Analiza

GJERMANIA DHE BALLKANI / Integrimi europian si pajtim

Gjermania ka gjasa që do të ketë një influencë të vazhdueshme në rajon, pasi Ballkani Perëndimor ka nevojë për të: Gjermani ka qenë pothuajse kampioni i vetëm i integrimit të mëtejshëm në mes të lodhjes së zgjerimit të Bashkimit Europian. Shpesh ajo është parë si “hegjemoni ngurrues” dhe ky ngurrim i parë në marrjen e drejtimit në çështjet e ndryshme funksionon mirë këtu

American Institute for Contemporary German Studies
PJESA E DYTE (Kliko ketu per te lexuar pjesen e pare)

Merkel BalkansIntegrimi në Bashkimin Europian tenton që të jetë një proces pajtimi mjaft i injoruar. Në Ballkan, Gjermania operon brenda kornizës së zgjerimit të Bashkimit Europian: në total, synimi është stabilizimi i rajonit dhe integrimi në Bashkimin Europian, është njëherazi mjet dhe qëllim në këtë aspekt. Kur vjen puna tek pajtimi dhe përballja me historinë, akademikë dhe politikëbërës janë shumë të shpejtë që të shikojnë në aspektet e ngushta ose eksplicite të këtij procesi, si bashkëpunimi me tribunalet e krimeve të luftës apo krijimin e komisioneve të vërtetësisë. Në këtë kuptim, vendet e Ballkanit Perëndimor përgjithësisht besohet se kanë dështuar ose po dështojnë në konfrontimin me të kaluarën. Sigurisht, rezultati i mjaft proceseve gjyqësore (të tilla si gjyqet e gjenocidit Kroaci kundër Serbisë dhe Bosnje kundër Serbisë) dhe retorika nacionaliste e disa elitave të brendshme nuk është shenjë e mirë për pajtimin, i kuptuar ky në sensin normativ të tij. Megjithatë, parë në mënyrë më implicite, nëpërmjet optikës së integrimit europian, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë bërë hapa të mëdhenj përpara, shpesh si rezultat i një angazhimi të jashtëm. Nëqoftëse pajtimi është kuptuar në sensin e tij më të gjerë si normalizim marrëdhëniesh apo vendosje e kontaktit funksional, diplomatik ditë pas dite “normal”, social dhe politik midis ish “armiqsh”, atëhere Ballkani Perëndimor duket si një histori pajtimi e suksesshme (sidomos kur krahasohet me rajone njëlloj të prekura, ku konfliktet dhe diplomacia mbeten të “ngrira”, si në rastin e Çeçenisë). Gjithashtu, kjo është pikëpamja nga brenda Ballkanit: një ish Ministër i Jashtëm serb komentoi se, krahasuar me Azinë Lindore, Ballkani Perëndimor ka bërë goxha avancim të madh në fushën e pajtimit dhe të bashkëpunimit.
Brenda kornizës së integrimit në Bashkimin Europian, shumë theks (dhe kushtëzim) u vendos mbi “bashkëpunimin rajonal” e shteteve të mëpasëm jugosllavë. Praktikisht, disa prej këtyre iniciativave, të tilla si Pakti i Stabilitetit për Europën Juglindore dhe më pas Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal replikuan ose imituan lidhje dhe hapësira ish jugosllave. Bashkëpunimi rajonal u ka hapur rrugën disa “fitoreve të mëdha” në pajtim. Dy episode spikasin: i pari, marrëveshja Beograd – Prishtinë e vitit 2013, e cila “shkriu” marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve, dhe i dyti, Konferenca e Shteteve të Ballkanit Perëndimor e vitit 2014. Në të dyja rastet, Gjermania luajti një rol vendimtar.
Gjermania si katalizator për pajtimin e Ballkanit Perëndimor
Substanca e marrëveshjes së 2013 midis Beogradit dhe Prishtinës qe ndoshta e parëndësishme, përderisa nuk propozonte asnjë ndryshim të ri radikal, por ishte origjinale në kuptimin se mundësonte një dialog Kosovë – Serbi dhe njohjen e Kosovës nga Serbia. Pikëpamja nga Serbia është se njohja e Kosovës nuk është më një problem “nëqoftëse”, por një problem “kur”, përderisa pjesa më e madhe e marrëveshjes e pranonte në mënyrë implicite (për shembull, duke rënë dakord që të mos e bllokonte procesin e anëtarësimit e Kosovës në Bashkimin Europian, Serbia në mënyrë implicite po e njeh atë si shtet të pavarur).
