Speciale

Fyhreri tha: “Shpetoni Duçen!”

Aksioni i trupave të SS-ve për të shpëtuar diktatorin fashist, Mussolinin, me porosi të vetë Hitlerit

Tani, zotërinj, ju do të takoni Fyhrerin. Ai ka disa pyetje për t’ju bërë. Ju lutem më ndiqni”. Hitleri deklaroi aty se nuk do të linte në baltë “birin më të madh të Italisë” në këtë moment që ai kishte nevojë. “Aleati i tij i vjetër dhe miku i shtrenjtë” duhej shpëtuar menjëherë. Skorzeny do të ishte njeriu që do të kryente këtë mision lirimi dhe ai do të duhej të projektonte planin e tij për t’ia dalë mbanë. Fshehtësia ishte jetësore

Screen Shot 2015-06-12 at 2.29.46 PM

Gran Sasso, Skorzeny, Mussolini mit Fallschirmj‰gernNë 26 korrik 1943, një kapiten i ri në moshë në Formacionin Special Friedenthal të Waffen SS u thirr me urgjencë në Zyrën e Fyhrerit. Përgjatë të gjithë kohës së drekës, kapiteni, shef i komandos speciale kish te patur një ndjesi të bezdisshme, sikur diçka nuk po shkonte. Duke lënë kafenë, ai i telefonoi komandës qendrore të Friedenthal. Mendimet e bezdisshëm që e kishin ndjekur e morën menjëherë përgjigjen: të gjithë në Berlin po e kërkonin. Ai kish urdhër që të paraqitej në pistën e Tempelhofit në orën 17.00, gati për të fluturuar me një avion në zyrat qendrore të Hitlerit, tek “Strofulla e Ujkut”.

Emri i kapitenit të ri ishte Otto Skorzeny, i cili ishte i njohur tashmë në radhët e ushtrisë gjermane për aftësitë e tij në përmbushjen e detyrave, pavarësisht vështirësive.

Një avion tip “A Ju 52” po priste Skorzenyn dhe zëvendës-komandanti i tij, Lejtnant Karl Radl, i kish bërë gati uniformën. Avioni i tij mbërriti në fushën ajrore në buzë të një liqeni pranë Lotzenit në Prusinë Lindore dhe që aty, me një Mercedes ai u shoqërua me shpejtësi në një zyrë ku ishin mbledhur pesë oficerë të tjerë, të cilët nuk i kishte takuar asnjëherë më parë. Skorzeny u prezantua me të tjerët dhe pa kaluar shumë kohë, dikush tha: “Tani, zotërinj, ju do të takoni Fyhrerin.

Ai ka disa pyetje për t’ju bërë. Ju lutem më ndiqni”.

Hitleri bëri shumë pyetje. Skorzeny, ndonëse më i riu nga të gjithë që ndodheshin aty, iu përgjigj pyetjes “Cili prej jush e njeh Italinë?” se ai kish qenë atje disa herë. Të tjerëve iu kërkua të largohen. Fyhreri e informoi Skorzenyn se Musolini ishte arrestuar dhe se tashmë atij do t’i ngarkohej detyra për të liruar Duçen. Ai vazhdoi më tej, duke i thënë kapitetnit të ri se bëhej fjalë për një mision të fshehtë, vetëm një grup i vogël njerëzish do të kishin dijeni për të, dhe se ai do të ishte formalisht nën komandën e Gjeneral Kurt Student, kreu i trupave ajrore.

Hitleri deklaroi aty se nuk do të linte në baltë “birin më të madh të Italisë” në këtë moment që ai kishte nevojë. “Aleati i tij i vjetër dhe miku i shtrenjtë” duhej shpëtuar menjëherë. Skorzeny do të ishte njeriu që do të kryente këtë mision lirimi dhe ai do të duhej të projektonte planin e tij për t’ia dalë mbanë. Fshehtësia ishte jetësore.

Më pas, Skorzeny kaloi disa orë duke specifikuar njerëzit dhe pajisjet që mund t’i nevojiteshin në Itali, dhe të gjithë listën e kërkesave e nisi në komandën e tij. Ai kërkoi 50 burra dhe në të përfshiu një listë blerjesh që varionte nga automatikët, tek rrobat e priftërinjve. Mëngjesin tjetër, ai fluturoi për në Romë bashkë me Gjeneralin Student. Tre ditë më pas mbërriti edhe pjesa tjetër e ekipit dhe tashmë nisi kërkimi për vendndodhjen e Musolinit.

