Analiza

Françesku, Papa i parë post-perëndimor

Massimo Franco

francisLindja e Mesme ka nevojë për ndërmjetësim në konfliktet e saj të vjetër, sidomos tani pas dështimit të përpjekjes më të fundit të SHBA. Ndoshta jo të gjithë brenda Izraelit dhe Palestinës, duan të fillojnë një proces të ri paqeje. Por është e vështirë të kundërshtohet nisma e re e Papa Françeskut, e cila me mendjemprehtësi është shpallur si thjeshtë fetare. Françesku mishëron sfidën që fuqia e butë i bën fuqisë së forces. Përse papa duhet të arrijë diçka dhe të mbërrijë deri aty ku as SHBA dhe as fuqitë e mëdha të Europës nuk ia kanë dalë? Pikësëpari, sepse ai është i besueshëm.

Miq të vjetër krijojnë aleanca të reja

Zgjedhja e tij e fundit për të vizituar Lindjen e Mesme, i shoqëruar nga Rabini Abraham Skorka i Buenos Airesit dhe Omar Aboudi, i Qendrës Islamike të Republikës së Argjentinës, dy miq të vjetër të tij, ishte strategjike dhe largpamëse. Me këtë zgjedhje, ai donte t’u përcillte një mesazh homologëve të tij palestinezë, ortodoksë dhe izraelitë se dialogu ndërfetar nuk ishte një gjë e re për të. Ai zbuloi se e kishte praktikuar një dialog të tillë për vite të tërë, në kohën kur shërbente si Kryepeshkop i Buenos Airesit, siç e dëshmojnë edhe miqtë e tij. Ai propozoi modelin e Buenos Airesit, si një recetë për t’u provuar në arenën globale. Duke injoruar pengesat dhe tabutë gjeopolitike kundrejt palestinezëve dhe Izraelit, ai u flet direkt aktorëve të tjerë, edhe me maturi, por edhe në një mënyrë pragmatiste dhe të drejtpërdrejtë.

Një papë i ri që eleminon ndarjet e vjetra

Në këtë përpjekje, atë e ndihmon fakti që është një Papë Amerikano-Latin, i pas Luftës së Ftohtë dhe në disa drejtime post-perëndimor. Dihet që Françesku nuk e njeh ndarjen Lindje-Perëndim – dhe ndoshta as atë Veri-Jug. Ai di vetëm që Kisha Katolike ka nevojë të hapet, të dalë prej sigurive të saj dhe të përpiqet të shtrihet sa më shumë. Dhe ai mendon që kufijtë e vjetër, si gjeopolitikë ashtu edhe mendorë, duhet të ribëhen. Françesku ndjek një strategji hap pas hapi, pa një objektiv të përcaktuar qysh në krye të herës, përveç se mundësinë për të zgjeruar lirinë fetare dhe shmangur luftërat.

Një Lindje e Mesme shumëpolare

Përpjekja për të nxitur paqen në Lindjen e Mesme nënkupton luftimin e tundimit për të ballkanizuar zonën me një fe të vetme, me shtete njëpartiakë. Kjo qasja e fundit është një rrugë e sigurtë drejt konfliktit të përjetshëm. Shumëpolarizmi shihet nga Selia e Shenjtë si mënyra më e mirë për të bërë të rëndësishme fuqinë e butë dhe diplomacinë si dhe për të patur ndikim mbi vendimet që merren, mundësisht duke zbutur tensionet e vjetër. 15 vitet e fundit kanë treguar se unipolarizmi gjeopolitik dhe strategjik i SHBA është i dalë mode, ashtu sikurse dhe unipolarizmi moral i Vatikanit.

Një lojë më e gjerë

Të dy janë pjesë e një loje më të gjerë, ku superioriteti i dikurshëm i Perëndimit dhe vlerave perëndimore është i sfiduar. Veprimi i Papës Francesk në shtator 2013, duke i dhënë një rol më të madh Vladimir Putinit për të shmangur konfliktin në Siri, u sugjerua prej rel-politikës dhe prej një leximi të qartë të aktorëve në terren. Në atë rast, ai foli sepse ishte momenti i duhur për të vepruar si duhej.

Pasi kontribuoi për shmangien e luftës në Siri dhe duke parë nga distanca zhvillimet në Ukrainë, Papa Françesku ka propozuar tani një hap përpara për Lindjen e Mesme, që me shumë gjasa është rajoni më i trazuar i botës. Ai po përpiqet të ndihmojë për të ndërtuar në mos paqen, të paktën një urë për një mjedis më shumë të fokusuar tek dialogu.

Dhe kjo korrepondon me prirjen e tij si një urëndërtues i sprovuar.

Ndërtimi i urave është bindja e tij, zgjedhja dhe nevoja e tij. Kisha katolike po dobësohet në botën arabe. Pakicat e krishtera po tkurren dhe persekutohen. Kështu që, Francesku ka nevojë shumë për dialogun. Dhe ai është gati të sakrifikojë një pjesë të madhe të fuqive të dikurshme të Vatikanit, për të patur rezultate. /the globalist/

Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button