Analiza

FRANCE / Mea Culpa e Hollande: Nuk “zbulova” krizën ekonomike

FRANCE mea culpaNë 6 maj 2012, François Hollande fitoi garën për president. Në 6 maj 2014, domethënë dje, presidenti i Republikës bëri diçka të paprecedentë dhe të vështirë – diçka e ndërmjetme mes mea culpa-s dhe një vendosmërie të rigjetur – me një intervistë direkt në radio dhe televizion. Ka folur përballë drejtuesit radiofonik Jean-Jacques Bourdin, i famshëm për stilin e drejtpërdrejtë dhe popullor, duke pranuar më pas pyetjet e telefonuesve.

Nëse në vitin 1983, modeli i tij François Mitterrand pas humbjes së zgjedhjeve lokale kishte zgjedhur të mbyllej në Pallatin presidencial për t’i rikthyer staturën dhe solemnitetin një presidence në vështirësi, Hollande ka zgjedhur strategjinë e kundërt: të shfaqet sa më pranë francezëve, i arritshëm, i dashur, i gatshëm të pranojë gabimet për të provuar pastaj të rikthehet me më shumë forcë dhe të kalojë nga “hidhërimi, në reagim”. Një pendesë katodike, e pasuar megjithatë prej deklaratës që e meriton tërësisht që ta falin.

Jopopullor (sipas sondazheve vlerësimi për të është vetëm 18%), pothuajse i tronditur nga humbja e zgjedhjeve lokale, një njeri që kapet pas aftësive të tij, në vend që të krijojë papritur një tjetër stil. Por, shfaq edhe aftësinë për të pranuar gabimet: “Nuk kam thënë aq sa duhet, të nesërmen e zgjedhjeve, që situata që gjeja ishte shumë e rëndë? Po, nuk e kam thënë aq sa duhet” (në fakt kjo tingëllon më shumë si një shkarkim përgjegjësish tek paraardhësi i tij, Nicolas Sarkozy).

Më tej, taksat shumë të larta: “Klasa e mesme ka ndjesinë që po paguan për të gjithë. Pikërisht për këtë kategori duhet të sforcohemi tani, taksat do të fillojnë të ulen që gjatë këtij viti”. Sërish, Hollande pranon reagimet e tij jo të fortë, si për shembull në rastin e martesave të homoseksualëve: “Duhej të veproja në mënyrë më të vendosur, duke e mbyllur më herët një debat që në fakt zgjati shumë”.

Por gjëja për të cilën ndien vërtetë keqardhje, ajo që vetë presidenti e quan “obsesioni im” është që nuk arriti të ulë numrin e të papunëve (papunësia në Francë është 9.8 përqind). “Po, kam premtuar dhe ripremtuar që do të përmbys tendencën e rritjes së papunësisë, por kjo nuk ka ndodhur ende”, ka deklaruar Hollande. Presidenti ka nxituar të shtojë që, nëse nuk e fiton këtë betejë, atëherë nuk do të kandidojë për zgjedhjet presidenciale të vitit 2017. “Si mund të kandidoj, në fund të mandatit tim, nëse do të kisha dështuar për rritjen ekonomike, për papunësinë, si mund të them që unë kam një zgjidhje për të ardhmen”?

Po përse tani mendon që ka recetën e duhur, pas dy vitesh si president? Përse francezët duhet të vazhdojnë t’i japin besim për tre vitet që i mbeten? Sepse “rritja ekonomike po vjen, francezët kanë arsye të shpresojnë”, dhe pakti i përgjegjshmërisë sipas Hollande do të arrijë të rikthejë konkurueshmërinë e konomisë Franceze. “Unë nuk kam asgjë për të humbur, e rëndësishme është që Franca ka gjithçka për të fituar, rizgjedhja ime nuk më intereson”.

Vetëm në një rast, presidenti ka shfaqur intolerancë ndaj një pyetjeje. Kur intervistuesi i kujtoi skandalin Gayet-Trierweiler, duke e pyetur nëse sjellja e tij në jetën private ka qenë gjithmonë e hijshme. “Po, ka qenë”, u përgjigj Hollande. “Dhe ju nuk mund të lini të kuptohet e kundërta. Nuk jam zhytur asnjëherë në konfuzion, nuk kam qenë asnjëherë vulgar apo i trashë. Jeta private duhet të mbetet e tillë, francezëve u kërkoj të më gjykojnë për faktet”.

Por fraza që mban vërtetë vulën e Hollande, njënjeri më shumë kokëfortë se sa i butë, është ajo që presidenti e ka thënë në mes të emisionit: “Sigurisht, francezët nuk më zgjodhën sepse kisha një program të shkëlqyer”. Si të thuash: mos u qani shumë, sepse ishit ju që më zgjodhët kështu si jam, dy vite më parë.

Leave a Reply

Back to top button