Enciklopedike

Gabimet ushtarakë që ndryshuan historinë e botës: Marshimi i vdekjes (1842)

 

Screen Shot 2015-07-14 at 22.21.04Ishte 13 janari i vitit 1842 kur mjeku zyrtar Uilliam Brydon i ushtrisë britanike mbërriti me kalë përballë mureve të kështjellës së Jalalabadit me një plagë të madhe në kokë. Ata që rendën ta ndihmojnë e pyetën se ku ishte pjesa tjetër e ushtrisë dhe ai u përgjigj: “Jam unë ushtria!”

Gjithçka kishte nisur një javë më parë në Kabul, në Afganistan. Në 6 janar, një trupë angleze pushtimi, prej 16 mijë burrash – pa furnizime dhe nën kërcënimin e vazhdueshëm të fiseve afganë – kish vendosur të tërhiqej drejt Jalalabadit, 140 kilometra më në jug, nën komandën e gjeneralit hezitues Elphinstone, i cili kish marrë garanci se mund të mbërrinte pa probleme në Indi. Gjatë rrugës së rikthimit kolona në tërheqje u vu nën shënjestrën e fiseve armiq të pajisur me pushkë me tyta të gjata. Acari dhe mungesa e pajisjeve për dimër bënë pjesën tjetër. Rruga për në Jalalabad u shndërrua në një ferr të vërtetë: ditën e katërt disa qindra vetë dezertuan dhe u përpoqën të shkojnë sërish në Kabul, por u vranë të gjithë. Vetë Elphinstone, i njollosur prej gabimeve taktikë dhe strategjikë, vendosi që të dorëzohet si rob për të garantuar shpëtimin e ushtarëve të tij, por u burgos bashkë me oficerë të tjerë duke i lënë trupat në mëshirë të fatit. Në 2 dhjetor kolona ishte reduktuar në 200 ushtarë dhe 2 mijë ndihmësa. Trupat e mbetura, të udhëhequra nga gjenerali Anquetil arritën majën e malit Jugdulluk por u bllokuan nga disa fise. Një sulm i furishëm lejoi dy grupe që të kapërcenin linjat afgane: dymbëdhjetë kalorës rendën në pllajën pranë Jalalabadit, pjesa tjetër me gjashtëdhjetë vetë u strehua pranë fshatit Gandamak: të gjendur pa armë dhe municione refuzuan të dorëzohen dhe u masakruan. Edhe fati i kalorësve nuk ishte i ndryshuëm: të tërhequr nga premtimi për ushqime në fshatin Futtehabad u vranë të gjithë, përvec Brydon, i cili ishte i mbijetuari i vetëm.

Përfundonte në mënyrën më dramatike lufta e parë anglo-afgane (1839-1842), e karakterizuar nga një seri gabimesh që u paguan shtrenjtë. Vendimi i anglezëve për të futur hundët në punët afgane me qëllim ndaljen e ekspansionit rus në Azinë qendrore hyri në histori si Loja e Madhe. Ishte një bast i madh e i pasigurtë, që provokoi pasoja të forta në rajon, në nivel politiko-ushtarak: si dhe paqëndrueshmërinë e madhe që mbijeton sot e kësaj dite në atë vend.

Do të duheshin edhe dy konflikte të përgjakshëm për të vënë në fre fiset luftëdashës afganë, por me rezultate negativë. Humbja e 1842 e bëri ushtrinë anglee të kuptojë se sa i vështirë ishte kontrolli i këtij vendi dhe për këtë arsye u adoptua një strategji që synonte ndarjen e fraksioneve afganë për të kontrolluar lëvizjet. Pas perandorisë britanike, edhe Bashkimi Sovjetik dhe SHBA do të paguanin një çmim të madh.

Leave a Reply

Back to top button