Analiza

GJEOPOLITIKE / Çfarë të mbajmë mend nga 2014-a?

krimeaPascal Boniface

Drejtor i Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare Strategjike, Francë

Bilanci i vitit 2014 nuk është aspak ngazëllues. 2014 ishte një vit gjeopolitik shqetësues. Kemi patur më shumë lajme të këqia se sa dritë shprese. Konfliktet që u shfaqën në vitin 2014 do të duhet të menaxhohen në vitet e ardhshëm

Kriza ukrainase

Kriza ukrainase, si dhe përballja që e pasoi, midis Perëndimorëve dhe Rusisë, janë në mënyrë të pamohueshme pikat më shqetësuese të vitit që shkoi. Një ndryshim territorial i paligjshëm: u ndërhy në Evropë me aneksimin e njëanshëm të Krimesë nga qeveria ruse. Ky nuk është sigurisht ndryshimi i parë territorial në Evropë: pas një ndërhyrje ushtarake, Kosova fitoi pavarësinë e saj në vijim të një konflikti të armatosur, por ajo nuk u pushtua nga një fuqi e NATO-s. Sot jemi në një situatë e cila para së gjithash qëndron si një rezultat i luftës së ftohtë: Perëndimorët dhe rusët nuk kanë arritur të gjejnë mënyrën të mbajnë marrëdhënie të normalizuara.

Nuk do të mundet megjithatë të qëndrojmë përjetësisht në këtë situatë sepse Ukraina rrezikon të zhytet akoma më tepër në krizë dhe do të duhet që dikush të rregullojë notën. Rusia dhe Perëndimorët janë në detyrimin të normalizojnë marrëdhëniet mes tyre, por në mënyrë paqësore dhe në barazi. Thelbësore është që Moska të shihet si një partnere dhe jo si i munduri i luftës së ftohtë, dhe që ajo të ndërpresë privilegjimin e zgjidhjeve të forcës.

Konflikti izraelo-palestinez

Konflikti izarelo-palestinez nuk u qetësua gjatë vitit 2014, përkundrazi   arriti kulmin me luftën në Rripin e Gazës gjatë kësaj vere, që popullsia civile palestineze e pagoi me çmim të lartë. Ky zjarr i ri ishte dështimi i rrugës së negociatës, sepse ne pamë që bisedimet diplomatike qysh prej vitit 2001, janë për qeverinë izraelite një mjet për të fituar kohë dhe të maskojë vullnetin e saj për të ruajtur mundësisht një pjesë sa më të madhe të territoreve palestineze.

Me të drejtë mund të pyesim nëse komuniteti ndërkombëtar do të vendosë më në fund të lëvizë. Sigurisht që kemi mundur të shohim një valë të njohjes së Palestinës, por derisa Shtetet e Bashkuara nuk do të lëvizin, izraelitët nuk do të ndryshojnë vijën e sjelljes. Ka gjasa që viti 2015 të jetë pesimist.

Mund të synohet që një qeveri izraelite më djathtas të dalë nga zgjedhjet legjislative të marsit 2015. Në afat shkurtër, Izraeli nuk i trembet asgjëje, por kjo rrezikon të jetë mjaft e ndryshme në afat gjatë, për të cilën izraelitët – sigurisht për fat të keq pakicë – janë të ndërgjegjshëm.
Viti 2014 shënoi gjithashtu një pikë kulmore në mungesën e popullaritetit për Izraelin. Akoma dhe një herë Shteti Izraelit ka fituar luftën në planin ushtarak, por imazhi i tij në planin ndërkombëtar është përkeqësuar. Thirrjet e antisemitizmit për të shpjeguar degradimin e imazhit të Izraelit nuk përkrahen: një divorc i vërtetë ndodhi midis opinioneve publike dhe qeverisë izraelite. Nëqoftëse qeveritë ende nuk janë ndarë nga kauza e tij, megjithatë dallojmë që mbështetja e tij pranë opinioneve publike po shkrin si bora në diell.

Shkallëzim i tensioneve midis Kinës dhe Japonisë

Gjatë vitit që kaloi patëm frikën e një shkallëzmi të tensioneve midis Kinës dhe Japonisë, nga përplasja e tyre për kontrollin e ishujve Senkaku. Në nëntor megjithatë mundëm të shohim një afrim të favorshëm midis dy palëve, në sajë të mbledhjes së Samitit të Bashkëpunimit Ekonomik të vëndeve të Azisë dhe Paqësorit (APEC), midis presidentit kinez dhe kryeministrit japonez. Kryeminstri japonez duhet të bëjë kujdes që të mos i nxisë tensionet duke vazhduar projektin e tij të rishikimit të Kushtetutës japoneze dhe nenit të saj nr. 9, gjë që do të rrezikonte të krijonte një rreth vicioz dhe do të sillte rudhje të reja me Kinën, por gjithashtu me Korenë e Jugut.

Lulëzimi i organizatës të Shtetit islamik

Më në fund lulëzimi i organizatës të Shtetit islamik është në mënyrë të pamohueshme një nga pikat qëndrore të vitit 2014: u pagua çmimi i luftës së vitit 2003 kundër Irakut si dhe të luftës civile siriane. Megjithatë duhet të kujdesemi të mos ekzagjerojmë rrezikun që ky grup përfaqëson: ai është një kërcënim për popullsinë e rajonit, por nuk përfaqson një rrezik aq të rëndësishëm për vendet perëndimore. Eshtë e mira që të analizohet në mënyrë më gjakftohtë shtrirja e kërcënimit terrorist.

e.gj./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button