Analiza

Gjermania nuk sheh më nga Lindja

Natalie Nougayrède

merk put

Një gjë është e sigurtë në lidhje me Angela Merkelin: kancelarja gjermane i merr vendimet me qetësi dhe i mat mirë fjalët. Për këtë arsye, fjalimi që mbajti në Australi gjatë samitit të G20-ës mund të shënojë një ndryshim epokal në gjeopolitikën europiane.
Për ta përmbledhur: duket se Gjermania po e braktis Ostpolitikën, pra politikën mbi të cilën nga ngritur diplomacinë e saj për disa dekada. Kjo mund të ketë pasoja të mëdha si dhe të ndryshojë ekuilibrat e fuqive në Europë, duke vënë në provë të vështirë rrjetin e fortë të Russland Versteher të Putinit, njerëz që “kuptojnë” dhe mbështesin Rusinë në Gjermani.
Vendet e tjerë europianë do i kushtojnë vëmendje të madhe evolucionit të marrëdhënieve mes Berlinit dhe Moskës. Eshtë edhe një shenjë e rëndësisë së lidhjeve mes Gjermanisë dhe SHBA, të cilës administrata Obama i beson për t’i bërë ballë tentativës së Rusisë për të rivënë në diskutim ekuilibrin e vendosur pas fundit të Luftës së Ftohtë.
Në Sidnej, kancelarja e quajti regjimin e Putinit jo si një rival rajonal të bezdisshëm, por si një kërcënim për Europën. Kancelarja ka kujtuar se në vitin 1914, fuqitë europiane rrëshkitën drejt luftës për shkak të “paaftësisë për të pranuar një kompromis” dhe për një “besim arrogant në superioritetin e vet ushtarak”, një përshkrim që i shkon përsosmërisht për shtat strategjisë së Putinit në Ukrainë. Merkel ka paralajmëruar gjithashtu se “ka ende nga ata që besojnë tek ligji i më të fortit dhe që përçmojnë forcën e ligjit”. Rusia e “konsideron një prej fqinjëve të saj, Ukrainën, si pjesë të sferës së saj të influencës, dhe e gjithë kjo pas tmerreve të dy luftërave botërore”. Bashkimi Europian do të bëjë “gjithçka që është në fuqinë e tij për të arritur një zgjidhje diplomatike”, duka ruajtur sanksionet kundër Rusisë, “deri sa do të jetë e nevojshme”.
Pra duhet t’i themi lamtumirë Ostpolitikës? Në vitin 1969, kancelari social demokrat, Brandt, ndërmori rrugën e dialogut me Bashkimin Sovjetik dhe Republikën Demokratike Gjermane, në përpjekje për të kapërcyer konferencën e Jaltës, e cila në 1945-ën kishte ndarë Europën. Brandt synonte të “ndryshonte përmes afrimit”, ose më saktë të nxiste reformat në lindje përmes kontakteve ekonomikë dhe diplomatikë. Si një ish kryebashkiak i Berlinit, kancelari ishte shumë i dhënë pas kësaj ideje. Ndërsa Merkeli ka lindur në Gjermaninë Lindore, dhe ajo e njeh shumë mirë botën e KGB-së, nga e cila vjen Putini. Nuk e duron dot presidentin rus, por nuk është një çështje personale. Merkeli erdhi në pushtet në vitin 2005, pasi Gerhard Schroederi i kish dhënë mbështetje Putinit për luftën në Irak dhe gazin rus. Schroederi, që më vonë u bë kreu i një prej kompanive të Gazpromit në Europë, këtë vit e festoi ditëlindjen duke ftuar Putinin dhe duke e përqafuar pak kohë pas aneksimit të Krimesë. Vitet e Schroederit e çuan Ostpolitikën në kulmin e cinizmit.
Marrëdhënia mes Gjermanisë dhe Rusisë është e ndikuar fort prej marrëdhënieve ekonomike. Për këtë arsye, roli i Merkelit në vendosjen e sanksioneve ka qenë themelor. Gjermania është partneri i parë ekonomik i Rusisë në Europë. Putini i quan të gjithë masat e marra kundër Moskës si një nënshtrim ndaj “diktatit” të Shteteve të Bashkuara, i vetëdijshëm se sa shumë zbulimet e Eduard Snoudenit kanë rritur antiamerikanizmin në Gjermani. Por edhe pse spiunazhi i NSA prek një nerv të zbuluar të psikologjisë gjermane, për shkak të sjelljes në kujtesë të STASI-t dhe nazizmit, e njëjta gjë vlen për gënjeshtrat e propagandës shtetërore, si ajo që përdor Moska për Ukrainën dhe për rrëzimin e MH17. Sipas sondazheve, 80 % e gjermanëve mendon se nuk i duhet besuar Rusisë, dhe deklaratat e fundit të Putinit në favor të paktit të 1939-ës mes Hitlerit dhe Stalinit sigurisht që nuk e kanë ndryshuar këtë perceptim.
Kundërvënia e Gjermanisë ndaj Rusisë së Putinit do të jetë vecanërisht i mirëpritur në Poloni dhe në shtetet balltike, por edhe në Gjeorgji, ku aventurizmi rus shkakton frikë. Disa vite më parë në Berlin, ministri i jashtëm polak, Sikorski kishte kërkuar një angazhim më të madh të Gjermanisë në politikën europiane. Sipas presidentit gjerman, Joachim Gauk, një ish disident i RDGJ, Gjermania ka përgjegjësi morale për të përballuar problemet e botës. Por kthesa e Merkelit mund të ndeshë pengesa të brendshme dhe të jashtme, duke patur parasysh edhe forcën e Russland Versteher. DO të jetë e vështirë të ketë mbështetjen e lobeve industrialë italianë, të kryeministrit hungarez Viktor Orban dhe të politikanëve çekë pranë Putinit.
Europa duhet të ripërcaktojë strategjinë e saj kundrejt fqinjit të madh lindor, ekonomikisht i brishtë dhe i kapur prej nacionalizmit militarist. Nuk do të jetë e lehtë. Do të duhet të gjendet një zgjidhje për planin e Putinit për ta ndarë Europën lindore mes Perëndimit dhe Rusisë. Në fjalimin e saj, Merkeli premtoi se strategjia e Kremlinit “nuk do të mbizotërojë”, por gjithashtu paralajmëroi se “rruga do të jetë e gjatë, e pjerrët dhe plot me probleme”./The Guardian/
NATALIE NOUGAYRÈDE është gazetare franceze. Ka qenë korrespondente e Liberation dhe BBC nga Cekosllovakia dhe Kaukazi dhe ka qenë Drejtore e Le Monde nga 2013 deri në 2014.
SHQIPERIMI NGA www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button