Gjermania ka hedhur poshtë kërkesën e Greqisë për një zgjatje me gjashtë muaj të programit të saj të huasë, ndonëse shenjat më të hershme flisnin për mundësinë e arritjes së një kompromisi. Greqia kishte kërkuar një paketë asistence gjashtë mujore, në vend të rinovimit të marrëveshjes ekzistuese, e cila ka kushte të fortë. Zëdhënësi i ministrisë së financave të Gjermanisë deklaroi se “ky nuk ishte një propozim substancial për zgjidhje”. Më herët, Komisioni Europian e kishte quajtur “pozitive” kërkesën e Greqisë.
“Presidenti i Komisionit Europian, Juncker e sheh këtë letër si një shenjë pozitive, e cila sipas vlerësimit të tij mund të hapë rrugën për një kompromis të arsyeshëm në interes të stabilitetit financiar në eurozonë”.
“Vlerësimi i detajuar i letrës së huasë të Greqisë dhe përgjigja ndaj saj tani është në dorë të Eurogrupit”, deklaroi zëdhënësi i Komisionit Europian, duke iu referuar takimit të të premtes të ministrave të Financave në Bruksel, ku do të diskutohet edhe propozimi i Greqisë.
Por vetëm pak minuta më vonë, zëdhënësi i Ministrisë së Financave të Gjermanisë tha se kërkesa e Greqisë nuk i përmbushte kriteret që ishte rënë dakord në mbledhjen e Eurogrupit të hënën.
Letra e Greqisë përfshinte një zotim për të ruajtur ekuilibrin financiar për një periudhë gjashtë mujore, ndërkohë që do të negocionte me partnerët e eurozonës për rritjen afatgjatë dhe reduktimin e borxhit.
Bota.al