Shendeti

Gjashtë besime të njohura mbi të ftohurën e zakonshme, ekspertët shpjegojnë faktet

Ndërsa po rikthehemi në nivelet e ndërveprimeve sociale para-bllokimit, e ftohura e zakonshme po nis të bëhet shumë e zakonshme. Një video në TikTok që është bërë virale, rekomandon vendosjen e hudhrës nën hundë si një ilaç për këtë sëmundje, në morinë e një liste të gjatë trajtimesh ose kurash të pretenduara. Ne pyetëm 2 ekspertë për të marrë në shqyrtim disa besime të zakonshme rreth ftohjes.

  1. A mund të ftohemi për shkak të të ftohtit?

E ftohura bëhet më e zakonshme në stinën e dimrit. Ashtu si infeksionet e tjera të traktit të sipërm respirator (në hundë, fyt dhe grykë),ajo shkaktohet zakonisht nga një virus. Mund të jetë disi i vërtetë besimi i shumë përhapur se moti i ftohtë mund t’ju shkaktojë të ftohurën e zakonshme, pasi teksa ndryshon temperatura, kjo mund të ndryshojë edhe shtresën e fytit dhe grykës sonë, gjë që mund ta bëjë ndoshta më të lehtë që viruset të infektojnë qelizat. Gjithsesi, arsyeja kryesore pse ftohemi më shumë në dimër, është se në këtë stinë kalojmë më shumë kohë brenda, dhe më pranë njerëzve të tjerë. Pra është mjedisi i përsosur për të transmetuar viruset.

  1. A ndihmon vendosja e një thelpi hudhër nën hundë?

Videot e shumta në TikTok këtë kohë, përfshijnë edhe vendosjen e thelpinjve të hudhrës nën hundë, pasi pretendohet se ajo vepron si një dekongjesant. Por ngjitja e diçkaje në hundë e bllokon rrjedhjen e mukusit, ndaj kur ajo hiqet, rrjedhja rifillon.

Mukusi ndihmon jo vetëm në kapjen dhe heqjen e patogjenëve përfshirë viruset, por ai përmban gjithashtu edhe antitrupa, dhe mund të zvogëlojë normën e infektimit dhe përhapjes së viruseve. Pra, kjo nuk është një ide e mirë.

Hudhra përmban një sërë elementësh që mund ta irritojnë hundën, dhe mos harroni se futja në hundë e objekteve të jashtme,nuk është një ide e shkëlqyer. Pasi mund të dëmtojë mukozën, dhe të çojë në gjakderdhje, apo edhe të ngecë aty brenda.

  1. A mund ta parandalojnë të ftohurën ilaçet bimore?

Pretendohet shpesh se ilaçe të ndryshme bimore, parandalojnë ose e shpejtojnë shërimin nga e ftohura e zakonshme. Njerëzit përmendin echinacea, një familje bimësh që rritet në Amerikën e Veriut. Disa studime kanë sugjeruar një efekt të vogël parandalues. Portë dhënat nuk tregojnë një rënie statistikisht të rëndësishme në nivelet e prekjes nga kjo sëmundje. Edhe shafrani i Indisë, konsiderohet si një ilaç parandalues, por nuk ka asnjë dëshmi të fortë mbi efektivitetin e tij.

  1. A mund të ndihmojë vitamina C?

Shkencëtari fitues i çmimit Nobel, Linus Poling, sugjeroi se në doza të larta,vitamina C mund të jetë një trajtim shumë efektiv për shumë infeksione virale. Por një studim i fundit, zbuloi se vitamina C nuk e parandalon ftohjen , por mund të zvogëlojë kohëzgjatjen e sëmundjes tek disa njerëz. Meqë suplementet e vitaminës C prej rreth 200mg në ditë konsiderohen me rrezik të ulët, disa sugjerojnë se kjo është një strategji e arsyeshme për të shkurtuar efektet e të ftohurës.

  1. A e parandalon të ftohurën vitamina D?

Vitamina D ka ndryshuar status,nga të qenit vitamina e prodhuara nga ekspozimi në rrezet e Diellit dhe e lidhur me shëndetin e kockave, në një lidhje me zvogëlimin e rreziqeve për gjithçka, nga sëmundjet e zemrës dhe diabeti deri tek viruset. Kjo e ka shtuar shumë interesin mbi vitaminën D si një mënyrë që na ndihmon të luftojmë gripin, dhe së fundmi Covid-19.

Eksperimentet laboratorike tregojnë se vitamina D është e rëndësishme në mbështetjen e imunitetit, dhe kjo është jetike në luftimin e viruseve. Problemi është se disa njerëz kanë nivele të pamjaftueshme të vitaminës D. Dielli na lejon ta prodhojmë vetë vitaminën D, por kjo ndodh më pak në dimër. Prandaj këshillohet gjatë dimrit marrja e suplementeve të vitaminës D.

  1. Po supa e pulës?

Supa e pulës është përdorur përgjatë shumë shekujve për të trajtuar të ftohurën, dhe ashtu si  mjalti, mund të sjellë disa përfitime në menaxhimin e simptomave. Por nuk ka gjasa që ai të ketë një ndikim të madh në largimin e infeksionit. Uji që përmban supa do të ndihmojë me hidratimin e trupit, që është shpesh një problem kur jemi prekur nga e ftohura.

Ashtu si shumica e pijeve të nxehta, supa mund të ndihmojë në lehtësimin e sinuseve. Ka studime që konfirmojnë efektin në qelizat e sistemit tonë imunitar, por provat nuk janë përfundimtare. Për fat të keq, për të ftohurën e zakonshme nuk ka një kurë magjike. / the conversation – bota.al

Back to top button