Ndërhyrja e Merkel më së fundi ushtroi llojin e duhur të presionit ndaj Serbisë sepse ai vinte nga lloji i duhur i aktorit. Merkel shikohet si një njeri që nuk merr lehtë perspektiva joekuivoke; qëndrimi i saj lidhur me çështjen e Kosovës më së fundi i dha Serbisë mesazhin e qartë që asaj i nevojitej. Deri në atë pikë, Serbia kishte pretenduar se kërkesat e Bashkimit Europian për sa i përket Kosovës nuk qenë të qarta, teksa njohja nuk ishte parakusht për anëtarësim. Mungesa e një pozicioni të përbashkët të Bashkimit Europian lidhur me pavarësinë e Kosovës e dobësonte presionin e tij ndaj Serbisë. Prandaj Merkel, duke përfaqësuar një vend të parë universalisht si motori i integrimit europian, mund të arrinte të bënte atë që Bashkimi Europian nuk mund ta bënte dhe ta paralajmëronte Serbinë se grindjet e pazgjidhura me fqinjët janë një pengesë reale për anëtarësim. Gjithashtu, ndërhyrja e Merkel përfitoi nga një moment oportun në politikat e brendshme, përderisa partitë në pushtet në Serbi dhe Kosovë donin një shans për kandidim dhe rizgjedhje.
Përpjekjet gjermane në pajtimin dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor vazhdon, edhe pse Bashkimi Europian transmeton shenja të lodhjes së zgjerimit. Kohët e fundit, Merkel organizoi një konferencë me liderët e Ballkanit Perëndimor për të diskutuar perspektivat e integrimit. Shumica e vëzhguesve nuk kishin asnjë shpresë për një rezultat të prekshëm. Sigurisht që konferenca nuk dha ndonjë rezultat spektakolar, por ajo qe simbolike dhe stimuloi një numër më të vogël, por të rëndësishëm, iniciativash rajonale pajtimi. Konferenca inkurajoi bashkëpunimin rajonal dhe, si rezultat i kësaj, Bosnja dhe Serbia paraqitën një projekt infrastrukturor të përbashkët për financim nga Bashkimi Europian. Shqipëria shpalli se Kryeministri i saj, Edi Rama, do të vizitojë Beogradin, e para e tillë qysh nga vitit 1946. Sidoqoftë, ne duhet të jemi të kujdesshëm për të mos i ekzagjeruar afrime të tilla, përderisa mbetet shumë për t’u bërë; për shembull, Serbia ka nënshkruar deri më tani një apologji formale, nga ish Presidenti Boris Tadiç dhe jo e mbështetur nga parlamenti i asaj kohe, për rolin e saj në luftën boshnjake.
Konferenca është një kulmim i përpjekjeve gjermane dhe i angazhimit të vazhdueshëm në rajon. Jo vetëm që ka qenë anëtari më aktiv i Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor, por ka qenë gjithashtu kontribuuesi më i madh në ndihma, nëpërmjet Bashkimit Europian dhe bilateralisht. Qysh nga 2000, ndihma bilaterale e Gjermanisë për Serbinë ka qenë në 1.6 miliard euro dhe 420 milion euro për Kosovën qysh nga 1999. Veç kësaj, sipas një diplomati gjerman, 30 përqind e të gjithë ndihmës së Bashkimit Europian për Ballkanin vjen nga taksapaguesi gjerman. Pjesë e madhe e kësaj ndihmë është e drejtuar nga stabilizimi rajonal nëpërmjet rritjes ekonomike. Kjo nuk është për t’u nënvlerësuar. Papunësia në rajon shkon nga 20 përqind në Serbi në 35 përqind në Kosovë (me 60 përqind papunësi në radhët e rinisë). Në raste të tilla, jo vetëm që rritja nëpërmjet investimeve të huaja dhe mbështetjes për industrinë vendore është vendimtare për rigjallërimin e ekonomive vendore, por është gjithashtu një parakusht thelbësor për çdo proces pajtimi.
