Letra e fundit e Markezit
“Sikur Zoti të harronte për një moment që unë jam një dordolec i ndrequr me rrecka dhe të më dhuronte një copëz jetë, mbase nuk do t’i thosha të gjitha ato që po mendoja, por sigurisht do t’i mendoja ato që po them. Do i jepja rëndësi gjërave jo për vlerën, por për domethënien e tyre. Do flija pak, do ëndërroja më shumë, sepse çdo minutë që mbyllim sytë humbasim 60 sekonda dritë. Do vazhdoja kur të tjerët do ndalonin, do zgjohesha kur të tjerët do flinin. Do dëgjoja kur të tjerët do flisnin, dhe sa do e shijoja një akullore me çokollatë!!!
Nëse Zoti do më jepte një copëz jetë, do vishesha thjesht, do shtrihesha përballë diellit duke e lënë të pambuluar jo vetëm trupin, por edhe shpirtin tim.
Ah Zoti im, sikur të kisha një copëz jetë, nëse do mundesha, do shkruaja urrejtjen time mbi akull, dhe do prisja të dilte dielli. Nuk do të lejoja të kalonte as edhe një ditë pa i thënë njerëzve që dashuroja se i dashuroja. Do të bëja çdo burrë dhe grua të besojnë se janë njerëzit që dua dhe do të dashurohesha me dashurinë. Te njerëzit do të tregoja se sa gabim bëjnë kur besojnë se ndalojnë së dashuruari kur plaken, pa kuptuar se plaken kur ndalojnë të dashurojnë. Fëmijës së vogël do t’i jepja pendë, por do ta lija të mësonte vetë sesi të fluturojë. Pleqve do t’u tregoja se vdekjen nuk e sjell pleqëria por “harresa”.
Mësova kaq gjëra nga ju, njerëzit. Mësova se të gjithë duan të jetojnë në “majën e malit”, pa kuptuar se lumturia qëndron në mënyrën se si zbret “faqen e pjerrët”.
Mësova se kur fëmija i porsalindur shtrëngohet mbi pëllëmbën e tij të vogël, për herë të parë gishti që zgjatet i babit të tij e robëron përgjithmonë.
Mësova se njeriu ka të drejtë ta shohë tjetrin nga lart, vetëm kur duhet ta ndihmojë të çohet….Të thuash gjithmonë atë që ndjen dhe të bësh gjithmonë atë që mendon…
Nëse do ta dija që sot do të ishte hera e fundit që do të të shihja duke fjetur, do të të përqafoja fort, fort dhe do t’i lutesha Zotit që të bëhesha roja e shpirtit tënd.
Nëse do e dija se kjo do ishte hera e fundit që do të të shihja të dilje nga dera, do të të përqafoja dhe do të të jepja një puthje dhe do të të thërrisja përsëri që të të jepja edhe të tjera.
Nëse do ta dija që kjo do të ishte hera e fundit që do ta dëgjoja zërin tënd, do të regjistroja çdo fjalë tënden që të mund të të dëgjoja përsëri, përsëri…
Nëse do të dija që këto do të ishin momentet e fundit që do të të shihja, do të të thosha “të dashuroj” dhe do të supozoja jo logjikisht se e dije më parë.
Ekziston gjithmonë një e nesërme dhe jeta na jep edhe mundësi të tjera që t’i bëjmë gjërat siç duhet, por nëse bëjmë gabime na mbetet vetëm e sotmja.
Do të doja të të thoja se sa shumë të dua dhe se kurrë s’do të të harroj. E nesërmja nuk është e sigurt për askënd, si i ri, si i vjetër.
Sonte mund të jetë hera e fundit që i shikon njerëzit që do. Prandaj mos prit më, bëje sot sepse e nesërmja nuk vjen kurrë.
Sigurisht do pendohesh për ditën kur nuk gjete kohë për një buzëqeshje, një përqafim, një puthje dhe sepse ishe i zënë për të realizuar një dëshirë të tyre.
Mbaji ata që dashuron pranë vetes, thuaju duke mërmëritur se sa shumë ke nevojë për ta, dashuroji, sillu mirë, gjej kohën për ta, thuaju “më vjen keq”, “më fal” , “faleminderit” dhe të gjitha fjalët e dashurisë që di. Asnjëri nuk do të të mbajë mend për mendimet e tua të fshehta…”