Analiza

Fundi i kombeve. Tani duhet të fillojmë të imagjinojmë

Na pëlqen apo jo, shoqëritë tona ndoshta janë duke përjetuar këtë tranzicion. Por ende nuk mund të imagjinojmë që nuk ka më shtete. Por të pranojmë se ata ishin zgjidhje të përkohshme për situata historike specifike mundet që vetëm të na ndihmojë të menaxhojmë një tranzicion për çfarëdo që të kemi nevojë më pas. Strukturat me të cilat ne menaxhojmë punët tona po bëhen gati të ndryshojnë. Koha të fillojmë të imagjinojmë

vijon nga dje

ukraGjendje e natyrshme?
Pasi Europa kishte krijuar modelin e shtetit-komb dhe kishte përparuar, thotë Breuilly, të gjithë donin të ndiqnin shembullin e saj. Në fakt, sot është e vështirë të mendosh që do të mund të kish patur ndonjë rrugë tjetër. Por a është një strukturë që u shfaq spontanisht prej kompleksitetit të revolucionit industrial, mënyra më e mirë për të udhëhequr punët tona?
Sipas Brian Slattery i York University në Toronto, Kanada, shtetet-kombe vazhdojnë të lulëzojnë për shkak të një besimi të përhapur gjerësisht se “bota është natyrshëm e përbërë nga grupe homogjenë kombëtarë apo fisnorë, të cilët zënë pjesë të ndryshme të globit, dhe pretendojnë përkatësinë parësore të shumicës së popujve”. Por kërkimet antropologjikë nuk e konfirmojnë këtë, thotë ai. Edhe në shoqëritë fisnore, pluralizmi etnik dhe kulturor ka qenë gjithmonë i përhapur. Shumëgjuhësia është e zakonshme, kulturat shkrihen me njëra-tjetrën, dhe grupet gjuhësorë dhe kulturorë nuk janë të përputhur.
Veç kësa, njerëzit kanë gjithmonë një ndjesi që i përkasin grupeve të ndryshëm bazuar nërajonin, kulturën, prejardhjen dhe më shumë. “Pretendimi që identiteti dhe mirëqenia e një njeriu janë të lidhur në mënyrë qëndrore me mirëqenien e grupit kombëtar është i gabuar, thjeshtë duke u nisur edhe prej fakteve historikë”, thotë Slattery.
Atëherë, ndoshta nuk ka pse habitemi që modeli i shtetit-komb dështon kaq shpesh: që nga vitet 1960 ka patur më shumë se 180 luftëra civile në gjithë botën.
Për konflikte të tillë, shpesh herë fajësohen tensionet etnikë ose sektarë. Shtetet e dështuar, si për shembull Siria sot, janë tipikisht të copëtuar prej dhunës përgjatë vijave të tilla. Sipas idesë që shtetet-kombe duhet të përbëhen nga vetëm një komb, për këta dështime shpesh herë është fajësuar trashëgimia koloniale e bashkimit në një komb të disa popujve, brenda kufijve të panatyrshëm.
Por për çdo Siri apo Irak, ka një Singapor, Malajzi apo Tanzani, që shkojnë shumë mirë, pavarësisht se kanë shumë gruoe “kombëtarë”. Ndërkohë, shtete imigrantë në Australi dhe në Amerika krijuan kombe unikë, në një diversitet fillestar shumë i madh.
Nga se vjen ky ndryshim? Ndërkohë që etnia dhe gjuha janë të rëndësishme, ajo që ka me të vërtetë rëndësi është burokracia. Kjo është e qartë në shumëllojshmërinë e fateve të shteteve të pavarur të Europës që u krijuan pasi perandoritë europiane u shpërbënë pas Luftës së Dytë Botërore.
Sipas mitologjisë së nacionalizmit, gjithë sa u nevojitej atyre ishte një territor, një flamur, një qeveri kombëtare dhe njohja nga OKB. Në fakt, ajo për të cilën kishin vërtetë nevojë ishte një burokraci komplekse.
Disa ish koloni që kishin një farë burokracie komplekse u shndërruan në demokraci, si për shembull India. Të tjera nuk u bënë, sidomos ato si ish Kongo belge, sundimtarët kolonialë të të cilave thjeshtë kishin marrë prej aty burimet natyrore. Shumë prej këtyre u shndërruan në diktatura, të cilat kërkojnë një burokraci shumë më të thjeshtë se sa demokracitë.