Po ku e kishin fshehur saktësisht Duçen? Kjo ishte pyetja që duhej të merrte një përgjigje… dhe shpejt. Kishte zëra se Musolini kish pësuar një atak dhe se ai ndodhej i ruajtur në një senatorium në veri. Të tjerë zëra thonin se ai ish dërguar me avion për në Spanjë. Për ditë me radhë, Skorzeny nuk ishte në gjendje të kuptonte cila qe e vërteta. Në Berlin, pati madje edhe konsultime me astrologë. Në Romë, agjentëve të shërbimit të fshehtë iu kërkua të bënin të pamundurën për të gjetur Duçen. Pastaj, më në fund, pati lajme të mirë…

Në Romë, Skorzeny dhe stafi i tij kishin bredhur nëpër bare dhe kafene në shpresën për të dëgjuar apo kapur ndoshta ndonjë lloj informacioni që do të mund t’u ofronte ndonjë të dhënë. Ishte një mesazh i koduar që ata kapën diku, “Masat e sigurisë përreth Gran Sasso kanë përfunduar”, nga një Gjeneral me emrin Kueli drejtuar Ministrisë së Brendshme italiane, që i ndihmoi ata të bien në gjurmë. Kjo ishte pikërisht ajo çfarë kishin dëshiruar, pasi e dinin tashmë se Kueli ishte njeriu i ngarkuar me ruajtjen e Musolinit.

Shumë shpejt grupi mësoi se Hotel Rifugio në Gran Sasso, një zonë malore në verilindje të Romës, ishte shndërruar në një kamp ushtarak. Atje mund të shkoje vetëm me teleferik. Disa prej njerëzve të Skorzenyt u dërguan në zonën përreth hotelit malor, por asnjëri prej tyre nuk ishte në gjendje të kalonte kordonin e trupave italiane. Kështu, Skorzeny vendosi të fluturojë vetë me një He 111 në drejtim të hotelit. Radl dhe oficeri i shërbimit të fshehtë e shoqëruan. Plani ishte që të fotografohej e gjithë zona, por kur ata provuan aparatin prografik tip Roam, panë se ai ishte bllokuar. E vetmja mënyrë për të bërë fotografi ishte që të vareshin nga pjesa e pasme e avionit dhe të përdornin aparatin e dorës. Një metodë e tillë nuk rekomandohej duke qenë se ishin të veshur me uniforma të lehta tropikale. Në përpjekjen e parë, Skorzeny u var dhe lëkund jashtë, ndërkohë që Randl e mbante nga këmbët. Kur u fut përsëri në avion gjysmë i ngrirë, ai pa Radl që ishte shtrirë barkaz nga të qeshurat. Për të hequr qafe këtë hilaritet të Radlit, ai urdhëroi të bëhej edhe një tjetër xhiro përreth zonës, këtë herë duke nxjerrë jashtë Radlin.

Gjatë udhëtimit në kthim, Skorzeny mund të ketë menduar se forca ajrore e aleatëve duhet të ketë pasur një hakmarrje personale kundër tij. Avioni i tij u detyrua te “përqafojë” tokën pasi bombardues amerikanë dhe avionë gjuajtës të forcave aleate sulmuan qendrën e gjermanëve dhe barrakat e komandove në Fraskati. Vendi ishte tashmë në rrënoja dhe laboratori i fotografive ishte shkatërruar, ashtu si edhe një pjesë e mirë e pajisjeve të komandove. Ishte 8 shtatori 1943. Italia ishte dorëzuar dhe në 9 shtator, aleatët zbritën në Salerno.

Fotografitë u lanë dhe ato shërbyen për të konfirmuar atë që Skorzeny dhe Radl kishin parë nga ajri. Hoteli i vogël ndodhej mbi një plate, një trekëndësh i vogël toke të pastër me stacionin e sipërm të teleferikut në njërën anë. Konfirmimi përfundimtar i informacioneve të tyre të zbulimit erdhi kur u raportua se sindikata vendase kish nisur tashmë të ankohej se stafi i hotelit ishte dëbuar “vetëm për të akomoduar atë fashistin”. Musolini ishte aty.

