Histori

FYHRERI – FRANKOS / I dashur Caudillo, hyr tani ne lufte!

I dashur CaudilloDOSSIER / Letërkëmbimi i Adolf Hitlerit me Mbretin e Spanjës, Franko. Në letrën e parë që po publikojmë, Fyhreri i kërkon Gjeneralit që të mos bishtnojë dhe të bashkohet me forcat e Boshtit

I DASHUR CAUDILLO!

E shkruaj këtë letër e qëllimin për të përcaktuar edhe një herë me qartësi të skajshme, fazat individuale të zhvillimit të një situate e cila është e rëndësishme jo vetëm për Gjermaninë dhe Italinë, por mund të ketë rëndësi vendimtare edhe për Spanjën.

Kur zhvilluam takimin tonë, qëllimi im ishte të të bindja ty, Caudillo, për domosdoshmërinë e veprimeve të përbashkët të atyre shteteve që, në një analizë përfundimtare, janë të lidhur pazgjidhshmërisht me njëri-tjetrin. Për shekuj të tërë, Spanja është persekutuar nga të njëjtët armiq kundër të cilëve janë të detyruar të luftojnë sot Gjermania dhe Italia. Përveç goditjeve të mëhershme imperiale armiqësore ndaj tre kombeve tanë, tashmë, ngrihen antiteza të kushtëzuara nga panorama mbarëbotërore: demokracia ndërkombëtare hebreje, e cila mbisundon në këta shtete, nuk do të justifikojë asnjërin prej nesh për faktin që kemi ndjekur një kurs, i cili synon të sigurojë të ardhmen e popujve tanë, në përputhje me parimet themelore të vendosura nga popujt dhe jo ato të vendosura nga paritë.

Sa i përket vendosmërisë së Gjermanisë për të vazhduar këtë luftë deri në rezultatin e saj përfundimtar, nuk ka nevoj ë të harxhoj fjalët. Edhe Duçja kështu mendon. Në bazë të kësaj analize, edhe populli japonez, në një periudhë afatgjatë nuk do të jepet, përveçse në ndonjë lëshim që mund të bëhet duke sakrifikuar të ardhmen e popullit japonez. Unë jam tani i bindur se Spanja përballet me të njëjtin fat. Caudillo, nëse lufta jote kundër elementëve të shkatërrimit në Spanjë ishte e suksesshme, kjo ndodhi për shkak të kundërshtarëve demokratikë që u detyruan të jenë të matur, nga sjellja e Gjermanisë dhe Italisë. Do të jesh i falur, Caudillo, por asnjëherë për këtë fitore! Po kaq pak mendon Anglia që të të lejojë të qëndrosh për një kohë të gjatë në Afrikë – karshi Gjibraltarit – sapo të ketë rifituar edhe një herë statusin e vet të superfuqisë. Në një rast të tillë, pushtimi spanjoll i zonës Tangier – dhe kjo është bindja ime më e thelë, Caudillo – do të ishte vetëm një intermexo kalimtare. Anglia, dhe ndoshta edhe Amerika, do të bëjnë të pamundurën, për ta bërë këtë hyrje në Mesdhe në të ardhmen edhe më të sigurtë, nën autoritetin e tyre, madje më shumë se deri më sot. Eshtë bindja ime më e ndjerë se beteja në të cilën luftojnë sot Gjermania dhe Italia, është si rrjedhim vendimtare edhe për të ardhmen e Spanjës. Vetëm në rast të një fitoreje tonën, do të vazhdojë të ekzistojë regjimi aktual. Nëse Gjermania dhe Italia humbasin luftën, atëherë e ardhmja e një Spanje me të vërtetë kombëtare dhe të pavarur do të jetë e pamundur.

Prandaj, jam përpjekur shumë të të bind ty, Caudillo, për domosdoshmërinë e interesave të vendit tënd dhe të ardhmen e popullit spanjoll, që të bashkohesh me ata vende të cilet fillimisht dërguan ushtarë për të të mbështetur ty, dhe që sot, për shkak të nevojës, janë duke luftuar jo vetëm për ekzistencën e tyre, por në mënyrë indirekte edhe për të ardhmen e vetë Spanjës.

