AnalizaMAIN

Gjeopolitikë, rikthimi i “policit të botës”

Fermeri i orizit Mao Sary bashkoi duart në shenjë mirënjohjeje. Ai po mblidhte plaçkat në karrocën e improvizuar që kishte përdorur për ta çuar familjen në një vend të sigurt, kur shpërtheu lufta me Tajlandën, një aleate e hershme e SHBA-së, në korrik.

Tani, pas një armëpushimi të ndërmjetësuar nga Presidenti amerikan Donald Trump, ata po përgatiteshin të ktheheshin në shtëpi nga pagoda budiste ku kishin gjetur strehë. “Dua të falënderoj presidentin Donald Trump për ndihmën e dhënë Kamboxhias dhe për ndihmën ndaj popullit kamboxhian që të kthehet nëpër fshatrat e veta,” tha ai. “E vlerësoj shumë.”

Fermerë të tjerë të zhvendosur përsëritën falënderimin e Sary-t për presidentin amerikan, gjysmë bote larg. Qeveria e Kamboxhias e ka propozuar Trumpin për Çmimin Nobel për Paqe.

Nga të gjitha konfliktet ku Trump është përfshirë që kur u kthye në Shtëpinë e Bardhë, përplasjet për një kufi të epokës koloniale mes Tajlandës dhe Kamboxhias mund të jenë më të voglat. Por, po aq sa roli i tij në luftën Rusi-Ukrainë apo në Lindjen e Mesme, përpjekjet e tij me diplomacinë e stilit “të të fortit” janë një tjetër tregues i largimit të papritur nga rendi liberal ndërkombëtar i pasluftës, ku institucionet dhe e drejta ndërkombëtare – të paktën në teori – merrnin përparësi mbi forcën.

“Përfshirja e Trumpit tregon një preferencë për realizmin e dominuar nga shtetet dhe aktorët e përfshirë në këto kriza, sidomos për arbitrazhin e drejtpërdrejtë të fuqive të mëdha në vend që të përdorin institucione ndërkombëtare si OKB-ja,” tha Paul Chambers, studiues në Institutin ISEAS-Yusof Ishak në Singapor. “Ajo vendos dhe prioritizon shtetet e fuqishme si menaxherët e vërtetë të pushtetit global, në vend të institucioneve ndërkombëtare,” i tha ai revistës Newsweek.

Rivaliteti SHBA–Kinë

Edhe kalkulimet gjeopolitike po ndryshojnë. Pas vitesh afrimi me Pekinin dhe përplasjeje me Shtetet e Bashkuara që i kishin qortuar për të drejtat e njeriut dhe hapat prapa në demokraci, udhëheqësit e Kamboxhias nuk mund të ishin më entuziastë për një president amerikan.

“Ky është vetëm një shembull i arritjeve të jashtëzakonshme të Presidentit Trump në uljen e tensioneve në disa nga rajonet më të brishta të botës,” thuhej në letrën e nominimit për Komitetin Norvegjez të Nobelit nga Kryeministri Hun Manet. “Përpjekjet e tij të pandërprera për paqe përmes diplomacisë përputhen në mënyrë të përsosur me vizionin e Alfred Nobel-it – për të nderuar ata që kanë dhënë kontribute të jashtëzakonshme për vëllazërinë ndërkombëtare dhe përparimin e paqes.”

Zyrtarët tajlandezë nuk kanë bërë një deklaratë publike mbi nominimin për Çmimin Nobel dhe nuk iu përgjigjën një kërkese të Newsweek për koment në kohën e publikimit. Të dy vendet kanë akuzuar njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimit.

Në origjinë të përplasjeve qëndron një mosmarrëveshje për një kufi nëpër një brez xhungle dhe ferma orizi, ku ndodhen tempuj të lashtë të epokës Khmer-Hindu. Kjo ka ringjallur armiqësinë që shtrihet prapa me shekuj mes shoqërive siameze dhe khmere. Trump foli me udhëheqës nga të dy vendet dhe u tha se kishte ardhur koha për të ndaluar luftën – i mbështetur nga fuqia e tij për të vendosur tarifa mbi eksportet drejt SHBA-së, që janë jetike për të dyja vendet.

“Të paktën ai u bëri thirrje të dy vendeve të uleshin në tryezë dhe të arrinin një armëpushim… Kjo ndihmoi të shpëtoheshin shumë jetë,” tha Huy Vannak, president i Unionit të Federatave të Gazetarëve të Kamboxhias dhe njëkohësisht sekretar shteti në Këshillin e Ministrave, kabineti i qeverisë kamboxhiane. “Nëse të dy vendet respektojnë gjithçka për të cilën jemi marrë vesh, pjesa tjetër mund të zgjidhet paqësisht,” i tha ai Newsweek.

