Ekonomi

Frikërat e kapitalizmit të ri

Screen Shot 2015-04-30 at 10.50.19

Frikërat e kapitalizmit të ri Donald Sassoon

Integrimit progresiv të botës, të ashtuquajturit globalizim, i korrespondon kapitalizmi i tregut, një sistem që duket sikur nuk ka më nevojë që të mbrohet. Në Perëndim, askush nuk duket se i kundërvihet tërheqjes së tij universale. Në ekonomitë në zhvillim, debati përqëndrohet në atë se cili lloj kapitalizmi duhet të mbizotërojë. Fondamentalizmi islamik, “armiku i madh”, ka shumë pak për të dhënë në lidhje me çështjet ekonomike. Në perëndim jemi më të pasur se kurrë, por ka më pak barazi, sidomos gjatë dekadave të fundit. Endrra e vjetër e të majtës (barazia) është braktisur. Të gjithë duket se pranojnë që, rregullat aktuale ekonomike të shoqërisë janë të vetmet të pranueshme. Kapitalizmi funksionon. Eshtë e vërtetë, ka ende shumë njerëz që jetojnë në mjerim. Por, në Perëndim, këta janë pakicë. Nuk e rrezikojnë sistemin.

Revolta e rastit, shpërthimi i zemërimit popullor, dhuna që rritet në mënyrë jo të rregullt është pothuajse një pranim që kapitalizmi nuk duhet të përballë asnjë problem serioz politik. Një herë e një kohë, mendohej se “të dënuarit e Tokës” do të revoltoheshin kundër sistemit. Në të vërtetë, ata janë të irrituar për shkak se janë jashtë. Kush nuk është pjesë e botës së magjepsur të kapitalizmit konsumist, troket në derën e tij në një valë migrimi të paprecedentë. Sot, pasuria e madhe e akumuluar nga elitat ekonomike provokon zili dhe skandal, por mjetet që propozohen (taksimi, kontrolli i tyre) nuk e vënë në diskutim vlefshmërinë e kapitalizmit, por vetëm një prej rezultateve të tij më pak tërheqës.

Të shtypurit dhe të shfrytëzuarit janë larg, në vende të largët. Në një kapitull të “Kapitalit”, Marksi, i mbushur me zemërim, sjell lajmin e vdekjes për shkak të rraskapitjes të Mary Anne Ualkley, një rrobaqepëse 20-vjeçare që punonte, mesatarisht, 16 orë pa bërë pushim. Ishte viti 1863, kur Mary Anne dhe shokët e saj në fatkeqësi punonin shumë pranë konsumatorëve të produkteve të tyre, distanca mes Soho dhe Mayfair. 150 vjet më vonë, Mary Anne-t e kësaj bote ekzistojnë ende, por larg prej shkakut të mjerimit të tyre.

Demokratizimi i konsumit është ai që ka vulosur fitoren e kapitalizmit. Disa ekonomi komuniste kishin arritur të industrializoheshin, por asnjëra

prej tyre nuk kish arritur në suksesin më të lartë të kapitalizmit modern: shoqërinë e konsumit. Në dekadat e fundit të shekullit 19, një triumf kaq të qartë të kapitalizmit, pak kush e kishte parashikuar. Dhe kjo gjë shkaktonte ankth të dukshëm, madje edhe në Anglinë e begatë; dhe jo vetëm, ashtu si mund të mendohet, mes punëtorëve të shtypur dhe fshatarëve të kërcënuar prej ndryshimeve, por mes vetë klasave të mesme që kishin frikë nga gjithçka: nga kryengritja, nga pasiguria ekonomike, nga imigrantët hebrenj dhe irlandezë, nga kolera dhe lija, dhe mbi të gjitha nga të varfërit. Kishin të drejtë që kishin frikë. Revolucioni industrial që po përhapej në të gjithë Europën po sillte një tronditje të paprecedentë në strukturën shoqërore.