Në takimet tona, ne ramë dakord që Spanja të shpallë gatishmërinë e saj për të firmosur Paktin e Tre Fuqive si dhe të hyjë në luftë. Në përcaktimin e datës, periudha në të ardhmen e largët nuk u morën asnjëherë në konsideratë e madje as nuk u përmendën, por gjithmonë bashkëbisedimi ishte i përqëndruar në një periudhë shumë të shkurtër kohe brenda të cilës ti, Caudillo, ende besoje se do të ishe në gjendje të realizoje masa të ndryshme ekonomike që do të ishin të favorshme për vendin tënd.

Unë personalisht kam qenë skeptik që në fillim në lidhje me shpresën për të marrë shumë shpejt më shumë përfitime ekonomike nga Spanja.

1. Anglia, në të vërtetë, as që e çon ndërmend që të ndihmojë Spanjën! Anglia vetëm po orvatet që të shtyjë dhe vonojë hyrjen e Spanjës në luftë, për ta mbajtur pezull, e në këtë mënyrë të rrisë vazhdimisht ankthin e saj, me qëllim që më në fund të jetë në gjendje të përmbysë qeverinë spanjolle, kur të vijë koha.

2. Por edhe nëse Anglia do të mendonte ndryshe, ne një impuls të ndonjë lloj sentimentalizmi, i cili me thënë të drejtën nuk ka qenë i pranishëm në historinë britanike deri më sot, ajo nuk do të ishte në gjendje të ndihmonte Spanjën, në asnjë rast. Ajo nuk është në gjendje as nga pikëpamja e transportit që të ndihmojë një vend, në një kohë kur edhe vetë është e detyruar të zbatojë shtrëngimet më rigoroze në standartet e jetesës së popullsisë së vet. Dhe nevoja për hapësirë transporti, me kalimin e muajve nuk do të bjerë, por do të bëhet gjithnjë e më serioze.

Pavarësisht faktit se unë, siç e përmenda edhe më sipër, kam qenë përgjithësisht skeptik për këtë që në fillim, megjithatë dëshiroj të të shpreh vlerësimin tim për përpjekjet e tua – të paktën je përpjekur – edhe pa hyrë në luftë, për të siguruar ngarkesa me ushqime në Spanjë, nga vende të tjerë.

Megjithatë, Gjermania nga ana e saj, ka deklaruar se është e gatshme të dërgojë në Spanjë, menjëherë pas deklaratës për hyrje në luftë, ushqim, domethënë drithëra – në çfarëdolloj sasie që të jetë e mundur! Veç kësaj, Gjermania ka deklaruar se është e gatshme të zëvendësojë 100 000 tonë drithë, që ishte në pritje në Portugali dhe destinuar për në Zvicër, me qëllim që Spanja të përfitojë nga kjo në mënyrë të menjëhershme. Kjo, sigurisht, mbetet diçka që varet nga vendimi përfundimtar i Spanjës për të hyrë në luftë. Për një gjë, i dashur Caudillo, duhet të ketë qartësi: Ne jemi duke luftuar një betejë për jetë a vdekje dhe në këtë kohë, nuk mund të bëjmë asnjë dhuratë. Nëse më vonë do të thuhet se Spanja nuk mund të hynte në luftë, për arsye se nuk mori furnizime, kjo nuk do të ishte e vërtetë! Pasi, menjëherë pas të deklaroni hyrjen në luftë, dhe deri tani nuk kemi patur asnjë tregues për një datë fikse në këtë drejtim, Spanja do të merrte menjëherë furnizimet, domethënë 100 000 tonë grurë. Kam dyshimet e mia, nëse 100 000 tonë grurë do të mund të hynin në Spanjë nga ndonjë vend tjetër, brenda të njëjtës periudhë kohe, edhe po të kish ekzistuar një prirje e tillë. Kështu që, unë gjithashtu dyshoj që kjo do të ndodhë. Megjithatë, deklarata që – nëse gruri për ne do të ish dërguar menjëherë – populli spanjoll, si rrjedhim me anë të propagandës do të ish përgatitur që të hynte në luftë, është kontradiktore edhe për një tjetër arsye.

