Ishte një lëvizje e mençur që na mundësuan të kalonim një orë të tërë me personazhet tanë të preferuar, disa të ulur përreth zjarrit e të tjerë duke shfaqur njerëzillëk me njëri-tjetrin – një kujtesë se çfarë mund të humbasë, nëse fitojnë të vdekurit
Episodi i dytë i sezonit të tetë të Game of Thrones, “Një Kalorëse e Shtatë Mbretërive” e kaloi të gjithë orën në Uinterfell – një gjë e rrallë për këtë seri – duke na çimentuar idenë, se sa e vogël na ngjan bota tashmë. Gjëja më e mirë për të bërë, kur nata është e errët dhe plot me tmerre, është të mblidhesh përreth zjarrit dhe të mbrosh njëri-tjetrin, dhe ky episod bëri pikërisht këtë gjë. Beteja e vërtetë vjen javën tjetër. Në ndërkohë, seriali na ka dhënë një orë të çmuar me personazhet që kemi kaluar pothuaj një dekadë duke i ndjekur. Ishte si një qetësi përpara stuhisë.
Episodi i dytë i sezonit nis me Sir Jaime, i cili ndodhet përballë personit që më pak priste të takonte, pas Branit: Daenerys Targaryen. Kuptueshëm e zemëruar që vrasësi i mbretit ndodhej mu përpara syve të saj, Daenerys gjithësesi bindet që t’ia kursejë jetën falë garancive të pothuaj gjithë të tjerëve, që nga John Snow, deri tek vëllai i Jaimet, Tyrion, e deri tek Brienne of Tarth – madje edhe Sansa e mbështet Jaimen.
Megjithatë, Jaime vjen me lajme të këqia: premtimi i Cerseit për të sjellë një ushtri ishte gënjeshtër, pavarësisht premtimeve të Tyrion – një lëvizje që e bën këtë të fundit, të humbasë disa pikë tek Daenerys. Por Mbreti i Natës dhe ushtritë e tij po afrohen, kështu që kjo grindje e vogël lihet mënjanë, ndërsa pjesa tjetër e Uinterfellit përgatitet për rrethim.
Plani? Të përdorin si karem Branin, njohuritë e përjetshme të të cilit për historinë njerëzore në cilësinë e Korbit me Tre Sy, që Mbreti i Natës dëshiron ta shkatërrojë, e bëjnë atë shënjestër. Ndërkohë që ata të cilët nuk janë luftëtarë, do të fshihen në tunelet e nëndheshme. Theoni që sapo ka mbërritur betohet të qëndrojë me Branin dhe ta mbrojë, duke e sjellë personazhin e tij në 360 gradë, nga tradhëtari ambicioz i sezonit të dytë: “Unë ta mora ty këtë kështjellë. Më lër të të mbroj tani”, i thotë.
Një pjesë e madhe e episodit shkon pikërisht për zgjidhjen e gjërave të lëna hapur, duke mbështjellë kështu sezone të tëra personazhesh, në një mënyrë që të ngjan e nxituar, por është nga ai lloj nxitimi që ka brenda sinqeritet praktik dhe narrativ.
Aria pajtohet me The Hound, më pas humbet virgjërinë me Gendryn; John, Samuell dhe Dolorus Edd janë bërë bashkë duke bërë rojë, si në kohët e vjetra, sipër murit. Grey Uorm dhe Missandei diskutojnë të ardhmen e tyre së bashku, pasi të ndihmojnë Daenerys të vëhet mbretëreshë. Eshtë e admirueshme se si ky episod u jep të gjithëve nga një moment për të shkëlqyer.
Në zemër të gjithçkaje është Jaime, i cili ka kaluar ndoshta rritjen më dramatike në historinë e serialit. Kur e kemi parë në fillim, ai ngjante si një kalorës i krekosur, i rruar dhe parfumosur, që dilte direkt nga ndonjë roman fantastik, me një ego të pandalshme; tani është thyer, me mjekërr, me një dorë dhe i përunjur. Eshtë gjithësesi një surprizë për shumëkënd, sidomos për Brienne, e cila vetë ka motivuar një pjesë të madhe të rritjes së tij personale. Nuk është çudi që ai dëshiron të përballet me ushtrinë e të vdekurve, në krahun e saj – jo duke udhëhequr, si do të donte një herë e një kohë, por si një ushtar modest nën komandën e një luftëtareje më të madhe.