Diktaturat i acarojnë përplasjet etnike, sepse institucionet e tyre nuk nxisin identifikimin e qytetarëve me kombin. Në situata të tilla, njerëzit rendin drejt aleancave të besuara e që bazohen tek afërsia familjare, gjë e cila krijon shoqëri si e Dunbarit. Qeveri të pasigurta që bëjnë aleanca me grupe etnikë favorizojnë grupin e tyre etnik, ndërkohë që mes grupeve të tjerë rritet zemërimi – dhe konflikti që pason mund të jetë i ashpër.
Studime të kohëve të fundit konfirmojnë se problemi nuk është diversiteti etnik në vetvete, por një përfshirje e pamjaftueshme zyrtare. Vende që kanë pak diversitet etnik historik tani duhet ta mësojnë këtë rrugës, teksa njerëzit migrojnë për të gjetur punë në një ekonomi të globalizuar.
Rezultati i kësaj mund të varet nga mënyra si njerëzit vetë-segregohen. Njerëzve u pëlqen të kenë përreth njerëz si vetvetja, dhe rezultat i kësaj mund të jenë enklavat etnike. Jennifer Neal e Michigan State University ka përdorur modele për të zbuluar efektet e kësaj në fqinjësitë e qyteteve. Puna e saj sugjeron që enklavat promovojnë kohezionin social, por me koston e rënies së tolerancës mes grupeve. Zgjidhja mund të jetë enklava të vogla pranë e pranë mes tyre.
Por në çfarë shkalle? Bar-Yam thotë se komunitetet ku njerëzit janë të përzier mirë – si në Singaporin paqësor, ku enklavat shkurajohen aktivisht – kanë prirjen të mos kenë acarime etnikë.  Enklavat më të mëdha mund të nxisin edhe stabilitetin. Duke përdorur modele matelikatë për lidhjen e madhësisë së enklavave me shpeshtësinë e tensioneve etnikë në Indi, Zvicër dhe ish Jugosllavi, ai zbuloi se enklava 56 kilometra ose më shumë të gjera sjellin bashkëekzistencë paqësore – sidomos nëse janë të ndara prej barrierave të natyrshme gjeografike.
26 kantonet e Zvicrës, për shembull, që kanë gjuhë dhe besime të ndryshëm, e plotësojnë testin hapësinor të Bar-Yamit – përveç njërës. Një enklavë frëngjisht-folëse në Bernën gjermanisht-folëse ka qenë e vetmja që ka përjetuar një trazirë të madhe në historinë e vonë të Zvicrës. U zgjidh duke e bërë një kanton të veçantë, Jura, që i përmbush kriteret.
Por, përsëri etnia dhe gjuha janë vetëm një pjesë e historisë. Lars-Erik Cederman i Institutit Federal Zviceran të Tekbologjisë në Zyrih argumenton se kantonet zviceranë kanë arritur paqen jo përmes përshtatjes gjeografike të kufijve, por përmes marrëveshjeve politike që u kanë dhënë kantoneve autonomi të konsiderueshme si dhe një pjesë në vendimet kolektivë.
Po kështu, duke përdorur një bazë të dhënash për të analizuar luftërat civile që nga viti 1960, Cederman zbulon se tensioni është në fakt më i mundshëm në vende me më shumë diversitet etnik. Por një analizë e kujdesshme konfirmon se problemet lindin jo vetëm nga diversiteti, por kur grupe të caktuar përjashtohen sistematikisht nga pushteti.
Qeveritë me politikë të bazuar mbi etninë kanë qenë veçanërisht të dobëta. SHBA krijoi pikërisht një qeveri të tillë në Irak pas pushtimit të vitit 2003. Përjashtimi i sunitëve nga shiitët bëri që kryengritësit të shpallnin një shtet sunit në territoret e pushtuar në Irak dhe në Siri. Duke i qëndruar mitologjisë së shtetit komb, ata refuzojnë kufijtë kolonialë të Irakut dhe Sirisë, teksa imponojnë “kombe” të ndryshëm që të bashkohen.
Spastrim etnik
Megjithatë, zgjidhja nuk mund të jetë imponimi i uniformitetit etnik. Historikisht, i ashtuquajturi spastrim etnik ka qenë i përgjakshëm, dhe uniformiteti “kombëtar” nuk është garanci për harmoninë. Në çdo rast, nuk ka një definicion të mirë të një grupi etnik. Etnitë e shumë popujve janë të përzierë dhe ndryshojnë me “motin” politik: numrat e atyre që pretendonin të ishin gjermanë në territorin e Sudetenland të aneksuar nga Hitleri ndryshoi dramatikisht përpara dhe pas luftës. Pretendimet e rusëve për rusisht-folësiht në Ukrainën lindore janë njësoj jobindës.
