Teorikisht, nuk i përket asnjë shteti të vetëm. Por ka vende që nuk bien dakord me këtë. Ata nuk duan akullin, por atë që ndodhet brenda shtratit të oqeanit: shumë depozita nafte dhe gazi
Supozoni që shponi një vrimë në shtresën e akullit në pikën më veriore të Tokës: Polin Verior gjeografik. Më pas ulni një kamera, të lidhur pas një kablli. Cfarë do të mund të rregjistronte kamera?
Në metrat e parë, ka vetëm akull. Më pas, kamera zhytet në ujë, mbi të cilin lundron shtresa e trashë e akullit të Polit të Veriut. Kamera ulet ngadalë në ujërat shumë të ftohtë të Oqeanit Arktik. Nuk shihen shumë bimë detare. Shumica e peshqve që jetojnë këtu, e gjejnë ushqimin në shtratin e detit. Por ka ende shumë distancë për të përshkuar, deri atje.
Kamera arrin në fund të detit, vetëm pasi ka përshkuar një distancë prej 4 km, mu poshtë Polit të Veriut. A mund të shohim ndonjë gjë? Kamera “hedh një sy” rreth e rrotull. Pastaj, krejt papritur shfaqet diçka, që ti nuk e pret. Eshtë një flamur, i ngulur në fund të detit. Flamuri është bërë me titan, i cili i reziston ndryshkut. Eshtë një flamur trengjyrësh: e bardhë, blu, e kuqe. Flamuri i Rusisë.
Në Rusi u festua pothuajse si festë kombëtare, në vitin 2007, momenti i nguljes së këtij flamuri. Dy nëndetëse ruse, në bordin e të cilave kishte studiues, kishin zbritur në fundin e Oqeanit Arktik për të mbledhur mostra. Ishte një ngjarje e shënuar, por pas kthimit të tyre, të gjithë në Perëndim folën vetëm për flamurin që kishin vendosur studiuesit. Cfarë mesazhi po i dërgonte Rusia pjesës tjetër të botës? A po pretendonin se Poli i Veriut ishte i tyri? Dhe a mund ta ngrinin këtë pretendim, duke ngulur një flamur?
Vetëm flamuri nuk mjafton
Për t’iu përgjigjur menjëherë pyetjes së fundit: jo, nuk mund të pretendosh një copë tokë, thjeshtë duke ngulur një flamur mbi të. Ky nuk ishte as qëllimi i astronautëve amerikanë, që vendosën flamurin e tyre në Hënë. Eshtë thjeshtë zakon të lësh një flamur pas, kur je i pari që shkel një destinacion të caktuar. Dhe kështu duhet të shihet flamuri rus në fundin e Oqeanit Arktik, shpjeguan rusët.
Por gjithësesi, ka një dallim. Amerikanët nuk pretenduan asnjëherë se donin të zotëronin Hënën. Nga ana tjetër, Rusia ka pretenduar se i takojnë pjesë të mëdha të zonës së Polit të Veriut. Dhe Rusia nuk është i vetmi vend që e thotë këtë. Danimarka (përmes Groenlandës), Kanadaja, Norvegjia dhe SHBA pretendojnë gjithashtu pjesë të mëdha. Asnjë prej tyre nuk është vërtetë e interesuar në akullnajat e pafundme mbi sipërfaqe. Ato duan atë që gjendet poshtë shtratit të oqeanit: rezervat e mëdha të naftës dhe gazit.
Fundi bëhet më i arritshëm
Arktiku, sa kohë që ndodhet jashtë ujërave territorialë të vendeve që e rrethojnë, nuk i përket asnjë shteti. As edhe Poli Verior gjeografik. Cdokush lejohet të shkojë atje, ashtu sikurse çdokush është i lirë të lundrojë në det të hapur, apo të shkojë në Hënë. Asnjë shtet nuk ka më shumë të drejta se të tjerët. Gjithësesi, një betejë po ndodh për Polin e Veriut. Kjo është nxehur në vitet e fundit, për shkak se akulli po shkrin prej ngrohjes globale. Kjo gjë e bën më të lehtë arritjen e shtratit të oqeanit, dhe rrugët detare për anijet po hapen më shpesh, prej shkrirjes së akujve. Vendet e përfshirë e patrullojnë rajonin me avionë dhe anije ushtarake, për të treguar se e kanë seriozisht pretendimin e tyre.
Ky mal është yni!
