Analiza

Fundi i Reaganit dhe Thatcherit

Ishte një histori dashurie: platonike, por gjithësesi histori dashurie. Siç thoshte atëherë një diplomat amerikan, presidenti Ronald Reagan dhe Margaret Thatcheri ishin shpirtëra binjakë, politikë dhe filozofikë”. Kështu shkruan në “Financial Times” gazetari i njohur i ekonomisë, Martin Wolf. “Lidhja mes Reaganit dhe Thatcherit siguroi rikthimin e idealeve të tregut të lirë. Të dy donin të zvogëlonin atë që mendonin se ishte bërë një shtet shumë ndërhyrës dhe i paaftë. Martesa e tyre ideologjike nuk u kufizua në dhënien e një forme të re politikës dhe politikave të vendeve të tyre. Shkoi më tej, duke u dhënë formë atyre të të gjithë botës. Por të flasim për të sotmen. Në fjalimin e tij të inaugurimit në janar, Donald Trumpi nuk e përmendi ‘qytetin që shndërrin lart mbi kodër’ të Reaganit. Ai foli për ‘kasaphanë amerikane’. Pra ka patur shumë më tepër se thjesht një ndryshim humori”.

Për Martin Wolf, në fakt, trumpismi nuk hyn as në shenjën e konservatorizmit tradicional, aq më pak në atë të reaganizmit: është thjesht “populizëm i djathtë”. Duhet konsideruar pastaj Theresa May, kryeministrja britanike, që “e refuzon thatcherizmin në mënyrë edhe më eksplicite se sa Trumpi reaganizmin. (…) Trumpi në fund propozon një pluto-populizëm, domethënë politika nga të cilat përfitojnë plutokratët, justifikuar nga një retorikë populiste. Ndërsa May, është rikthyer tek interventizmi i Harold Macmillanit, kryeministër mes viteve 1957 dhe 1963. Kur liberali Friedrich von Hayek (një prej heronjve intelektualë të epokës Thacher) ua dedikoi “Rruga e skllavërimit”, botuar në vitin 1944, ‘socialistëve të të gjithë partive’, kishte parasysh njerëz të tillë.

Cfarë i shpjegon këto zhvendosje drejt destinacioneve ideologjike kaq të ndryshme? Besimi tek dobia e tregut të lirë, tregtisë së lirë dhe lëvizjes së lirë të njerëzve, ka humbur në të dy vendet. Mendimi konservator është bërë më tribal, më pak global. Traditat ideologjike të dy vendeve janë rikthyer në rrënjët e tyre të ndryshme: paternalizmi hierarkik i konservatorizmit anglez; populizmi jacksonian në Shtetet e Bashkuara.

Jo vetëm Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar gjenden në dy pozicione ideologjike të ndryshme, por asnjë vend tjetër i botës nuk është duke promovuar besimin optimist dhe largpamës të tregjeve të lirë të epokës së Reaganit dhe Thatcherit. (…)

Ka megjithatë diçka inkurajuese tek Emmanuel Macroni, presidenti francez që në vendin e tij ka kuptuar këtë situatë (domethënë mosbesimin në shoqërinë e hapur dhe nevojën për t’i bashkëngjitur liberalizmit globalist, një sistem të fortë të sigurisë shoqërore) duke marrë si shembull modelin skandinav të ekonomisë dinamike, me nivele të larta të mbrojtjes sociale.

Nëse traditat politike do të duhet të rinovohen, kjo duhet bërë duke u hapur ndaj ideve që vijnë prej të tjerëve. Anglo-amerikanët duhet të kenë kurajë dhe të ndjekin rrugën e nisur nga Macron”. / Përgatiti: bota.al

Leave a Reply

Back to top button