AnalizaMAIN

Gen-Z po ndryshon hartën politike të një kontinenti

Meena Kandasamy

Një gramatikë e re vizuale e rezistencës po shkruhet në një hark të gjerë të Azisë Jugore dhe Juglindore, e transmetuar drejtpërdrejt në kohë reale për një audiencë globale.

Pamjet më të forta nuk janë ato të revolucionarëve profesionistë, por të të rinjve të zakonshëm, të shtyrë në buzë të humnerës. Janë imazhet e protestuesve të shtrirë mbi krevatin e presidentit në arrati në Sri Lanka, të turmave të gëzuara që plaçkitin rezidencën e kryeministres së Bangladeshit, të ndërtesës së Parlamentit të djegur në Nepal. Është një gjuhë e fuqishme e kryengritjes për anëtarët e Gjeneratës Z, të cilët nuk kanë më asgjë për të humbur.

Në Bangladesh vitin e kaluar, në Sri Lanka në vitin 2022 dhe vetëm gjatë javëve të fundit në Indonezi dhe Nepal, të rinjtë e pakënaqur aziatikë kanë përmbysur ose kanë tronditur pushtetet ekzistuese. Nuk është rastësi që kjo po ndodh kaq gjerësisht. Janë pasojat e rënies globale të lëvizjeve të organizuara majtiste dhe progresiste.

Në secilin prej këtyre vendeve, kontratat sociale janë prishur, nga një kombinim i papunësisë masive të të rinjve, elitave të korruptuara dhe shtypëse, krizave ekonomike dhe hendekut gjithnjë e më të madh mes të pasurve dhe të varfërve.

Megjithatë, në të gjithë Azinë dhe më gjerë, lëvizjet progresiste që tradicionalisht do t’i kishin mbrojtur këto kauza janë të fragmentuara, të paqarta ose të shkatërruara, të paafta të pozicionohen pranë Gjeneratës Z si alternativa të besueshme.

Në sheshin e betejës vërsulen të rinj të zemëruar, të cilët nuk kanë ku të drejtohen përveçse tek smartphone-t e tyre. Rrjetet sociale janë aq të fuqishme sa të koordinojnë protestat në rrugë, por mungon një udhëheqje që të jetë në gjendje të artikulojë një ideologji dhe ta kanalizojë këtë zemërim në një vizion pas revolucionit. Është një Rilindje e Pranverës Arabe, këtë herë në Azi.

Sundimi i klan-it Rajapaksa në Sri Lanka u shemb pasi inflacioni u rrit në qiell dhe vendi shpalli paaftësinë e shlyerjes së borxhit ndërkombëtar, duke lënë miliona njerëz pa mundësi të siguronin ushqim, karburant dhe ilaçe. Në Bangladesh, papunësia e lartë e të rinjve dhe një sistem kuotash punësimi që shihej si favorizues për mbështetësit e partisë në pushtet, Awami League, kontribuoi në përmbysjen e saj.

Në Indonezi, inflacioni, pabarazia dhe një ligj pune i kritikuar se gërryente të drejtat e punëtorëve dhe masat mjedisore ndezën një fitil që shpërtheu në dhunë muajin e kaluar. Në Nepal, po këtë muaj, një koktej po aq toksik nxiti përleshje të përgjakshme mes protestuesve dhe policisë, që çuan në dorëheqjen e kryeministrit dhe në një boshllëk të vazhdueshëm pushteti.

Kur shpërthen zemërimi, ai drejtohet në mënyrë të drejtpërdrejtë kundër simboleve të atyre që protestuesit i fajësojnë për rrënimin e të ardhmes së tyre: ndërtesat e parlamenteve, pallatet presidenciale dhe shtëpitë e politikanëve.

Këto lëvizje janë bashkuar përmes solidaritetit digjital. Rrjetet sociale nuk janë vetëm hapësira të së djathtës ekstreme dhe të polarizimit të pafund. Një pjesë e konsiderueshme e Gen Z është gjithashtu e tërhequr nga ndjenjat legjitime kundër sistemit dhe kundër korrupsionit, të cilat gjejnë zë online. Problemi është se gjendja e rrënuar e politikës liberale, sidomos në këtë pjesë të botës, bën që këta të rinj të mos kenë një forcë bashkuese.

