Enciklopedike

Gabimet ushtarakë që ndryshuan historinë e botës: Vaterloja (1815)

Screen Shot 2015-07-13 at 23.39.25

Natën e 18 qershorit 1815, pati një stuhi dhe përmbytje të jashtëzakonshme në Vaterlo. Një gjë të tillë, askush nuk e mbante mend të kish ndodhur. Trupat angleze, të udhëhequra nga Duka i Uellingtonit, kaluan një natë ferri, por gjithësesi e pritën me optimizëm fenomenin e pazakontë atmosferik: ishin veteranë të fushatës së Spanjës dhe shumë prej tyre kujtonin se si, para cdo fitoreje, atje binte shi. Nuk mund të thuhej e njëjta gjë për francezët. Napoleoni kishte programuar të thyente rezistencën e anglezëve duke filluar me sulm me gjyle topi në shtatë të mëngjesit, por shiu pushoi së rëni vetëm në orën nëntë. Terreni u shndërrua në një kënetë gjigande dhe u bë shumë e vështirë zhvendosja e topave. Megjithatë, perandori ishte besimplotë. Në fakt, kishte arritur tashmë të thyente frontin armik, duke mos lejuar që armata angleze të bashkohej me atë prusiane të udhëhequr nga von Bluecher. Madje, në 16 qershor, krahu i djathtë i ushtrisë së tij, udhëhequr nga gjenerali Grouchy, kishte mposhtur prusianët duke i detyruar të largohen. Edhe pse, në atë rast, diçka nuk shkoi si duhet. Gjenerali mund të këmbëngulte në sulmin e tij dhe të shkatërronte ushtrinë në arrati, por hezitoi duke lejuar armikun të tërhiqet dhe të riorganizojë radhët. Me shumë vonesë ndodhi që Napoleoni urdhëroi të ndiqen dhe të kapen ata në arrati, në rast se i afoheshin fushëbetejës. Në orën 11:30 Roja perandorake kreu të shtënat e para që lajëronin nisjen e betejës. Përgjatë gjithë ditës trupat franceze sulmuan pozicionet e anglezëve, por një rezistencë e fortë dhe një seri gabimesh i cuan dëm të gjithë përpjekjet.

Sulmi i parë i Korpusit I të Armatës së gjeneralit d’Erlon u asgjësua prej pushkatarëve anglezë. Zgjedhja për të vendosur repartet në kolonë, ku vetëm ushtarët e radhës së parë mund të qëllonin, rezultoi shkatërrimtare. U përhap panik: trupat, tashmë pa disiplinë, u shpërndanë dhe nisën të largohen të ndjekura prej kalorësisë së armikut. Në pasdite gjenerali Ney që komandonte krahun e majtë, duke e interpretuar gabimisht zhvendosjen e të plagosurve si sinjal tërheqjeje, i dha urdhër kalorësisë që të lëshohet kundër armikut. Pothuajse 15 mijë burra, në disa valë sulmi, shkuan e u përplasën tek muri i bajonetave të këmbësorisë angleze të vendosur në kuadrate, duke u masakruar. Ndërkohë që trupat franceze ishin të përfshira në tentativën për të thyer vendosjen e trupave armike, repartet e parë prusianë që në pasditen e hershme kishin nisur të shfaqeshin në horizont. Grouchy nuk kish arritur t’i ndalte dhe, gjë edhe më e rëndë akoma, nuk po dukej. Nëse Napoleoni nuk fitonte avantazh ndaj Uellingtonit, shumë shpejt do të mposhtej. Perandorit i mbetj një mundësi e fundit: bataljonet e Gardës, që ishin shumë kurajozë në luftim, por ishin të paktë në numër. Në orën nëntë të mbrëmjes, të mbijetuarit e fundit u dorëzuan. Beteja kish marrë fund. Napoleoni kish qenë shumë pranë fitores, por një seri gabimesh të pashpjegueshëm kishin ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve. Mungesë disipline, prani ushtarësh në armët e para dhe paaftësi vendim marrëse e gjeneralëve janë disa prej hipotezave të hedhura nga studiuesit për të shpjeguar arsyet e disfatës.

Napoleoni pagoi për hezitimin e tij. Humbja e tij përbënte një udhëkryq të historisë dhe pasojat e saj kanë patur një rol kyc në vazhdimësinë e ngjarjeve. Endrrat e një Europe “frankofone” dhe një perandorie universale ishin fundosur një herë e përgjithmonë. / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button