Gjenerali Student do të ofronte 90 vetë për zbritjen dhe komandot pjesën tjetër. Një grup i dytë komandosh dhe parashutistësh, në të njëjtën kohë me sulmin kryesor, do të merrnin kontrollin e stacionit të poshtëm të teleferikut. Një skuadër e tretë do të lironte bashkëshorten e Duçes dhe familjen nga arresti shtëpiak në rezidencën e tyre në fshat, në Rocca della Commata.

Student urdhëroi 12 avionë pa motor tip DFS230 si dhe rimorkuesit e tyre për të transportuar komandot, por do të duheshin të paktën 3 ditë për të shkuar atje që nga jugu i Francës. D-Day ishte fiksuar për në agimin e 12 shtatorit. Skorzeny dhe Radl bënë llogaritë, dhe sipas tyre secili avion mund të merrte 10 vetë plus pilotin. Oficeri i zbulimit i parashutistëve do të fluturonte në avionin e parë dhe shërbente si udhëçelës. Skorzeny do të udhëtonte në avionin e tretë pa motor dhe Radl në të katërtin.

Nisja u desh të shtyhej për disa orë, për shkak se avionët ishin vonuar. Gjithashtu, në minutën e fundit u vendos që do të ishte një ide e mirë që të merrej një oficer italian, Gjeneral Soletti me vete për të ndihmuar me rojet. Kur ai mbërriti, Student me anë të një përkthyesi i tha gjeneralit se me kërkesë të vetë Hitlerit, ai duhej të merrte pjesë në këtë aksion dhe të ndihmonte për të reduktuar shanset për një gjakderdhje. Soletti ishte shumë i emocionuar dhe ra menjëherë dakord që të shkonte. Më në fund, rimorkuesit dhe avionët pa motorr mbërritën dhe ata u rifurnizuan. U mbajtën mbledhjet e fundit dhe Student u tha pilotëve të avionëve që në asnjë rrethanë ata nuk duhej të rrëzoheshin.

Në orën 12:30, sirenat e një sulmi ajror nisën të bien dhe të gjithë rendën nëpër vendstrehime. Në orën 13:00, sulmi kishte përfunduar – mjetet me të cilët do të kryhej aksioni nuk ishin goditur por përgjatë pistës kishte shumë gropa. U dha urdhër për një nisje të menjëhershme. Skorzeny dhe Soletti zunë vend në një avion të vogël. Të gjithë u urdhëruan të grumbullohen mbi re.

Piloti i Skorzenyt raportoi se dy avionët e parë nuk kishin mbërritur në vendtakim. Kish nisur me telashe gjithçka. Të dy ata nuk kishin arritur të ngjiteshin fare nga toka, pasi ndeshën në kraterë nëpër pistë. Skorzeny arriti të çajë me thikë velën që rrethonte avionin pa motorr, dhe nga ajo vrimë e vogël ai thërriste me të madhe duke i treguar rrugën pilotit, i cili më pas ia përcillte këto të dhëna pilotit të rimorkuesit. Teksa hoteli më në fund u doli para syve, ai urdhëroi pilotin e avionit që të lironte litarin e rimorkimit.

Ndersa avioni u anua djathtas, u bë e qartë si për pilotin, Lejtnantin Meyer ashtu edhe Skorzenyn se vendi i zbritjes nuk ishte i sheshtë, por një shpat i pjerrët. Meyeri hodhi sytë nga Skorzeny për ndihmë. Gjithë sa mund të bënte ai ishte të urdhëronte pilotin që të ulte avionin. Duke mos iu bindur urdhërit të Gjeneralit Student, piloti i ri zbriti me vështirësi shumë pranë hotelit. Rojet italianë mbetën të shtangur teksa panë avionët të uleshin. Asnjëri nuk qëlloi, asnjë plumb. Duke hyrë përmes derës kryesore, Skorzeny gjeti një ushtar ndërlidhës i cili përpiqej të transmetonte alarmin. Pasi e largoi me forcë dhe shkatërroi transmetuesin, ai vijoi rrugën për të parë në fund se dhoma nuk kish dalje. Komandot u tërhoqën në pjesën e pasme të hotelit, ku u përballën me një mur të lartë. Duke përdorur shpinën e Tetarit Himmel, Skorzeny kaloi shpejt murin i ndjekur nga pjesa tjetër e skuadrës. Kaos total, teksa gjermanët përpiqeshin të kalonin përmes derës kryesore, ndërsa karabinierët përpiqeshin të largoheshin në drejtim të kundërt. Më vonë, Skorzeny do të shkruante se kish mbetur i befasuar nga fakti që atë ditë nuk pati as edhe një të shtënë.