Edhe studimi i Bar-Yam, edhe ai i Cederman ofrojnë një përgjigje për diversitetin brenda shteteve-kombe: delegoja pushtetin komuniteteve lokalë, siç kanë bërë shtete shumëkulturorë si Belgjika dhe Kanadaja.
“Kemi nevojë për një konceptim të shtetit si një vend ku shoqërimet, gjuhët dhe fetë e shumta mund të jenë të sigurtë dhe të lulëzojnë”, thotë Slattery. “Ky është ideali që Tanzania ka përqafuar dhe duket se funksionon shumë mirë”. Tanzania ka më shumë se 120 grupe etnikë dhe afro 100 gjuhë.
Në fund, ajo që mund të ketë më shumë rëndësi se sa etnia, gjuha apo feja, është ekonomia. Shkalla e nevojshme për prosperitetin mund të ketë ndryshuar me teknologjinë – Estonia e vogël është një fituese në drejtim të teknologjisë – por një shtet i vogël gjithësesi mund të mos ketë fuqi të mjaftueshme për të konkuruar.
Kjo është një arsye përse Estonia është një anëtar kaq entuziast i Bashkimit Europian. Pas luftërave shkatërrimtare në shekullin 20, vendet europianë u përpoqën të ndalojnë luftën e mëtejshme duke integruar industritë e tyre bazë. Ky projekt, që më vonë u bë Bashkimi Europian, tani u ofron vendeve anëtarë pikësëpari ekonomi të shkallës, përmes prodhimit dhe më pas shitjes në tregun e përbashkët më të madh që ka bota.
Ajo që BE nuk arrin të frymëzojë është besnikëria e llojit nacionalist – që Malesheviç mendon se sot mbështetet mbi nacionalizmin “banal”të sportit, himneve, programeve televizivë, madje edhe konkurset e muzikës. Kjo nënkupton që aleancat e europianëve nuk identifikohen më me njësinë politike që menaxhon pjesën më të madhe të qeverisjes së tyre.
Ironikisht, thotë Jan Zielonka i Universitetit të Oksfordit, BE ka shpëtuar shtetet-kombe të Europës, të cilët tani janë shumë të vegjë për të konkuruar individualisht. Thirrja nga partitë nacionaliste për “të rimarrë pushtetin nga Brukseli”, argumenton ai, do të çonte në vende më të dobët dhe jo më të fortë.
Ai sheh një problem të ndryshëm. Shtetet-kombe u rritën nga hierarkitë komplekse të revolucionit industrial. BE i shton një tjetër shtresë hierarkie – por pa një integrim të mjaftueshëm nën vete. Në fakt, i mungojnë të dy kushtet e nevojshëm të Malesheviçit: ideologjia nacionaliste dhe burokracia integruese.
Por edhe kështu, BE mund të tregojë rrugën drejt një bote të pas shteteve-kombe.
Zielonka bie dakord se integrimi i mëtejshëm i sistemeve qeverisës të Europës është i nevojshëm, teksa ekonomitë bëhen më të ndërvarura. Por ai thotë se hierarkia shpesh herë e paralizuar e Europës nuk mund ta arrijë këtë. Në vend të kësaj, ai sheh një zëvendësim të hierarkisë me një rrjet qytetesh, rajonesh e madje edhe organizatash joqeveritare. Ju tingëllon e njohur? Mbështetësit e quajnë neo-mesjetarizëm.
“Struktura e ardhshme dhe ushtrimi i pushtetit politik do i ngjajë modelit mesjetar më shumë se sa atij Vesfalian”, thotë Zielonka. “I dyti ka të bëjë me përqëndrimin e pushtetit, sovranitetin dhe identitetin e qartë”. Neo-mesjetarizmi, nga ana tjetërnënkupton autoritete të mbivendosur, sovranitet të ndarë, identitete dhe institucione qeverisës të shumtë, dhe kufij të paqartë.
Anne-Marie Slaughter e Princeton University, një ish ndihmës sekretare shteti, sheh gjithashtu që hierarkitë po i lënë vendin rrjeteve globalë kryesisht të ekspertëve dhe burokratëve nga shtetet-kombe. Për shembull, qeveritë tani punojnë më shumë përmes rrjeteve fleksibël si G7 (ose 8, ose 20) për të menaxhuar problemet globalë, se sa përmes hierarkisë së OKB-së.
