Enciklopedike

Gabimet ushtarakë që ndryshuan historinë e botës: Pushtimi rus i Afganistanit (1979-1989)

 

Screen Shot 2015-07-22 at 17.26.45Në 24 dhjetor 1979 trupat sovjetike kaluan kufirin përgjatë lumit Amu Darya dhe hynë në territorin afgan. Ishte pararoja e një ekspedite të fuqishme, dërguar zyrtarisht në ndihmë të Republikës Demokratike të Afganistanit dhe që brenda tetë viteve do të zhytej në një prej konflikteve më të përgjakshëm të epokës moderne. Ndërhyrja sovjetike, në kulmin e Luftës së Ftohtë u shoqërua me një rigjallërim të luftës civile që kundërvinte qeverinë e Kabulit me fiset e ndryshëm luftarakë afganë, të njohur me emrin muxhahedinë. Brenda pak muajsh, një konflikt lokal u shndërrua në fushëbetejën në të cilën u vunë përballë, pak a shumë fshehurazi, fuqitë e mëdha. Mbështetja e BRSS për qeverinë e Kabulit solli një reagim të menjëhershëm të SHBA dhe Britanisë së Madhe, por edhe të shteteve si Pakistani, që financuan ushtarakisht dhe financiarisht rebelët. Muxhahedinët, të ndarë në disa fraksione, filluan një luftë guerilase të gjatë e të përgjakshme kundër forcave ruso-afgane, që solli shumë humbje nga të gjithë palët. Ushtria qeveritare kontrollonte qytetet dhe rrafshnaltat, ndërkohë që zonat malore ishin nën kontrollin e militantëve.

Superioriteti i madh sovjetik në armatim rezultoi joefikas. Prita dhe atentate të vazhdueshëm nisën të minojnë sigurinë e sovjetikëve. Shumë shpejt, edhe ushtria qeveritare nisi të dobësohet, duke detyruar sovjetikët të sjellin një numër gjithnjë e më të madh rezervistësh: rekrutë që dërgoheshin në përleshje në zonat më të largëta të vendit. Përdorimi i armëve të sofistikuara si raketëhedhës antitank dhe raketa tokë-ajër, me të cilat SHBA kish furnizuar muxhahedinët nisi të rëndojë humbjet. Me ashpërsimin e konfliktit operacionet ushtarakë u bënë gjithnjë e më të dhunshëm. Sovjetikët gjendeshin tashmë të mbërthyer në një konflikt pa rrugëdalje, ndërsa muxhahedinët bëheshin cdo ditë e më të fortë.

Në 15 prill 1989 trupat e fundit të blinduara kaluan të njëjtën urë prej ku kishin hyrë dhjetë vjet më herët. Zgjedhja e Bashkimit Sovjetik për të pushtuar Afganistanin u demonstrua një gabim me pasoja të pallogaritshme, jo vetëm sa i përket jetëve njerëzore, por dhe burimeve. Afganistani ishte rrënuar, një fushë e minuar dhe e qeverisur nga lordët e luftës në konflikt mes tyre. Një prej efekteve më jetëgjatë është pikërisht instabiliteti që mbretëron edhe sot.

Prania në radhët e muxhahedinëve e vullnetarëve nga e gjithë bota arabe, shpesh herë të lidhur me interpretimet më ekstremë të fesë islamike, do të përcaktonte edhe shfaqjen e fenomeneve të dhunshëm të terrorizmit. Të indoktrinuar në shkollat Kur’anike të Afganistanit, këta të rinj do të kishin një peshë të rëndësishme në rritjen e lëvizjes talebane, në lindjen e al Kaedës dhe në ngjarjet dramatike që do të përgjaknin Amerikën në 11 shtator 2001. /Bota.al

Leave a Reply

Back to top button