Fillimisht, zyra e Kryeministrit u përpoq ta minimizojë si një “çështje private”. Por përfshirja e babait të vdekur të David Cameronit në skandalin e Panama Papers është shndërruar shumë shpejt në një tornado që rrezikon seriozisht të ardhmen e kryeministrit britanik. Dje në mëngjes të gjithë gazetat e kanë vënë nën akuzë, duke i kërkuar të sqarojë nëse edhe ai dhe familja e tij përfitojnë apo kanë përfituar nga llogaritë offshore të studios Mossack Fonseca në Karaibe. Pak pë vonë, udhëheqësi laburist Jeremy Corbin propozoi një hetim publik për shmangës të mundshëm fiskalë në Britaninë e Madhe të lidhur me këtë skandal, një heti që duhet të përfshijë “edhe kryeministrin dhe familjen e tij”.
Në këtë pikë, gjatë një takimi në Birmingam, i rrethuar nga gazetarët, Cameroni nuk mund të mos përgjigjej. “Nuk zotëroj aksione, fonde apo tituj”, ka thënë, “jetoj me rrogën si kryeministër, jam pronar i shtëpisë ku banoja përpara se të transferohesha në Doëning Street, nuk kam tjetër”.
Megjithatë në vijim, një zëdhënës ka shtuar se zonja e parë Samantha Cameron ka disa aksione të trashëguara nga babai. The Guardian, duke analizuar këto fjalë, ka vënë në dukje se Cameroni nuk ka saktësuar nëse ka investuar para në llogaritë offshore në të kaluarën, apo nëse do të jetë në ndonjë mënyrë përfitues në të ardhmen. Pra, jo gjithcka është e sqaruar.
Me gjysmën e partisë në revoltë për pozicionin e tij në favor të qëndrimit në BE, në referendumin e qershorit, kryebashkiakun e Londrës, Boris Johnson që synon t’i marrë vendin, kryeministri britanik nuk ka qenë kurrë në kaq shumë vështirësi që kur mori pushtetin gjashtë vjet më parë. Muajin e ardhshëm Cameroni organizon në Londër një samit ndërkombëtar për luftën ndaj korrupsionit, që duhej të demonstronte angazhimin e tij kundër parajsave fiskale, duke përfshirë ato në Karaibe, që janë në zotërim të Mbretërisë së Bashkuar. Tani dyshimet për shmangie fiskale bien edhe mbi të./bota.al