Ti vetë, Caudillo, më ke treguar personalisht rëndësinë e mos-konsumimit ende publikisht të hyrjes në Paktin e Tri Fuqive, pasi ti kishe frikë se kjo gjë do të kish dëmtuar përpjekjet e tua në anën tjetër, për shembull në sigurimin e më shumë drithi. Atëherë, si mund të ketë qenë më pak e mundur përdorimi i propagandës për të hyrë në luftë? Jo, unë kam edhe një herë tjetër lirinë për të vlerësuar që:

1. Gjatë bashkëbisedimit tonë, nuk u konsiderua asnjëherë që hyrja e Spanjës në luftë ndofta nuk do të ndodhte deri në vjeshtë, apo në dimrin pasardhës dhe që;

2. Gjermania ishte e gatshme të furnizonte me ushqime qeverinë spanjolle, në momentin kur do të ish vendosur data e hyrjes në luftë.

Kur unë të bëra kërkesë, Caudillo, me përshtypjen e urgjencës për të sjellë më shumë frymëmarrje tek aleati ynë italian dhe për të caktuar këtë datë në fundin e janarit, domethënë, për të lejuar marshimin e forcave gjermane kundër Gjibraltarit, që të niste në 10 janar apo në një datë pas 10 janarit, me qëllim që sulmi të fillonte në fund të janarit, atëherë për herë të parë negociatorët tanë u informuan në mënyrë të paekuivoke se një datë kaq e hershme do të ishte abolutisht e pamendueshme, dhe sërish kjo u motivua me faktorët ekonomikë. Megjithatë, kur unë atëherë bëra të ditur se Gjermania ishte me të vërtetë e gatshme që të fillonte menjëherë me dërgesat e ngarkesave të grurit, Admirali Kanaris mori informacionin konkludues se në fund të fundit kjo dërgesë gruri nuk do të ishte vendimtare, pasi përmes rrugëve hekurudhore, me siguri që nuk do të kish efekte në praktikë. Më tej, u deklarua tashmë se përderisa ne kishim bateritë e disponueshme për Ishujt Kanarie dhe për më tepër synonim të ofronim bombardues nënujorë për siguri shtesë – edhe kjo nuk ishte vendimtare, përderisa Ishujt Kanarie, nga këndvështrimi i ushqimeve nuk mund të mbaheshin më, pas gjashtë muajve.

Që kjo nuk është absolutisht një çështje faktorësh ekonomikë, por ka të bëjë me faktorë të tjerë, kjo bëhet e qartë nga deklarata e fundit ku thuhet se për arsye klimaterike, një marshim në këtë stinë nuk do të kish sukses, por përkundrazi, duhet të mendohet për në vjeshtë ose në dimër.

Në këto kushte, sigurisht, unë nuk e kuptoj përse dikush do të donte që fillimisht të shpallë një ndodhi si të pamundur për shkaqe ekonomike, ndërkohë që tani thuhet se qenka e pamundur për shkaqe klimaterike. Unë nuk besoj se ushtria gjermane do të shqetësohej gjatë marshimit të saj në janar, nga një klimë e cila në vetvete nuk është aspak e pazakontë për ne. Në çdo rast, ne zgjidhëm problemet që kishim në fushatën norvegjeze në kushte të shumëllojshme si dhe pengesa shumë të mëdha klimaterike, në formën e dëborës dhe ngricës, për të mos përmendur faktin që, nga pjesëmarrja e ushtarëve dhe oficerëve gjermanë në fushatën tënde, Caudillo, kushtet klimaterike në Spanjë nuk janë aspak të panjohura për ne. Më vjen vërtetë keq, Caudillo, që ky është opinioni dhe qëndrimi yt, duke qenë se:

1. Ndiej si detyrë që të sjell pak lehtësim për mikun dhe aleatin italian, dhe ta ndihmoj atë, në të vërtetë ta ndihmoj në një moment kur ai ka përjetuar një incident të pafat. Sulmi në Gjibraltar dhe mbyllja e Gjirit do ta kish ndryshuar me një goditje të vetme situatën në Mesdhe.

2. Unë kam bindjen se në luftë, koha është një prej faktorëve më të rëndësishëm. Kur i lë muajt të të kalojnë, ndonjëherë e ke të pamundur t’i rifitosh sërish!