Në një shfaqje uniteti, mirënjohja për Trumpin ishte po aq e madhe, edhe nga opozita politike e Kamboxhias, e cila ka vuajtur nga vite represioni dhe arrestimesh. “Pa presionin e Presidentit Trump për ta sjellë Tajlandën drejt armëpushimit, ne si popull dhe si vend do të ishim shtypur nga tajlandezët në një shkallë të paparë që nga luftërat e lashta me ta,” tha Monovithya Kem, vajza në ekzil në SHBA e liderit të opozitës Kem Sokha, i cili është në arrest shtëpie pasi u arrestua për herë të parë në vitin 2017 dhe më pas u dënua për komplot me një fuqi të huaj – Shtetet e Bashkuara – për shkak të kontakteve të tij me mbrojtësit amerikanë të demokracisë. Zyrtarët amerikanë i kanë hedhur poshtë këto akuza.

Viktimë e Luftës së Ftohtë

Kamboxhia ka qenë shpesh një tregues i hershëm i zhvendosjeve gjeopolitike – dhe ka vuajtur pasojat.

Gjatë Luftës së Ftohtë, ajo u godit fillimisht nga bombardimet e rënda amerikane në përpjekjen e SHBA-së për të ndërprerë rrugët e furnizimit për Viet Kongun në luftën e Vietnamit. Më pas, u shkatërrua nga marrja e pushtetit nga Khmerët e Kuq komunistë të mbështetur nga Kina, regjimi gjenocidal i të cilëve vrau rreth 1.7 milionë njerëz – një e katërta e popullsisë. Fragmente kockash dhe rrobash ende dalin në sipërfaqe në “Fushat e Vrasjeve” gjatë shirave musonike.

Megjithëse vietnamezët i përzunë Khmerët e Kuq në vitin 1979, Kamboxhia mbeti një gur shahu në rivalitetet globale deri në fund të Luftës së Ftohtë. Në fillim të viteve 1990, për pak kohë ajo u kthye në një shembull përpjekjesh të udhëhequra nga OKB për të sjellë demokraci shumëpartiake në një valë të re liberalizmi, por gradualisht rrëshqiti drejt autoritarizmit nën drejtimin e kryeministrit afatgjatë Hun Sen, babai i kryeministrit aktual dhe personazh që ka ende jashtëzakonisht shumë ndikim.

Përpjekjet e SHBA-së për të ushtruar presion ndaj Kamboxhias për reforma demokratike vetëm sa shkaktuan një reagim kundër, që çoi në zbehjen e marrëdhënieve me Washington-in.

Më shumë se çdo vend tjetër në Azinë Juglindore, Kamboxhia përqafoi ngritjen e fuqisë kineze si mbështetje politike dhe si burim fondesh për projekte infrastrukturore dhe ndihmë ushtarake – përfshirë bashkëpunimin mbi një bazë detare që zemëroi Shtetet e Bashkuara.

Dinamika e re

Tani dinamika ka ndryshuar përsëri.

“Pika e vetme pozitive në këtë konflikt pa kuptim Kamboxhia–Tajlandë është se u tregoi kamboxhianëve se SHBA është miku tek i cili mund të mbështetemi në kohën tonë më të vështirë,” tha Kem, e cila shpreson se ky ndryshim mund të çojë edhe në lirimin e të atit. “Realiteti është se askush tjetër nuk ka ndikimin apo vullnetin për ta ndalur këtë. Dinamika SHBA–Kamboxhia është transformuar rrënjësisht; është e rëndësishme që të dy vendet të shfrytëzojnë këtë mundësi për të rivendosur ekuilibrin në politikën ndërkombëtare të Kamboxhias. SHBA ka treguar se është partneri kryesor dhe i besueshëm që na nevojitet,” i tha ajo Newsweek-ut.

Kjo nuk do të thotë se Kina nuk mbetet e përfshirë në Kamboxhia apo se Phnom Penh ka braktisur lidhjet me Pekinin. Diplomatët kinezë ishin gjithashtu të pranishëm në bisedimet për armëpushimin, krah atyre amerikanë – një tjetër tregues i riformësimit të rendit global mes fuqive të mëdha. “Kombet e mëdha kanë më shumë interesa sesa kombet e vogla. Kombet e vogla thjesht ndjekin,” tha Vannak.

Tërheqja e rendit të bjetër

Ai që po zhduket është rendi liberal botëror që doli pas Luftës së Dytë Botërore dhe që në teori ishte i mbështetur mbi liberalizmin politik, hapjen ekonomike dhe bashkëpunimin global – dhe promovohej nga Shtetet e Bashkuara. Ai vinte theksin mbi institucionet e bazuara në rregulla, qeverisjen demokratike, tregtinë e lirë dhe angazhimin multilateral. I ndërtuar mbi idealet e paqes, vetëvendosjes, barazisë mes kombeve sovrane dhe prosperitetit të përbashkët, ky sistem ishte projektuar për të parandaluar përsëritjen e luftërave të fillimit të shekullit XX.