Fatmirësisht, asnjë e shtënë nuk është dëgjuar deri tani në betejën për Polin e Veriut. Për momentin, janë kryesisht avoketërit dhe diplomatët që udhëheqin luftimet. Zyrtarisht, Poli i Veriut nuk i përket askujt, por ka disa rregulla që gjejnë zbatim. Një rregull është se çdo shtet kufitar me Polin e Veriut (ashtu si gjithë shtetet që kanë vijë bregdetare), ka zonën e vet ekskluzive ekonomike. Kjo shtrihet deri 370 kilometra përtej vijës së tij bregdetare. Këtu, një shtet mund të gërrmojë për minerale, mund të peshkojë dhe kryejë kërkime shkencore. Dhe kjo vlen edhe për zonat ekonomike të “vendeve të Polit të Veriut”. Megjithatë, problemi qëndron në faktin që ata të gjithë duan një zonë më të madhe për veten.
Një vend mund të pretendojë një copë më të madhe të shtratit të oqeanit për veten e tij, atëherë kur mund të vërtetojë se ajo copë i përket masës tokësore nënujore të tij. Kjo “pjesë kontinentale” është një pllajë brenda detit, e cila është pjesë e kontinentit dhe është në mënyrë të konsiderueshme më e lartë se sa shtrati i oqeanit që e rrethon. Një vend që mund të vërtetojë se ka më shumë pjesë kontinentale nënujore, mund të pretendojë gjithashtu një zonë më të madhe ekonomike.
Në rastin e Polit të Veriut, disa shtete përpiqen të vërtetojnë se janë “pronarë” të maleve që ndodhen në fund të Oqeanit Arktik. Eshtë kurrizi malor Lomonosov, që shtrihet nga Siberia deri në Groenlandë, dhe përshkon zonën e Polit të Veriut. Si Rusia, edhe Danimarka pretendojnë se kurrizi 1800 km i gjatë është i tyri. Duke marrë mostra të shtratit, ata duhet të vërtetojnë se kurrizi malor i përket kontinentit të tyre nga pikëpamja gjeologjike, dhe të vendet shpresojnë të kenë të drejtë. Prej këtu buroi edhe misioni i ndëndetëseve ruse në vitin 2007.
OKB shqyrton pretendimet
Janë Kombet e Bashkuara që vendosin nëse një shtet ka të drejtë për pretendimet e tij. Ato kanë hartuar traktate me rregulla në lidhje me menaxhimin e oqeaneve. Një komitet special i OKB këqyr pretendimet e shteteve, në lidhje me përmasën e pjesës kontinentale. Duhen vite përpara se të merret nëj vendim, sepse kërkimet gjeologjike në shtratin e oqeanit janë shumë të kushtueshëm dhe kërkojnë kohë. Gjithashtu, nëse ka një raport shkencor specifik, secili shtet duhet të shpjegojë që zbulimet janë në avantazh të tij. Ka edhe një tjetër mungesë avatnazhi: vendimi i OKB nuk është detyrues. Sido që të shkojë, vendet e përfshirë do të duhet ët gjejnë zgjedhjet e tyre.
Me shumë gjasa do të jenë politikanët që do të ndajnë thesaret në fundin e Oqeanit Arktik. Nuk është problem nëse merren vesh, por për momentin, pretendimet e Rusisë nuk po shihen me sy të mirë nga të tjerët. Dhe e anasjellta. Cfarë do të ndodhte nëse Rusia thjeshtë do të fillonte shpimet për naftës, dhe nuk do të pyeste fare se çfarë do të thoshin të tjerët? Askush nuk e di.
Stimul i madh
Gjithashtu, Poli i Veriut nuk është se do të mbushet em pajisje për nxjerrje nafte, sapo OKB të hapë dritën jeshile. Drejtori i një kompanie suedeze nafte shpjegoi vitin që kaloi, se do të duhen afro 15 vite përpara se të nisë prodhimi i naftës në Arktik. Kompanitë e naftës nuk janë shumë të nxitura për investime të reja, për shkak të të ardhurave të ulëta nga shpimet për naftë. Eshtë shumë e kushtueshme, sepse njerëzit dhe makineritë do të duhet të mbrohen nga stuhitë e të ftohtit. Gjithashtu, zona është praktikisht e pazhvilluar. Portet janë shumë larg. Kalimi me anije duhet bërë patjetër në seri, me një akullthyerës në krye. Dhe ka probleme të sigurisë. Mendoni ajsbergët lundrues në zonë: duhet të sigurohesh që nuk do të të krijojnë probleme. Po kështu, ka protesta nga organizata mjedisore si Greenpeace, që janë kundër shpimeve për naftë në Arktik, për shkak se do të dëmtohet ekosistemi.
Jo, nuk do të jetë e thjeshtë. Por stimuli është shumë i madh: 13% e rezervave ende të pazbuluara të naftës dhe pothuajse një e treta e rezervave të gazit ndodhen në zonën e Polit të Veriut. Kjo është arsye e mjaftueshme për të kërkuar pronësinë e rajonit.
Braintainment – Bota.al