Analiza

Gazprom, faza e fundit e armiqësisë BE-Rusi

Screen Shot 2015-04-30 at 2.21.28 PM“Suddeutche Zeitung”

Mynih-  Nuk ka shumë gjasa që qeveria ruse të mos i kundërpërgjigjet sulmit antitrust të Komisionit Evropian, mbi gjigandin shtetëror të energjisë, Gazprom. Ndikimi i madh në vend dhe në arenën ndërkombëtare i kësaj kompanie – një rrjet shumë i gjerë, me më shumë se 400 mijë të punësuar, 160 mijë kilometra tubacione, 1000 filiale me një qarkullim të kombinuar prej më shumë se 100 miliardë eurosh, është thjesht shumë jetik për interesat e Moskës, saqë Kremlini s’mund të mos nxitojë në mbrojtjen e tij.

Pas shqyrtimit të çështjes “Google”, kjo është hera e dytë brenda dy javësh, që Brukseli po merr masa kundër një kompanie dominuese në shkallë ndërkombëtare. Dhe ky veprim, ndoshta do të rrisë më tej tensionet ndërmjet BE-së dhe Rusisë, në valën e konfliktit në Ukrainë. Pas më shumë se 2 vite e gjysmë hetimi, drejtuesja e Komisionit të BE-së për Konkurrencën, Margret Vestager njoftoi javën e shkuar, se do të niste prodecurat për një penalizim të Gazpromit, duke e akuzuar gjigantin energjetik rus, me lidhje komode në Kremlin, për shkelje të ligjeve të konkurrencës së ndershme.

Kompania, mund të përballet me një gjobë deri në 10 përqind të të ardhurave të saj vjetore. “Ne shpresojmë se do të gjendet një kompromis” – tha zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peshkov, gjatë një konference për shtyp javën e kaluar. “Ne po shohim mundësinë e një qëndrimi absolutisht të paanshëm ndaj kompanisë Gazprom. Sigurisht, Gazprom do të mbrojë interesat e tij, ndërsa edhe shteti, si aksioneri kryesor, do të mbrojë interesat e Gazprom”.

Edhe pse Vestager është shprehur disa herë, se hetimet e saj janë nxitur thjesht nga motive ekonomike, ajo pranoi edhe natyrën shpërthyese të situatës. “Ky rast është më shumë politik se të tjerët” – deklaroi ajo. Duke pretenduar se “Gazpromi ka keqpërdorur fuqinë e tij në treg”, eurokomisionerja thotë se çmimet “padrejtësisht të larta” janë konstatuar në dëm te 5 shteteve – Estonisë, Letonië, Lituanisë, Polonisë dhe Bullgarisë – ku aktualisht janë deri në 40 përqind më të larta, në krahasim me ato të vendeve të tjera brenda BE-së.

Arsyeja për këtë dikuri, ndër të tjera, thuhet se gjoja është ligji ekzistues që ndalon eksportet. Është e paligjshme për klientët e mëdhenj në 8 vende të Evropës Lindore, që të eksportojnë gaz natyror të blerë, drejt vende të tjera. Por përveç çmimit shumë të lartë të gazit të eksportit, Vestager gjithashtu kritikon çmimet e detyrueshme të naftës, që do të thotë se çmimi i gazit natyror është i lidhur me atë të naftës.

Përkundër kësaj, BE-ja nuk po lë asnjë dyshim në lidhje me qëllimin e saj, për të luftuar fuqinë e tregut të Moskës, me bazë perandorinë e saj energjitike. Rasti është hetuar zyrtarisht nga viti 2012, dhe 2 janë akuzat kryesore: Gazpromi është përgjegjës, se ka penguar lëvizjen e lirë të gazit natyror në vende të caktuara, duke parandaluar një reduktim të varësisë Evropës, ndaj burimeve ruse të gazit natyror. Përveç kësaj, Gazpromi akuzohet se ka zbatuar një politikë të pandershme çmimesh, në dëm të konsumatorëve evropianë.

Afrimi me Greqinë

Nëse mund të vërtetohet se Gazpromi ka shkelur ligjin evropian, dënimi që do të pasojë mund të jetë i rëndë. Gjoba në një rast të tillë, do të mund të arrijë në 10 miliardë euro. Brukseli është i vetëdijshëm për rëndësinë e këtij rasti. Gazpromi është përgjegjës për sigurimin e rreth një të tretës së importeve të gazit natyror në Evropë. 

Është gjithashtu e qartë, se kjo është e rëndësishme edhe për vetë Rusinë. Vendimi  i Brukselit pason një demonstrim pushteti nga ana e Moskës. Pas viteve të ndërtimit të veprave të shumta, Gazpromi ka vendosur të heqë dorë nga ndërtimi i tubacionit të Rrjedhës së Jugut në Evropën Perëndimore, duke e devijuar gazin natyror drejt Turqisë.

Kjo përpjekje e fundit, që do të sillte më afër Greqinë, është parë si një përpjekje për ta ndarë Evropën përgjatë vijës së saj të domosdoshmërisë së gazit natyror, duke e përdorur politikën energjitike si avantazh. Ministri grek i Energjisë Panajotis Lafazanis, shpjegoi pas një takimi me drejtorin e Gazprom Aleksej Miler, se negociatat midis Athinës dhe Moskës në lidhje me projektin e tubacionit “Turkish-Stream”, janë në një fazë të qëndrueshme. “Ne patëm një bisedë shumë konstruktive dhe stimuluese”-tha Lazafanis. a.g./Bota.al

Leave a Reply

Back to top button