Dhe sigurisht, është skena përreth zjarrit, ku kaq shumë personazhe të preferuar të fansave të Game of Thrones mblidhen për një natë me verë, këngë dhe një ceremoni të papritur, përpara se të vijë ora më e errët për të gjithë. Ndërkohë që përmbledhja e disa prej personazheve na ngjau si mekanike (pak a shumë mund të hamendësosh se kush do të vdesë, duke patur parasysh se kush mbajti fjalimet më të ndjera për rëndësinë e vet në skemën e madhe të gjërave), festa përreth zjarrit e djemve të familjes Lanister ishte ndoshta një prej skenave më të bukura në historinë e serialit. Të gjithë kanë nga një moment për të shkëlqyer – Zëri i artë i Podrick, historia e pabesueshme e Tormund se si u bë i fortë (piu qumësht gjiri nga një gjigande). Por asgjë nuk ia kalon skenës ku Jaime bën kalorëse Briennen; sado të rrëmujshme që kanë qenë dinamikat e Game of Thrones, besnikëria e Brienne ndaj parimeve kalorësiake në një botë që nuk ishte bërë për të, është në fakt një prej shembujve më të mëdhenj të humanitetit që Westeros mund të ofrojë, dhe është vështirë të mos gëzosh kur Brienne bëhet Ser Brienne, dhe miqtë e saj duartrokasin të gëzuar.
Pavarësisht këtij sentimentalizmi, shfaqja po mbjell farën për një farë konflikti mes Daenerys dhe Starkëve, duke ushqyer idenë se Dany mund të jetë më e ngjashme me Mbretin e Çmendur, nga sa është menduar. Në bisedat tek e tek me Sansan fillimisht dhe pastaj me Jon, Daenerys i bën të qarta prioritetet e saj – ajo do që të punojnë së bashku për të mposhtur Ushtrinë e të Vdekurve, por në fund të ditës, ajo pret të marrë Fronin e Hekurt. Dany pothuaj ia del të lërë mënjanë mosmarrëveshjet me Sansan, teksa gjejnë një lidhje së bashku kur diskutojnë sfidën e të qënit grua në pushtet, deri kur Sansa e pyet: “Po me Veriun, ç’do të bëhet?”
Dany nuk është gati t’i përgjigjet asaj pyetjeje: ajo do që të sundojë Shtatë Mbretëritë, dhe dëshira e Veriut për të qenë i pavarur nuk është pjesë e planit të saj të biznesit. Po kjo ndjesi kërcënimi të vjen edhe kur Jon ndalet dhe i flet asaj për paraardhësit e tij të vërtetë. Përgjigja e saj e vetme është: “tani ti ke një pretendim të ligjshëm për Fronin e Hekurt”. Pasi pluhuri të ketë ikur dhe të vdekurit të jenë mundur, Cersei mund të mos jetë e vetmja mbretëreshë me të cilën do të përballen heronjtë tanë.
Dhe sigurisht, në minutat e fundit, shohim Mbretin e Natës dhe ushtrinë e të vdekurve, që përparojnë drejt portave të Winterfellit, duke na fshirë një herë e mirë orët e mëparshme të mbushura me momente thellësisht njerëzore. Siç thotë Sam për rëndësinë e kujtesës së lashtë të Branit, “kjo është vdekja… të harrohesh”.
Ishte një lëvizje e mençur që na mundësuan të kalonim një orë të tërë me personazhet tanë të preferuar, disa të ulur përreth zjarrit e të tjerë duke shfaqur njerëzillëk me njëri-tjetrin – një kujtesë se sa shumë ka për të humbur, nëse fitojnë të vdekurit. / bota.al