Histori

Gazeta prestigjoze “Figaro”: Letra e 12 dhjetorit 1912 për Shqipërinë, nga princi patriot Albert Gjika

screen-shot-2016-10-09-at-9-29-36-am

Burimi: gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Gazeta prestigjoze franceze « Figaro » ka botuar në faqen e parë të saj, me 16 dhjetor të 1912, letrën e princit patriot me origjinë shqiptare, Albert Gjika. Shqipëria sapo kishte shpallur pavarësinë dhe marrëdhëniet me fqinjët ishin të tensionuara. I shqetësuar nga rreziku i përçarjeve të territoreve shqiptare nga sllavo – rusët, princi Gjika i drejtohet gazetës për të mbrojtur interesat tona kombëtare.

Letra e tij :

« I nderuar Zoti Calmette,

I ndodhur në Trieste, para se të nisem për Shqipëri, u hodha si një i uritur mbi gazetën e parë Figaro që më ra në dorë. Ju i njihni mendimet  e mia ndaj Francës tuaj të bukur, të cilës i detyrohem për shkollimin dhe trajnimin tim, dhe ky fakt shpjegon dëshirën time për të lexuar dhe gjithmonë lexuar gjuhën frënge.

Por, në numrin e gazetës tuaj të hënës së 9 dhjetorit, me titullin « Çfarë mendojnë në Rusi për çështjen e luftës », Zoti René Marchand publikon një intervistë të shkëlqesisë së tij, Gjeneralit Parensoff.

Kjo intervistë, e cila tregon qartë qellimet sllave, nuk mund të na përshtatet neve shqiptarëve, krenarë për origjinën dhe historinë tonë. Gjenerali Parensoff flet për Shqipërinë, të cilën ai nuk e njeh, me terma fare pak të sjellshme dhe shprehet kundra autonomisë së saj.

Sipas tij, « Shqipëria nuk ekziston ». Por atëherë, pse ai pranon se shqiptarët janë pasardhësit e Pellazgëve ? Pasardhësit e Pellazgëve janë të përhapur në Spanjë, Itali, madje në Britani dhe Irlandë, por një grup prej 3 milion shpirtrash gjenden në vilajetet e Shkodrës, Janinës, Monastirit dhe Shkupit. Kjo është provë se shqiptarët ekzistojnë dhe janë të vetëdijshëm për kombësinë e tyre…

Katolikët e Shqipërisë Veriore, të njohur ndryshe si Malësorët, kurrë nuk kanë kërkuar aneksimin e tyre nga Mali i Zi. Që prej tërheqjes së Malësorëve nga lufta dhe me kthimin në vatrat e tyre, sa fitore kanë korrur malazezët ? Arsyeja se këta malësorë të vrazhdë janë tërhequr është se ata e kanë kuptuar më në fund – dhe në kohë – rrezikun e premtimeve sllave gjithmonë të rreme.

Krijimi i mbretërisë së Shqipërisë siguron paqen në Ballkan. Akordimi i daljes në Adriatik për Serbinë shkakton përçarjen e një vendi dhe një populli, dhe i bie të ndërrohet një tiran me një tjetër.

Pra vendet ballkanike janë të ndara në bazë të parimit të kombësisë, dhe në qoftë se gjenerali Parensoff do e njihte më mirë historinë e vendit të tij, ai do të dinte se Katerina e Madhe (Catherine La Grande) kishte studiuar krijimin e një mbretërie shqiptare, ku djali i saj, Duka i madh, Konstandini, do të ishte sovrani.

Po, por ja që shqiptarët nuk duan të dëgjojnë të flitet për një princ sllav, dhe menjëherë thuhet se Shqipëria nuk ekziston…

…Unë nuk jam sllavofob. I dua të gjithë popujt që mbështesin kauza të cilat janë të drejta. Para luftës, kam publikuar disa artikuj që profetizojnë suksesin e aleatëve ballkanikë dhe shkatërrimin e Turqisë.

Por gjithçka e ka një kufi dhe zelli për shkatërrimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve i ka kaluar të gjitha përmasat.

Dhe ekziston prova se ka një Shqipëri, sepse ka një qëveri të përkohshme, e kryesuar nga Ismail Qemali, një nga diplomatët më të talentuar, i rrethuar nga patriotë të flaktë dhe të sinqertë. Prova se ka një Shqipëri tashmë të pavarur,  e dëshmon edhe flamuri kombëtar, i cili valvitet kudo dhe ne do të dimë ta mbrojmë atë kundra çdo armiku.

Trieste, 12 dhjetor 1912

Një ushtar i thjeshtë shqiptar

Princi Albert Gjika »

Aurenc Bebja, Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania : http://www.darsiani.com/opinion/gazeta-prestigjoze-figaro-letra-e-12-dhjetorit-1912-per-shqiperine-nga-princi-patriot-albert-gjika/

Francë – 8 Tetor 2016

Leave a Reply

Back to top button