3. Më së fundi, është e qartë se, në 10 janar, po të kishim qenë ne në gjendje të kalonim kufirin spanjoll me formacionet e parë, Gjibraltari sot do të ishte në duart tona. Kjo do të thotë: Janë humbur dy muaj, të cilët përndryshe do të kishin ndihmuar për të marrë vendime për historinë e botës.

4. Kam bindjen se kushtet ekonomike të Spanjës do të ishin përmirësuar dhe jo përkeqësuar, për atë që në çdo rast do të ishte futur në Spanjë prej nesh dhe se nga ana tjetër, të gjithë furnizimet që kanë mundur të hyjnë në Spanjë nga jashtë që nga ajo kohë, zënë vetëm një pjesë të asaj që ne do t’ju kishim sjellë.

Por duke lënë mënjanë të gjithë këto, Caudillo, dëshiroj të përmend edhe këto të mëposhtmet:

Hyrja e Spanjës në këtë luftë me siguri nuk është konceptuar si ekskluzivisht në dobi të interesave te Gjermanisë dhe Italisë. Spanja vetë ka parashtruar pretendime territoriale shumë të mëdha për përmbushjen e të cilëve, Duçja dhe unë kemi deklaruar se jemi gati të biem dakord, të cilat të gjithë do të pajtoheshin me një marrëveshje të re të pranueshme për pronësinë koloniale afrikane për Evropën dhe vendet e saj. Dhe në këtë drejtim, mund të theksoj se në këtë luftë, e para Gjermania dhe e dyta Italia kanë bërë më shumë sakrifica sa i përket gjakut të derdhur, dhe se të dyja, pavarësisht kësaj, për vete kanë parashtruar pretendime shumë modeste.

Sidoqoftë, momenti për operacionet ushtarake mund të propozohet vetëm nga ai që merr përsipër barrën kryesore dhe që si rrjedhim, mund të llogarisë në programin total të një analize ushtarake, e cila në fund të fundit ka një shtrirje mbarëbotërore. Eshtë e kuptueshme që unë vetë nuk kam synim tjetër në mendje, përveç se suksesin e përbashkët. Në të vërtetë në këtë rast, Caudillo, thirrja ime në vetvete vetëm sa vërteton forcën e ndërgjegjes sime për përgjegjësinë që kam gjithashtu ndaj aleatit tim. Pasi kudo që do të dalin vështirësi në këtë luftë, do të jetë vullneti im i palëkundur për t’ ndihmuar; dhe vendimi im për të bërë më të mirën në zgjidhjen përfundimtare në një fazë të kësaj lufte apo një tjetër, sado mosarritje të ketë patur në fillim. Kjo prek edhe Spanjën. Spanja nuk do të gjejë asnjëherë miq të tjerë, përveç atyre që i ofrohen sot si Gjermania dhe Italia, përveçse nëse bëhet një Spanjë e ndryshme. Kjo Spanjë e ndryshme, megjithatë, do të ishte një Spanjë e rënies dhe kolapsit përfundimtar. Qoftë edhe për këtë arsye, Caudillo, unë besoj se ne, tre burra, Duçja, ti dhe unë jemi të lidhur me njëri-tjetrin nga detyrimi më rigoroz i historisë, kështu që ne, në këtë analizë historike, duhet të zbatojmë si komandantë supremë teorinë që në kohëra të tilla të vështira, jo aq shumë maturia e mençuria, por zemra e guximshme, mund të shpëtojë kombet.

Veç kësaj, Caudillo, kjo luftë është e vendosur, pavarësisht se çfarë suksesesh kalimtarë pretendojne britanikët të arrijnë diku në periferi. Sepse pavarësisht këtyre, fuqia britanike në Evropë mbetet e thyer dhe makineria më e fuqishme ushtarake në botë qëndron e gatshme për çdo lloj detyre që i ngarkohet. Dhe sa i mirë dhe i besueshëm është ky instrument, këtë do ta vërtetojë e ardhmja. /History today/

Përshtatur në shqip nga bota.al

 

Nesër, në vijim të dossier-it, do të lexoni përgjigjen e Frankos

Leave a Reply

Back to top button