Analiza

G7 / Angela përpiqet të “merkelizojë” një botë kaotike

Screen Shot 2015-06-08 at 16.56.11

Takimi i “birrës dhe salçiçeve” mes Angela Merkelit dhe Barak Obamës, dje në mëngjes në Alpet e Bavarisë, ka rrafshuar një seri divergjencash mes Berlinit dhe Uashingtonit. Por jo mjaftueshëm sa për të thënë që, ai që u hap menjëherë pas takimit mes të dyve, është G7-a e “merkelizimit të botës”, që disa komentatorë gjermanë, jo pa ironi, kishin thënë se ishte ndër qëllimet e kancelares. Madje, disa dallime të kahershëm mes Gjermanisë dhe Amerikës janë rishfaqur më pas në debatin e Shtatë të Mëdhenjve: SHBA, Japoni, Gjermani, Britani e Madhe, Francë, Itali, Kanada. Sido që të jetë, ky i organizuar nga Gjermania po rezulton një samit, ku po tentohet të rikthehet roli i fortë i G7, që prej shumë vitesh ishte dobësuar.

Merkelizimi duhej të ishte ky: demonstrim i dakordësisë dhe mirësisë së udhëheqjes gjermane në lidhje me dy pikat e nxehta të Europës, Ukrainë dhe Greqi; analizë e gjendjes së ekonomisë globale, në të cilën BE po jep disa shenja rimëkëmbjeje; vrull i ri, që u duhet dhënë tratativave për shkëmbimet tregtare transpaqësore dhe transatlantike; angazhime të fortë për temën e klimës (në pritje të konferencës së Parisit në dhjetor), për parandalimin e epidemive si Ebola, për zhvillimin e vendeve të varfër, për luftën kundër terrorizmit.

Por, ndryshe nga sa shpresonte Berlini, si në lidhje me Ukrainën, pra marrëdhënien e Perëndimit me Rusinë, si në lidhje me Greqinë, në ditët e fundit niveli i krizave është rritur. Në lindje të Ukrainës, përplasjet mes qeverisë së Kievit dhe rebelëve filorusë kanë rifilluar, me viktima edhe në civilë. Në Athinë, pika e ndarjes mes qeverisë së majtë dhe kredidhënësve është afruar. Të Shtatët, mbi të gjitha Obama, kanë njohur rolin udhëheqës që Merkeli ka marrë në të dy frontet: megjithatë, në të dy rastet, zgjidhjet nuk janë pranë. Në lidhje me Greqinë, Obama ka qenë më pak kritik ndaj linjës rigoroze të ndjekur nga Berlini, nga sa ka qenë sekretari i tij i Thesarit, jack Leë, madje ka deklaruar se Athina duhet të realizojë reformat e kërkuara.

Ndryshimet në mendime – në G7 rrallëherë ka grindje: vetëm diskutohet – janë shfaqur më qartë gjatë diskutimeve mbi ekonominë e botës, tema që ka zënë pjesën më të madhe të takimit të djeshëm. SHBA, prej kohësh i kërkojnë Gjermanisë që të stimulojë më shumë ekonominë. Dje Obama ka përsëritur se duhen nxitur investimet dhe fuqizuar kërkesa. Dhe në këtë pozicion është reshtuar edhe Matteo Renzi, i cili ka shtuar më tej se kjo “duhet diskutuar edhe në nivel europian”.

Kancelarja ka përsëritur idenë se Europës nuk i nevojiten stimuj të financuar përmes borxheve, por stimuj që vijnë prej reformave të ekonomive joeficiente. Në lidhje me marrëveshjet e reja tregtare, dakordësia e të Shtatëve qëndron në faktin që janë të vështira të realizohen, por do të provojnë. Në fund, kancelarja nuk mund të thotë se e ka merkelizuar botën: ndoshta nuk e ka menduar asnjëherë. Obamës i ka “nxjerrë” deklaratën që “SHBA dhe Gjermania janë gjithmonë të pandashme”. Dhe ndoshta mund të thotë se ka rilançuar G7-ën, në një botë kaotike që ka nevojë për një rregulator/e.

Corriere della Sera – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button