Ian Goldin, kreu i Oxford Martin School në Universitetin e Oxfordit, që analizon problemet globalë, mendon se duhet të dalin rrjete të tillë. Ai beson se institucionet ekzistues si agjencitë e OKB dhe Banka Botërore janë strukturalisht të paaftë të merren me problemet që shfaqen prej ndërlidhësisë globale, si paqëndrueshmëria ekonomike, sëmundjet, ndryshimi i klimës dhe siguria kibernetike – pjesërisht sepse ato janë hierarki të shteteve anëtarë që vetë nuk munden të përballojnë këta probleme globalë. Ai citon Slaughterin: “Problemet e rrjeteve kërkojnë një zgjidhje rrjetesh”.
Sërish, arsyen e shpjegojnë sistemet e sjelljes dhe limitet e trurit të njeriut. Bar-Yam thotë se në një hierarki, personi që është në krye duhet të jetë në gjendje të ketë në majë të gishtave të gjithë sistemin. Kur sistemet janë shumë kompleksë për t’u rrokur nga një mendje njerëzore, ai argumenton se ata duhet të zhvillohen nga hierarkitë, në rrjete ku askush nuk është në krye.
Ku i lë kjo shtetet-kombe? “Ata mbeten mbajtësi kryesor i pushtetit në botë”, thotë Breuilly. Dhe ne na duhet fuqia e tyre për të ruajtur sigurinë personale që ka mundësuar rënien në pikën më të ulët të dhunës njerëzore.
Vec kësaj, thotë Dani Rodrik i Institutit të Princetonit për Studime të Përparuara, vetë ekonomia e globalizuar që po lejon këta rrjete të zhvillohen ka nevojë për diçka apo dikë që të shkruajë dhe zbatojë rregullat. Shtetet-kombe janë aktualisht të vetmit entitete aq të fuqishëm sa ta bëjnë këtë gjë.
Megjithatë, limitet e tyre janë të qartë, si në zgjidhjen e problemeve globalë, ashtu edhe në zgjidhjen e problemeve rajonalë. I njohur si subsidiariteti, ky është një parim themelor i BE-së: ideja që qeveria duhet të veprojë në atë nivel ku është më efektive, me qeveri lokale për probleme lokalë dhe fuqi më të larta në shkallë më të larta. Ka prova empirike që funksionon: sistemet socialë dhe ekologjikë mund të qeverisen më mirë kur përdoruesit e tyre vetëorganizohen, se sa kur udhëhiqen nga liderë të jashtëm.
Megjithatë, është e vështirë të shohësh se si sistemi ynë politik mund të zhvillohet në mënyrë koherente në atë drejtim. Shtetet kombe mund të ecin në atë rrugë si përmes delegimit, ashtu edhe përmes rrjetëzimit për të arritur objektiva globalë. Me ndryshimin e klimës, mund të argumentohet se e kanë bërë tashmë.
Ka një alternativë ndaj zhvillimit në një botë të globalizuar me rrjete të shumtë, neo-mesjetare apo jo, dhe kjo është kolapsi.
“Shumica e sistemeve hierarkikë kanë prirjen të jenë të rëndë nga lart, të kushtueshëm dhe jo të aftë t’i përgjigjen ndryshimit”, thotë Marten Scheffer i Vaneningen University në Holandë. “Tensioni që rezulton mund të çlirohet përmes kolapsit të pjesshëm”. Për shtetet kombe, kjo mund të jetë gjithçka, që nga mbizotërimi i qyteteve, deri tek anarshia e stilit iraken. Një perspektivë e pasigurtë, por ka edhe një anë të mirë. Kolapsi, thonë disa, është shkatërrimi krijues që lejon daljen e strukturave të reja.
Na pëlqen apo jo, shoqëritë tona ndoshta janë duke përjetuar këtë tranzicion. Por ende nuk mund të imagjinojmë që nuk ka më shtete. Por të pranojmë se ata ishin zgjidhje të përkohshme për situata historike specifike mundet që vetëm të na ndihmojë të menaxhojmë një tranzicion për çfarëdo që të kemi nevojë më pas. Strukturat me të cilat ne menaxhojmë punët tona po bëhen gati të ndryshojnë. Koha të fillojmë të imagjinojmë.
FUNDI I PJESES SE DYTE
PERSHTATUR NE SHQIP NGA: www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button