Histori

Gabimet më të mëdhenj të historisë: Kur Franca shpiku krizën e borxheve

Screen Shot 2016-08-20 at 07.24.17Ja se si një kumarxhi, shpiku tregtinë e spekulimeve

Gabimi: Babëzia

Ishte një krizë me përmasa dramatike: një shtet i tërë i kërcënuar nga paaftësia për të paguar borxhet. Ekspertët financiarë prej ditësh janë duke diskutuar për një shkurtim të njëanshëm të borxhit – por pa sukses. Ata janë të bashkuar në vetëm një pikë: mali i borxheve është kaq i lartë, saqë nuk do të shlyhet kurrë. Tingëllon rrethanë e njohur, apo jo? Ajo që ngjan aq shumë me krizën aktuale të Euros dhe debatin mbi ekonominë e Greqisë, ka ndodhur edhe në Paris – 300 vjet më parë. Një gabim i rëndë e zhyti Francën në kaos dhe hodhi themelet për një numër krizash ekonomike të kohëve moderne.

Të rikthehemi në vitin 1715: Franca sapo ka përfunduar Luftën për Pasardhësin. Ka qenë shumë e kushtueshme. Mbreti Luigji XIV, i njohur si Mbreti Diell, jetonte me kaq shumë shpenzime, saqë ishte i detyruar që t’ia kalonte të gjithë të ardhurat nga taksat të vitit pasardhës, tek kredidhënësit e tij. Franca ndodhet në situatë të zymtë ekonomike, përballet me një shtrëngim në formën e mungesës së monedhave të floririt, të cilat i nevojiten për të financuar një ekonomi në telashe. Pikërisht në këtë emergjencë financiare, Xhon Lou bën hyrjen e tij dramatike në skenën e historisë. Skocezi kumarxhi pretendon se ka gjetur një zgjidhje për problemin francez. Por a mund t’i besohet atij?

Disa vite më herët, Lou ishte dënuar me vdekje për shkak se kish vrarë një njeri në duel në Londër, por ia kish dalë të manipulonte lirimin e tij nga burgu dhe të arratisej në Francë, ku fiton mjaftueshëm para nga bixhozi sa për të jetuar.

Një mbrëmje, Lou takon Filipin II, Duka i Orleansit – kujdestari i Mbretit Luigji XIV, që atëherë ishte vetëm 5 vjeç. Të dy diskutojnë krizën monetare në Francë dhe vendosin që duhet vepruar. Lou nuhat shansin që i ka ardhur në dorë, dhe i paraqet dukës modelin e tij radikal financiar. Ideja e tij? Aktiviteti ekonomik mund të inkurajohet duke përdorur paratë letër, dhe jo të mbështetet nga floriri dhe argjendi. Ishte fillimi i monedhës letër (paraja që e merr vlerën përmes ligjeve të qeverisë), si dhe një përshtatje e hershme e “lehtësimit sasior”. Ideja e skocezit është kaq bindëse, saqë Filipi II i jep atij kompetenca të zgjeruara mbi financat e Francës. Banque generale, një kompani private e themeluar nga Lou në vitin 1716, do të mbikëqyrë menaxhimin e të ardhurave mbretërore – dhe ajo lejohet të printojë para letre. Më tej, Franca adopton moton: nuk ka para më? S’ka problem! Do të printojmë të reja. Kështu Lou i mbush boshllëqet në buxhetin kombëtar. Deri 50% të kartëmonedhave të reja, nuk mbështeten prej sasisë së floririt apo argjendit, por prej bonove qeveritare që e bazojnë vlerën e tyre në të ardhura publike që nuk ekzistojnë.

Lou përhap gjithashtu fjalë se kolonia franeze e Luizianës, mbi të cilën kompania e Mississipit ka një monopol tregtar, është e pasur në flori dhe argjend. Bllofi frymëzon 6000 vetë që të nisen për në Amerikë, për të kërkuar floririn që edhe ai nuk ekziston. Fati i Lout merr fund në vitin 1720, kur shpërthen fluska e kredive – në mënyrë spektakolare. Në 12 muajt e fundit, Lou ka hedhur pothuaj 4 miliardë livra në treg – 25 herë më shumë se sa të ardhurat totale nga taksat në Francë.

Një numër gjithnjë e më i madh investitorësh vetëdijësohen për skemën Ponzi që po vë në zbatim Lou dhe duan të tërhiqen, gjë që rezulton në një ikje prej bankave, gjë që e zhvlerëson kaq shumë paranë, saqë e gjithë ekonomia e Francës pëson kolaps brenda vetëm pak ditësh. Shteti humbi 97% të vlerës së tij të tregut. Lou arratiset për në Venecia, ku vdes në varfëri në vitin 1729.

Por koncepti i tij i parave-letër të pasiguruara përhapet në gjithë Europën si virus. Pasojat do të ndihen në të ardhmen e largët. Pak vite pas krizës shkatërrimtare të 1720-ës, procesi i mbushjes së boshllëqeve në buxhetin e shtetit me para nga tregtia spekulative bëhet sërish shumë i përhapur. Europa ka ngecur në grep.

Çfarë do të ishte ndryshe sot, nëse Xhon Lou do të ishte ekzekutuar në Londër? E vështirë ta thuash, por ka shumë gjasa që botës do i ishin kursyer shumë kolapse ekonomike, kriza politike dhe shumë luftëra. Lufta e Parë Botërore, për shembull – e financuar nga një fluskë borxhesh në Gjermani – ndoshta nuk do të kishte nisur asnjëherë, për shkak të mungesës së fondeve. /bota.al

Leave a Reply

Back to top button