Kështu që në nivel shtetëror marrëdhëniet po normalizohen dhe kanë qenë të tilla prej disa kohësh, për shembull tregtia midis shumicës së vendeve ish jugosllave po lulëzon. Ky nivel bashkëpunimi rajonal është një pjesë e vogël, por e rëndësishme, e pajtimit; një hap drejt ndërtimit të një vizioni të përbashkët dhe një hapësire të ndarë. Megjithatë, një pjesë e rëndësishme e çdo procesi pajtimi ndodh poshtë nivelit shtetëror. Një numër i madh iniciativash të shoqërisë civile, shpesh të drejtuara nga Organizata Joqeveritare (NGOs), ka vepruar në shtetet pasuese jugosllave qysh nga vitet Nëntëdhjetë. Fondacione politike gjermane, në veçanti Heinrich Böll Foundation dhe Friedrich Ebert Foundation, kanë luajtur role drejtuese në mbështetjen, shpesh financiarisht, të shoqërisë civile të brendshme në projekte të ndryshme pajtimi, si puna e atij në vazhdim “Memory Lab”, një “platformë përkujtimi” transeuropiane që bashkon përvojat pajtuese gjermane, franceze dhe të Ballkanit Perëndimor.
Iniciativat e shoqërisë civile janë të rëndësishme, sidomos ato të organizuara nga Friedrich Ebert Foundation për të arritur tek liderët politikë, për shkak se aspekte të rëndësishme pajtimi akoma po mungojnë në Ballkanin Perëndimor. Ndërsa shoqëria civile është aktive në promovimin e pajtimit, apologjisë dhe njohjes së iniciativave të dëmshme, lidershipi politik nëpër rajon tenton që të injorojë ose të shkëputet krejtësisht nga pyetjet lidhur të kaluarën. Ashtu siç është diskutuar mirë tjetërkund, lidershipi politik, i cili mbështet shoqërinë civile, është i rëndësishëm përderisa mund të ndihmojë të çohet në “transformimin e institucionalizuar”.
Gjermania një partner në pajtimin e Ballkanit Perëndimor
Pikëpamja e Gjermanisë për rolin e saj në Ballkan dhe tjetërkund është se ajo është bërë deri diku një “vend rregullo” dhe se influenca e saj është mbivlerësuar. Kjo nuk është një pikëpamje e ndarë nga partnerët e Gjermanisë, sidomos Shtetet e Bashkuara, të cilët do të donin që të shikonin një rol më të madh dhe më eksplicit të Gjermanisë në rajon, sidomos për sa i përket Bosnjes. Sigurisht që Gjermania i njeh dhe i pranon përgjegjësitë e saj për lidership si vendi më i madh në Bashkimin Europian dhe si ish “njeriu i sëmurë i Europës” që me sukses ka arritur reforma. Megjithatë, Gjermania e thekson fuqimisht se nuk mund ta ndryshojë e vetme situatën në Ballkanin Perëndimor dhe se ka nevojë për më shumë mbështetje nga partnerët e Bashkimit Europian. Me fjalë të tjera, vende si Kosova dhe Bosnja nuk mund të rrinte e të presin që Gjermania të zgjidhë problemet e tyre, për shkak se modus operandi i kësaj të fundit ka qenë gjithmonë që të ofrojë ndihmë financiare dhe politike, ndërsa pret reforma dhe prirje pozitive drejt ndryshimit.
Në mënyrë të ngjashme, partnerët e Bashkimit Europian – shumica e të cilëve i kanë reduktuar interesat politike të tyre në rajon – nuk mund të rrinë e të presin që Gjermania t’i zgjidhë pa ndihmën e kurrkujt tensionet e mbetura. Gjermania ka gjasa që do të ketë një influencë të vazhdueshme në rajon, pasi Ballkani Perëndimor ka nevojë për të: Gjermani ka qenë pothuajse kampioni i vetëm i integrimit të mëtejshëm në mes të lodhjes së zgjerimit të Bashkimit Europian. Shpesh ajo është parë si “hegjemoni ngurrues” dhe ky ngurrim i parë në marrjen e drejtimit në çështjet e ndryshme funksionon mirë këtu. Prandaj Gjermania mund të ndihmojë që të pajtohet Ballkani Perëndimor; ajo është anëtari i vetëm aktiv i Bashkimit Europian angazhimi i së cilës në stabilizim dhe integrim barabitet nga mbështetja financiare dhe politike e saj, duke e bërë aktorin e vetëm me ndikim real.
(nga American Institute for Contemporary German Studies)
Përgatiti: ARMIN TIRANA/www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button