E majta u shkatërrua në Indonezi gjatë regjimit të presidentit Suharto (1967-1998) dhe nuk është rimëkëmbur kurrë. Në Nepal, ish-rebelët maoistë që luftuan një luftë civile kundër monarkisë tashmë të shpërbërë, hynë në politikë vetëm për t’u përfshirë në të njëjtin korrupsion dhe shfrytëzim që kishin premtuar ta shkatërronin. Në Sri Lanka, e majta u përpi nga nacionalizmi etnik, ndërsa në Bangladesh kishte rënë në një mungesë të theksuar relevance.

Twitter ndezi Pranverën Arabe më shumë se një dekadë më parë. Në Azi sot po e bëjnë Instagram dhe TikTok.

Gen Z shpesh përçmohet si brez i brishtë dhe i paaftë të rrezikojë, me një botëkuptim dhe përqendrim të cunguar nga një “dietë” me video 60-sekondëshe në Instagram Reels. Por kryengritjet në të gjithë Azinë Jugore dhe Juglindore vërtetojnë të kundërtën. Ky brez nuk është imun ndaj botës reale, as nuk e ka penguar rrjeti social që të angazhohet politikisht. Përkundrazi, ai është bërë arma më e fuqishme e Gen Z.

Njerëzit nuk dolën thjesht në rrugët e kryeqyteteve aziatike dhe filluan menjëherë të digjnin monumente. Protestat u kthyen në të dhunshme kryesisht si reagim ndaj shtetit.

Dhuna e shtetit provokoi një mobilizim edhe më të madh dhe radikalizim si në internet ashtu edhe në rrugë. Ky ishte një mësim politik për të rinjtë, të cilët u detyruan ta zgjerojnë vëmendjen e tyre përtej kërkesave fillestare për lehtësira ekonomike apo reformë politike, duke kërkuar tashmë llogari për dhunën shtetërore.

Në Nepal, fillimisht kishte një lloj naiviteti mes të rinjve protestues. Një mik në Kathmandu më tregoi se protestuesit paqësorë kishin ndërmend të pastronin pas demonstratave dhe madje diskutonin ngritjen e tezgave ushqimore për të ushqyer shokët e tyre. Kjo pafajësi festive u kthye në dhunë vetëm kur policia qëlloi mbi protestuesit që tentuan të hynin në Parlament.

Dhuna shtetërore ishte gjithashtu pika e kthesës në Sri Lanka dhe Bangladesh. Ndërsa në Indonezi, demonstratat u përhapën në mbarë vendin pasi një djalë shitës ambulant, Affan Kurniawan, që u gjend në mes të një represioni policor ndaj protestuesve, u përplas dhe u vra nga një mjet i blinduar në Jakarta.

Në mënyrë të ngjashme, ishte vetëdjegia e Mohamed Bouazizit, shitësit ambulant tunizian 26-vjeçar në vitin 2010 – pasi autoritetet i kishin konfiskuar mallrat – që vuri në lëvizje një valë që përfshiu të gjithë botën arabe.

Censura në internet, e menduar për të ndaluar trazirat, vetëm sa e përkeqëson situatën. Pas shpërthimit të hashtagëve si #nepobaby – që denonconin nepotizmin dhe korrupsionin e elitave – në Nepal, regjimi e pa kritikën online si një kërcënim ekzistencial. Por kur mbylli platformat e rrjeteve sociale, duke ia mohuar publikut mundësinë për të shkarkuar zemërimin, kjo i shtyu të rinjtë drejt barrikadave. Instinkti i shtetit për të kontrolluar narrativën dhe për të fajësuar armiq apo një “dorë të huaj” të padukshme nuk i ndali të rinjtë arabë atëherë, dhe nuk do të funksionojë as në Azi sot.

Rruga e Pranverës Arabe, nga shpresa te rrënojat, ofron një paralajmërim të hidhur për atë që mund të ndodhë. Kushtet që ushqejnë kryengritjet aziatike ende ekzistojnë. Pa alternativa të besueshme majtiste apo progresiste për të kanalizuar zemërimin, një hark kaosi duket në horizont – zemërim, grushte shteti ushtarake, dhunë sektare.

Por këtë herë diçka duket ndryshe. Gjenerata Z e Azisë e sheh organizimin digjital jo si shtesë të politikës, por si vetë politikën. Pasi panë dështimin e lëvizjeve më të vjetra, ata po ndërtojnë diçka nga e para: të decentralizuar, të rrjedhshme dhe efektive.

Ata po gjejnë zërin e tyre. Dhe ata që janë në pushtet, do ta injorojnë dhe koston do e mbajnë vetë. / Meena Kandasamy, shkrimtare, poete dhe aktiviste indiane. (Bota.al)

Back to top button