Komandot nxituan lart shkallëve dhe kur hapën derën e parë, gjetën Musolinin dhe dy oficerë të tjerë. Ndërkohë që njëri shoqëroi jashtë dy oficerët italianë, Skorzeny u prezantua para Mussolinit dhe i tha: “Duce, më ka dërguar Fyhreri! Je i lirë!” Musolini shtrëngoi në gjoks Skorzenyn dhe i tha: “E dija që miku im Adolf nuk do të më linte në baltë”.

Problemi tjetër i Skorzenyt ishte si të conte Musolinin në Berlin. Në ekzaminimin e vendit, vetëm një avion i lehtë që kërkonte pak pistë ngritjeje mund të kish shanse në këtë vend të largët e të thepisur, kështu që u vendos të provohej një avion vroj-tues “Fieseler-Storch”. Heinrich Gerlach, piloti personal i Gjeneralit Student u thirr me radio. Pas pak, Gerlach arriti të ulë Storchin në terrenin jo të shtruar. Pasi zbriti nga avioni, ai e dinte se kish një problem të madh… si do të mund të ngrihej sërish me një pasagjer në bord nga ana e malit?

Krejt i pavetëdijshëm për hallin e Gerlach, Mussolini doli nga hoteli me cizme të rënda dhe në praninë e shpëtimtarëve të tij gjermanë, u duk se kish marrë sërish rolin e diktatorit. “Kapiteni që do të pilotonte për mua bëri një hap përpara”, do të thoshte më vonë Mussolini duke përshkruar largimin e tij dramatik, “një djalë i ri i quajtur Gerlach. Para se të hipja në avion, u ktheva për të përshëndetur grupin e rojeve. Të gjithë u dukën të habitur. Shumë ishin sinqerisht të shqetësuar. Disa madje kishin lot në sy”.

Gerlach ishte shumë i zënë për t’u shqetësuqar për këto. Ai kish arritur të ulej vetëm para pak castesh dhe tani e kish shumë të vështirë të përgatitej sërish. Ai tha se nuk mendonte se do të mund të ngrihej me një pasagjer. Kur Skorzeny tha se do të shkonte edhe ai, Gerlach u tmerrua. E pamundur, tha ai, dy pasagjerë plus një pilot do të qe një fatkeqësi. Skorzeny këbënguli. Ai ka shkruajtur më vonë se e dinte se gjithë sa do t’i mbetej atij do të ishte plumbi i vtëvrasjes së detyruar nga pistoleta e tij, nëse misioni dështonte, pasi Hitleri nuk do ta falte kurrë. Ai asyetoi se do të qe më mirë të ndante rreziqet e fluturimit sepse, nëse avioni rrëzohej, do të qe më mirë të vdiste dhe ai; por nga ana tjetër, nëse do të kishin sukses, do të jetonte për të marrë shpërblimin.

Urdhërat u dhanë dhe Gerlach ndezi me fuqi të plotë motorrin, ndërsa 12 burra e mbanin fort prapa. Në momentin e duhur, Gerlach u bëri me shenjë dhe ata e lëshuan. U nis vetëtimthi mbi platenë e mbushur me gurë teksa fitoi shpejtësi por rrotat nuk u ngritën nga toka. Buza e platesë afrohej gjithnjë e më shumë. Papritur, u ngjit nga toka, por më vonë ra sërish dhe një prej rrotave goditi një shkëmb, duke dërguar avionin në luginën poshtë.

Gerlach provoi gjithcka për të nxjerrë Storchin nga pikiata ndërkohë që lart, komandot rendën tek skaji i platesë për të parë avionin që binte pa shpresë në fundin e luginës. Krejt papritur, Storchi korrigjoi rugën e tij derisa nisi të fluturojë qëndrueshëm në jugperëndim, drejt Luginës Avezzano, a thua lart nuk kish ndodhur asgjë.

Ata zbritën në Pratica di Mare, ku pasagjerët e Gerlach u transferuan në një Heinkel dhe më pas u nisën direkt në zyrat qendrore të Fyhrerit në Prusinë Lindore. Kështu mori fund operacioni që do t’i siguronte edhe pak kohë jetë diktatorit të Italisë, i ndihmuar nga aleati i tij. /History Today/

Pershtatur nga BOTA.AL

Leave a Reply

Back to top button