Enciklopedike

Gabime trashanike të shkencës: Njerëz fluturues në Hënë?

Screen Shot 2015-07-13 at 23.55.57

Seria: “Gabime kozmike – edhe shkenca mashtron”

Një mëngjes gushti të vitit 1835, lexuesit e New York Sun u befasuan kur lexuan se Hëna ishte e banuar. Tre të katërtat e faqes së parë të gazetës i dedikoheshin këtij lajmi, i pari i një serie me titull: “Zbulime të mëdha astronomikë të bërë kohët e fundit nga Sir John Herschel në Kepin e Shpresës së Mirë”. Herschel, një astronom i mirënjohur britanik, ishte në gjendje “përmes një teleskopi me dimensione shumë të mëdha dhe një parimi krejtësisht të ri”, thoshte gazeta, që të shihte objekte në Hënë sikur këta të ishin “njëqind metra larg”. Cdo lajm i ri në serinë me gjashtë pjesë raportonte zbulime më fantastikë se paraardhësi.

Teleskopi i Herschelit zbuloi pyje në hënë, liqene dhe dete, ametistë monstruozë pothuajse njëqind metra të lartë, kodra të kuqe dhe humnera shumë të mëdha. Këtë panoramë surreale e popullonin kafshë që u ngjanin bizonëve, dhive, pelikanëve, deleve – edhe njëbrirësha. Një amfib në formë topi vinte vërdallë duke rrëshkitur. Kishte drerë brilopartë, arinj me brirë dhe zebra të vogla. Por surpriza më e madhe i përkiste artikullit të katërt të serisë. Herscheli dhe ekipi i tij i astronomëve kishin pikasur humanoidë: krijesa me krahë si lakuriqë nate, katër metra të larta, me fytyra që ishin një “përmirësim i vogël” i orangutangëve. Të quajtura Vespertilio-homo, këto krijesa vëreheshin të ishin “të pafajshme” por ato shpesh herë silleshin në një mënyrë që autori mendonte se nuk ishte e përshtatshme për botim.

The Sun përshkruante gjithashtu tempuj të mëdhenj, ndonëse gazeta bënte kujdes të thoshte që nuk ishte e qartë nëse këta njerëz fluturues i kishin ndërtuar ato, apo ishin mbetje të një qytetërimi dikur madhështor. Disa detaje skulpturorë – një glob i rrethuar nga flakë – e çonin artikullshkruesin të pyeste nëse i referohej ndonjë fatkeqësie që u kish rënë këtyre njerëzve fluturues, apo ishin një paralajmërim për të ardhmen.

Reagimi ndaj kësaj serie varionte nga mosbesimi, në habi. Vetë Herscheli ishte i mërzitur. Në një letër drejtuar hallës së tij, Caroline Herschel, edhe ajo një astronome, ai shkruante: “Jam mërzitur tej mase nga ai mashtrimi për Hënën – në anglisht, frëngjisht italisht dhe gjermanisht!” Autori i artikullit me shumë gjasa ka qenë Richard Adams Locke, një gazetar i Sun. Gazeta nuk e pranoi asnjëherë që lajmi qe i sajuar. Eshtë tunduese të themi se ne jemi sot imunë ndaj mashtrimeve të tillë, dhe ndoshta kështu është. Por një kalim i shpejtë i asaj serie na kujton se nuk jemi aq të ndryshëm nga paraardhësit tanë të pothuajse 200 viteve më parë, nga sa mendojmë./Bota.al

Leave a Reply

Back to top button