“Mendoj se ishte një epokë. Mendoj se jemi në fillim të një epoke të re me më shumë pasiguri, një epoke që është më e pasigurt dhe për këtë arsye edhe më e rrezikshme,” tha Kryeministrja daneze Mette Frederiksen për Newsweek në maj, duke shtuar: “Mendoj se përgjigjet duhet të jenë të njëjta. Dua të them se demokracia duhet të fitojë dhe se të gjitha vendet duhet të respektojnë Kartën e OKB-së, pra parimet duhet të mbeten të njëjta.”

Prioritizimi i fuqisë, tregtisë dhe transaksioneve tregtare mbi proceset diplomatike është po aq i dukshëm në qasjen e re të SHBA-së ndaj luftërave në Lindjen e Mesme dhe Europë – dhe në ndërhyrjet e tjera të Trump-it në kriza si ajo mes Indisë dhe Pakistanit të armatosur me armë bërthamore, mes Kongos dhe Ruandës, apo marrëveshja e re mes Azerbajxhanit dhe Armenisë. Në Lindjen e Mesme, kjo ka nënkuptuar mbështetje të fortë të Shtëpisë së Bardhë për Izraelin në përpjekjen për të shkatërruar kapacitetet e mundshme bërthamore të Iranit dhe rrjetin e tij të përfaqësuesve rajonalë, nga Hamasi dhe Hezbollahu deri te Houthit.

Ukraina është po aq domethënëse pas takimit të fundit të Trumpit me Presidentin rus Vladimir Putin për të diskutuar përfundimin e luftës. Debati po zhvendoset tek ajo se sa shumë prej fitoreve të Rusisë në fushën e betejës do të pranohen, sesa mbi të drejtat dhe shenjtërinë e kufijve ndërkombëtarë. Ky kishte qenë një gur themeli teorik i rendit botëror për dekada, edhe pse u gërrye me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë.

Nuk kishte tregues më të qartë të kohëve që po ndryshojnë sesa rreshtimi i liderëve evropianë në Zyrën Ovale muajin e kaluar për bisedimet me Trumpin mbi Ukrainën — qoftë për ta shtyrë atë, qoftë për të dëgjuar çfarë ai priste prej tyre. Vendet që kishin formësuar rendin e pasluftës dhe kishin qenë mbrojtësit më të zëshëm të tij, tani ishin lojtarë të zvogëluar dhe pa fuqinë ushtarake apo ekonomike për të ndikuar mbi ngjarjet.

Ndërkohë, institucione si Gjykata Ndërkombëtare Penale po refuzohen nga administrata Trump. Zyrtarët e GJNP-së tani janë nën sanksione për “shkeljet e tyre” kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleates së saj, Izraelit.

Fuqia, tani mbi retorikën

“Qasja e Trumpit thekson se në një botë ku Kina po militarizon rrugët tregtare, Rusia po zhvillon luftë hibride dhe Irani financon rrjete terroriste në tre kontinente, siguria nuk do të ruhet me apelime ndaj procedurave, por me projektimin e fuqisë,” tha për Newsweek Zineb Riboua, që merret me studime në Center for Peace and Security in the Middle East në hudson Institute. “Ne po hyjmë në një epokë të re të gjeopolitikës ku pesha e aleancave gjykohet nga rezultatet: qasja në energji, të drejta për baza ushtarake, bashkëpunimi në inteligjencë — jo nga parime, vlera apo deklarata abstrakte.”

“Duke e bërë fuqinë monedhë të diplomacisë, Trump e bëri të qartë se mbijetesa në Luftën e Re të Ftohtë varet jo nga ritualet e institucioneve të lidhura me ligjin në teori, por nga aftësia e Amerikës për t’u ankoruar në arena ku historikisht ka qenë e munguar ose e dobët, nga Levanti deri në Kaukaz. Në këtë mjedis, është fuqia e pastër, jo vlerat retorike, ajo që përcakton kush fiton kundër Pekinit, Moskës dhe Teheranit,” tha ajo.

Zhvendosja në këtë qasje mund të ketë pasoja të paparashikueshme ndërsa më shumë shtete përqafojnë mendësinë se aftësia për të vendosur fatin e tyre varet nga fuqia dhe aleancat e tyre, dhe jo nga forca e argumenteve apo apelimi në një sistem global ligjesh dhe të drejtash.

“Nëse shikon punët gjeopolitike, Kamboxhia është si një pikë uji mbi një gjethe lotusi. Kur gjethja e lotusit lëkundet nga era, pika bie,” tha Vannak. “Duhet të bëhesh si Singapori ose si Izraeli, që kanë mjaftueshëm kapacitete për vetëmbrojtje. Mendoj se shumë kamboxhianë e kuptojnë se edhe Kamboxhia një ditë duhet të bëhet e fortë vetë.” / Newsweek – Bota.al

Back to top button