Pushime për nëpunësit publikë, policë të maskuar si panda, kostot katër herë më të larta se sa Olimpiada e Rios. Mega-samiti i presidentit Xi, i shpjeguar nga një prej ideologëve
Panda me uniformë policie me doreza të bardha, ka një buzëqeshje të stampuar në fytyrë, teksa sheh radhën deri tek pengesa. Agjenti i policisë me maskën e Kung Fu Panda duhet të vuajë nën këtë kostum, sepse dielli përvëlon dhe temperatura është 35 gradë në pikën e kontrollit që polici-personazh kartonash është duke patrulluar në Hangzhou. Por projektuesit kinezë të G20-ës kanë vendosur të lehtësojnë me gjetje si kjo, kontrollet e vendosura për të garantuar sigurinë e samitit të krerëve të shteteve dhe qeverive, të vendeve të mëdha të ekonomisë së globalizuar, që do të takohen të dielën dhe të hënën në qytet.
Kjo nuk është e vetmja çudi e këtij aktiviteti vjetor, i projektuar për të zgjidhur (në teori) krizat ciklike me të cilat ndeshet bota e globalizuar. Përveç se kanë shpenzuar një mal me para në infrastrukturë (thuhet deri në 21 miliardë euro, 4 herë më shumë se në Olimpiadën e Rios), organizatorët kanë vendosur që të reduktojnë trafikun, duke i dhënë pushim një javë të gjithë nëpunësve publikë “jo strategjikë”, dhe kanë ofruar 1.5 miliardë euro për voucher-a turistikë, për banorët, me qëllim që t’i nxisin të largohen nga qyteti dhe të vizitojnë provincën e Zhejiangut. E gjithë kjo për të siguruar që shfaqja të jetë një sukses triumfal për presidentin Xi Jinping dhe që ta akreditojë si një udhëheqës global.
Ka të panjohura politike në këtë ambicie kineze, por edhe një kontradiktë themelore: Barack Obama dhe Angela Merkel janë të vetëdijshëm se në Hangzhou do të flasin kundër proteksionizmit të vjetër e të ri, por pak a shumë të gjitha qeveritë e G20-ës janë duke bërë thirrje prej muajsh për kufizime mbi importet, sidomos nga Kina, me dosjen e çelikut, e cila është pikë shumë e nxehtë në Evropë. Mbështetja për globalizimin është ulur dhe faji i është vënë kryesisht agresivitetit të Pekinit. Por a mund të fajësohet ekonomia e dytë më e madhe në botë, se është një pengesë për rritjen globale, kur sipas të dhënave nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, rritja e saj në vitin 2015 zë 33% të asaj botërore?
Në këtë kuadër, është për të pyetur nëse kanë kuptim këta samite të mëdhenj 2-ditorë. Profesor Uang Uen, drejtor i Institutit të Studimeve të Chongyangut për Studime Financiare, i cili e ka këshilluar qeverinë në përgatitjen e G20-ës përgjigjet: “Sigurisht që shërbejnë, po ju citoj tri arsye: 1) G20-a është e vetmja platformë makroekonomike për koordinimin global të qeverive të shteteve, të cilët përbëjnë mbi 80% të tregtisë botërore dhe 85% të PBB-së; 2) duke mbledhur në një tryezë udhëheqësit, krijohet mes tyre një klimë mirëkuptimi dhe besimi: besimi në ekonomi ndihmon rritjen ekonomike; 3) ka rritur forcën e fjalës, të ekonomive në zhvillim”.
Qeveria kineze ka njoftuar se në 4-5 shtator, G20 do të propozojë një nismë të përbashkët për të rimëkëmbur rritjen ekonomike globale: çfarë parashikon konkretisht?
“Në G20-at e mëparshme, temë kryesore ka qenë “Rritja”, tani do të jetë “Zhvillimi “. Një risi absolute, është transformimi i madh i G20-ës. Kina dëshiron të promovojë lirinë e tregtisë, përballë proteksionizmit të përhapur që ekziston sot në botë. Kemi propozuar që të bëjmë sistematik takimin mes Ministrave të Tregtisë, një herë në vit, në mënyrë që t’i kundërvihemi proteksionizmit. Dhe në fund, propozimin i një koncepti të “financës së gjelbër”, duke kërkuar që të nxisim reforma financiare, të cilat zhvillojnë ekonominë, e në të njëjtën kohë mbrojnë mjedisin. Pra, në Hangzhou mund të lindë një sistem i qëndrueshëm i qeverisjes, për t’i bërë ballë krizës”.
Në Evropë, për të dalë nga kriza, Banka Qendrore Evropiane ka çuar në zero normat e interesit. Kriza nuk ka përfunduar dhe kreu i BQE, Mario Draghi thotë se nevojiten edhe politikat qeveritare për rritjen ekonomike. Çfarë do të këshillonit ju?
“Jam tepër pesimist për gjendjen e ekonomisë evropiane. Brexit ishte një goditje për bashkimin ekonomik. Dinamika e ekonomisë vjen shpesh prej pritshmërive. Në qoftë se tregu nuk ka shumë besim, politikat monetare dhe financiare nuk mund të funksionojnë, qoftë me normat zero, qoftë me norma negative. Në vend të kësaj, duhet të zbatohen reforma strukturore. Për Evropën, problemet më të mëdha janë dy: Shumë asistencë sociale dhe shumë emigrantë”.
Edhe në Kinë, duket se ka mendime të ndryshme për menaxhimin e “normales së re”, me një rritje më të ngadaltë dhe më të qëndrueshme. Thuhet se kryeministri Li Keqiang është në favor të mbajtjes së një rritjeje me ritme sa më shpejtë të jetë e mundur, qoftë edhe me koston e shtimit të borxhit. Në maj, ka pasur një intervistë me një “burim autoritar” anonim nga Gazeta e Popullit, i cili paralajmëronte për rrezikun e madh nga borxhi kinez. Një gjykim që dyshohet se ishte i frymëzuar nga Xi Jinping.
“Është normale që të ketë pikëpamje alternative, udhëheqja në Kinë ka procesin e vet demokratik. Por me siguri qëllimi është i përbashkët, domethënë, për të nxitur transformimin e ekonomisë. Në lidhje me borxhin, mendoj se bota perëndimore e mbivlerëson. Nuk është për t’u shqetësuar: të paktën 20% e borxhit kinez kanë qenë investime në infrastrukturë dhe 20% të tjera në mirëqenien sociale. Rezultatet janë të dukshëm”.
Por borxhi total në Kinë është 250% e PBB-së. A është i përballueshëm?
“Unë kam vetëm këtë për të thënë: në 25 vitet e fundit kanë dështuar të gjitha spekulimet e shtypit perëndimor dhe think-tankeve, për rënien përfundimtare të ekonomisë kineze”. /CdS – www.bota.al