Histori

Galileo u dënua me burgim të përjetshëm nga Inkuizicioni Roman

Screen Shot 2016-02-14 at 14.54.40

Teoria heliocentrike e Kopernikut, mbi mënyrën sesi funksionon universi, sfidoi besimin e pranuar gjerësisht, dhe që ishte artikulluar nga astronomi grek Ptoleme që në shekullin e dytë, se Toka ishte qendra e sistemit diellor. Në vitin 1616, Kisha Katolike e shpalli teorinë e Kopernikut si heretike, pasi ajo konsiderohej se binte në kundërshtim me disa vargje biblike.

Galileo mori leje nga Kisha për të vazhduar hetimin mbi idetë e Kopernikut, për aq kohë sa ai nuk i mbronte ato. Në vitin 1632, ai botoi “Dialogu i dy sistemeve kryesore të botës”, që ndonëse u paraqit si një diskutim mes miqsh rreth ideve të Ptolemeut dhe Kopernikut, u pa si mbështetje e modelit të Kopernikut mbi universin. Për rrjedhojë, vitin e ardhshëm Galileo u urdhërua të dalë në gjyq para inkuizicionit në Romë.

Pasi u shpall fajtor për herezi, ai u detyrua të pendohet publikisht dhe u dënua me burgim të përjetshëm. Megjithatë dënimi i tij shumë shpejt u ndryshua në arrest shtëpiak. Ai i jetoi vitet e fundit të jetës në Villa Il Gioiello, shtëpinë e tij në qytetin e Arçetrit pranë Firences. I ndaluar për të takuar miqtë apo botuar libra, ai priti vizitorë nga e gjithë Evropa, duke përfshirë filozofin Tomas Hobs dhe poetin Xhon Milton.

Përveç kësaj, ai arriti të kontrabandojë jashtë vendit dorëshkrimin e tij të ri, “Diskurse dhe demonstrime matematike në lidhje dy shkenca të reja” në lidhje me fizikës dhe mekanikën. Libri i fundit i Galileos, u botua në Holandë në vitin 1638. Po atë vit, Galileo mbeti totalisht i verbër. Ai vdiq në 8 janar 1642, në moshën 77-vjeçare./ bota.al

Leave a Reply

Back to top button