Debati mes elitave politike të kohës u zhvillua në një kontekst specifik: nga njëra anë pranimi se industrializimi ishte i pashmangshëm dhe i dëshirueshëm, dhe nga ana tjetër frika që ai do të destabilizonte sistemin. Cdo elitë kishte interpretimin e vet të kapitalizmit. Elitat liberale e përqafonin me entuziasëm, si një qëllim në vetvete. Do të zhdukte një herë e mirë mbetjet e feudalizmit, privilegjet e fisnikëve dhe klerikëve, do të çlironte sipërmarrjen, do të forconte shtetin dhe nxiste progresin dhe shkencën.

Elitat socialiste, ashtu si ato liberale, e pranonin pashmangshmërinë e kapitalizmit, forcën e tij progresiste, dhe i thurnin elozhe shkatërrimit sistematik të jetës rurale, me supersticionet dhe besimet e saj të vjetra fetare. Socialistët luftonin për reforma sociale, për shtrirjen e demokracisë, për një

limit të ditës së punës. Po sa më shumë që përmbusheshin kërkesa të tilla, aq më i pranueshëm bëhej sistemi. Paradoksalisht, socialistët, duke reformuar kapitalizmin, në fakt kontribuan për stabilizimin e tij.

Kjo shpjegon, të paktën pjesërisht, arsyen përse ka patur, deri disa dekada më parë, kaq pak parti politike të masës me të vërtetë filokapitaliste. Mes viteve 1880 dhe 1980 kemi patur, të paktën në Europë, parti socialiste dhe komuniste, parti kristiano-sociale, parti agrare, parti populiste, parti nacionalisto-patriotike (golistët në Francë, konservatorët në Britaninë e Madhe) dhe më pas parti të ndryshme fashiste dhe antidemokratike, por jo parti liberale të masës, që të mbrojnë me shpatë në dorë tregun pa “regulation”.

Aty nga fundi i shekullit 19, shtetet e shumtë që dëshironin të arrinin vendin pararojë, domethënë Britaninë e Madhe, nuk kishin zgjedhje tjetër përveçse të forconin shtetin e tyre. Pa një shtet të fortë, nuk mund të kishte zhvillim. Ideja që kjo u duhej lënë sipërmarrësve nuk merrej seriozisht. Kapitalistëve shpesh herë u është dashur të shpiken, të nxiten dhe mbrohen. Ka kaluar më shumë se një shekull dhe kapitalizmi është rritur, është bërë global, dhe tani dëshiron të çlirohet nga përqafimi i shtetit, ai shtet që e ka bërë.

Duke qenë se kapitalizmi ka prirje të forta anarshiste, zbutja e tij për ta shpëtuar është thelbësore. Kapitalistët nuk e kontrollojnë kapitalizmin. Janë ata vetë (kështu mendonte edhe Adam Smithi, edhe Karl Marksi) të burgosur të një tërësie marrëdhëniesh sociale, në të cilat gjithësecili

përpiqet të përmirësojë pozicionin e tij ekonomik në injorancën e asaj që do u ndodh të tjerëve, apo që do të ndodhë më vonë. Sigurisht, kapacitetet sipërmarrëse janë një faktor i rëndësishëm në garën mes atyre që fitojnë dhe atyre që humbasin. Por fatet e konkurrencës përcaktohen edhe nga shkaqe të jashtëm, si disponueshmëria e lëndëve të para, vendimet e marrë nga të tjerët, por edhe nga fati. Sot, kapitalizmi duhet të përballet me një prpoblem të ri: jo më luftën e klasave, apo aspiratat revolucionare të të “dënuarve të tokës”, por limitet ekologjikë të zhvillimit. Paradoksalisht, demokracia është një pengesë. Do të ishte realiste të prisnim që kinezë dhe indianë që synojnë të shijojnë një stil jetese “perëndimor”, të rikthehen paqësisht në konsumin spartan të të djeshmes. Pra, a mundet kapitalizmi të vazhdojë marshimin e tij triumfues

dhe global, pa e dëmtuar globin? Kjo është pyetja më e rëndësishme, e cila shkakton vetë ankthin që e ka shoqëruar gjithmonë kapitalizmin.
*Profesor i Historisë Krahasuese Europiane

Perkthimi: e.gj./Bota.al

Leave a Reply

Back to top button