanët Franca fatkeqësisht nuk ka zgjedhje. Është për të ardhur keq që kryeministri francez, i cili ka folur sot përpara pronarëve gjermanë gjatë “ditës së industrisë gjermane”, nuk mund të asistojë në të gjithë debatet. Ai do shikojë që industrialistët francezë dhe gjermanë jetojnë në universe gjithnjë e më tepër të distancuara. Të parët ankohen për koston e punës dhe për 35 orët, të dytët kanë në gojë vetëm një fjalë: “industria 4.0”. Revolucioni i katërt industrial, i cili qëndron në bashkimin e Internetit dhe industrisë tradicionale, si në produktin përfundimtar ashtu dhe në procesin e prodhimit, është obsesion i tyre.

Eshtë ky revolucion që do t’i lejojë gjermanët të jenë në avancë në raport me konkurentët e tyre, sidomos ata aziatikë. Por problem është fakti që teknologjitë e informacionit janë amerikane. Ata kanë frikë pra që nesër Google dhe Apple të marrin pushtetin tek Volkswagen dhe BMW. Nuk është një rastësi që kancelarja Merkel i kërkoi Jean-Claude Junckerit që një gjerman, Günther Oettinger, të jetë komisari i ardhshëm për ekonominë digjitale.

Për Francën, ky post është sekondar. Për Gjermaninë ai është strategjik. Ndërkohë që nga viti 2010 deri në vitin 2012, pjesa e kërkimit shkencor dhe e zhvillimit në GDP mbeti pothuaj e qëndrueshme në Francë (nga 2,24 % deri në 2,26 %, sipas Bankës Botërore), Gjermania megjithë masat shtrënguese, për buxhetin e shkencës parashikon të jetë nga 2,8 % në 2,9 % të GDP-së. /Le Monde/

PERGATITI: www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button